REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Besime të gabuaraFestat e shpikura

Gjashtë pika të rëndësishme lidhur me muajin Shaban – Shejh Muhamed el Uthejmin

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

O muslimanë! Vërtet jemi në muajin Shaban dhe do të flasim rreth tij në gjashtë pika, që me anë të tyre të sqarojmë çfarë duhet sqaruar. E lusim Allahun e Lartësuar që të na japë ne dhe ju dituri të dobishme dhe vepra të devotshme.

Pika e parë: agjërimi i Shabanit.

A dallohet muaji Shabani prej muajve të tjerë me agjërim?

Përgjigjja: po, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e shtonte agjërimin në muajin Shaban, saqë linte pa agjëruar vetëm pak prej tij. Bazuar mbi këtë është prej Sunetit që njeriu ta shtojë agjërimin në muajin Shaban, duke marrë për shembulltyrë Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Pika e dytë:

Agjërimi i mesit të tij, d.m.th. agjërimi i ditës së mesit të muajit në veçanti (dita e Beraetit). Për këtë janë transmetuar hadithe të dobëta që nuk janë vërtetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe me të cilat nuk punohet, pasi çdo gjë që nuk është vërtetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, njeriut nuk i lejohet që ta adhurojë Allahun me atë gjë. Bazuar mbi këtë, nuk agjërohet dita e mesit të muajit Shaban (dita e Beraetit) në veçanti, sepse nuk është transmetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe ajo që nuk është transmetuar është bidat.

Pika e tretë: vlera e natës së Beraetit.

Edhe për këtë ka hadithe të dobëta që nuk vërtetohen nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Bazuar mbi këtë, nata e mesit të muajit Shaban (nata e Beraetit) është sikur nata e mesit të muajit Rexheb, apo muajit Rabi’, apo Xhumada, apo të një muaji tjetër dhe kjo natë – d.m.th. nata e Beraetit  – nuk ka ndonjë veçori, mirëpo është sikur netët e tjerat, sepse hadithet që janë transmetuar për të janë të dobëta.

Pika e katërt:

Veçimi i natës Beraet me namaz nate; edhe kjo është bidat. Nuk është transmetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se e veçonte atë me namaz nate, mirëpo ajo është sikur të tjerat. Nëse njeriu e ka për zakon që të falet natën, atëherë le të ngrihet për t’u falur atë natë siç e ka zakon, e nëse nuk e ka për zakon që të falet natën, atëherë nuk e veçon natën Beraet me namaz nate, sepse kjo gjë nuk është transmetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Disa njerëz kanë shkuar edhe më larg, duke e veçuar natën Beraet me një numër të caktuar rekatesh që nuk janë transmetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, andaj ne nuk e veçojmë natën Beraet me namaz nate.

Pika e pestë:

A vendoset caktimi (Kadaja) në atë natë, që do të thotë: a përcaktohet në atë natë se çfarë do të ndodhë në atë vit?

Përgjigjja: jo, pasi nuk është nata e Kadrit. Nata e Kadrit është në Ramazan. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Vërtet ne e kemi zbritur atë” d.m.th. Kuranin. “Vërtet ne e kemi zbritur atë në natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme sesa një mijë muaj.” El Kadr: 1-3.

Po ashtu, Allahu i Lartësuar ka thënë: “Muaji Ramazan është muaji në të cilin ka zbritur Kurani.” El Bekareh: 185.

Bazuar mbi këtë, nata e Kadrit është në Ramazan, sepse është nata në të cilën ka zbritur Kurani dhe Kurani ka zbritur në Ramazan. Detyrimisht nata e Kadrit i bie të jetë në Ramazan dhe jo në një muaj tjetër, jo në natën Beraet, pasi ajo nuk është nata e Kadrit. Në natën Beraet nuk caktohet ndonjë gjë që do të ndodhë atë vit, mirëpo është natë sikur netët e tjera.

Pika e gjashtë:

Gatimi për natën e Beraetit. Disa njerëz gatuajnë ushqim për natën e Beraetit që t’ia shpërndajnë të varfërve dhe thonë: “Kjo është darka e nënës, kjo është darka e babasë, apo kjo është darka e prindërve”, edhe kjo është prej bidateve, sepse nuk është transmetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, as nga sahabët radijAllahu anhum.

Këto janë gjashtë pika që i kam mbledhur dhe të cilat i kam për detyrë t’jua sqaroj, e mbase ka edhe të tjera gjëra të cilat nuk i di.

E lus Allahun e Lartësuar të na bëjë ne dhe ju prej atyre që e përhapin Sunetin dhe paralajmërojnë nga bidati, po ashtu e lus që të na bëjë prej udhëzuesve të udhëzuar, prej atyre që pasojnë dhe udhëzohen me udhëzimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani