REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Besime të gabuaraFestat e shpikura

Gjykimi i urimit të krishterëve për festat e tyre dhe mundësimi i gjërave që u nevojiten për festat e tyre – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: shejh i nderuar! Në fund të vitit gregorian, disa furra buke dhe librari i mundësojnë të krishterëve gjërat që u nevojiten për festat e krishtlindjeve, e kjo duke shkruar mbi embëlsira dhe torta fjalë sikur: përshumvjet e në gëzime, gëzuar apo vit të mbarë. Këto librari po ashtu i mundësojnë edhe kartolinat, andaj çfarë gjykimi ka kjo gjë?

A keni ndonjë këshillë për furrëtarët të cilët mund të kenë punëtorë jomuslimanë dhe e bëjnë këtë gjë? Shpresoj një përgjigje të mjaftueshme, që t’jua përcjell atyre dhe Allahu ju shpërbleftë.

Ndërsa një tjetër thotë lidhur me të njëjtën temë: çfarë mendoni rreth shpërndarjes së fetvasë suaj, që është lëshuar rreth gjykimit të urimit të krishterëve për festat e tyre.

Përgjigjja: fillojmë nga pyetja e fundit. Shpërndarja e asaj që kemi shkruar lidhur me urimin e të krishterëve për festat e tyre është diçka që kërkohet [bërja e saj]. Shpresojmë që Allahu ta shpërblejë njeriun që ndihmon në këtë gjë. Kjo, në mënyrë që muslimanët të bëhen me dije, se urimi i të krishterëve për festat e tyre është i ndaluar me pajtim të dijetarëve; siç e ka përcjellë këtë gjë Ibën Kajimi Allahu e mëshiroftë në librin e tij “Ahkamu ehli edh-dhimmeh”. Kjo, sepse uruesi po i uron për simbolet e mosbesimit dhe është sikur po i uron për adhurimin e kryqit, apo ngrënien e derrit, apo konsumimin e alkoolit apo të ngjashme. Shpërndarja e fetvasë me qëllim që njerëzit të bëhen me dije për gjykimin fetar, që mos të mashtrohen dhe mos të vazhdojnë në këtë gjë, kjo është vepër e mirë dhe inshaAllah njeriu shpërblehet për të.

Sa i përket shoqërimit të tyre në festa duke i uruar, duke bërë ushqimet e të ngjashme, kjo është haram. Edhe nëse është diçka më e vogël se urimi, ajo gjithashtu është haram. Për këtë arsye, [mosbesimtarët] ndalohen që t’i shfaqin simbolet e festave të tyre në vendet muslimane dhe, nuk lejohet që ata t’i shfaqin simbolet e fesë së tyre në vendet muslimane.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani