REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Besime të gabuaraFestat e shpikura

Parime të çmueshme në refuzimin e bidatit të mevludit – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: sipas jush cili është gjykimi fetar lidhur me ditëlindjet dhe kremtimin e mevludit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, sepse janë shumë të përhapura tek ne? Na jepni dobi, Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigjja: mendimi ynë lidhur me këtë çështje është se themi:

Me të vërtetë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është i dërguar për tek gjithë njerëzit. Të gjitha krijesat duhet ta besojnë dhe ndjekin. Ne e kemi për detyrë që ta duam atë më shumë se vetet tona, prindërit dhe fëmijët tanë, sepse ai është i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Jemi të mendimit se prej nderimit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shenjave të dashurisë ndaj tij, është mos dalja me ndonjë çështje që ai nuk na e ka ligjëruar, sepse kjo do të thotë të dalësh para tij.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تُقَدِّمُوا بَيْنَ يَدَيِ اللَّهِ وَرَسُولِهِ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ * يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لا تَرْفَعُوا أَصْوَاتَكُمْ فَوْقَ صَوْتِ النَّبِيِّ وَلا تَجْهَرُوا لَهُ بِالْقَوْلِ كَجَهْرِ بَعْضِكُمْ لِبَعْضٍ أَنْ تَحْبَطَ أَعْمَالُكُمْ وَأَنْتُمْ لا تَشْعُرُونَ

“O ju që keni besuar! Mos nxitoni para (urdhërit të) Allahut dhe të Dërguarit të Tij dhe kijeni frikë Allahun! Vërtet, Allahu dëgjon gjithçka dhe është i Gjithëdijshëm. O ju që keni besuar! Mos e ngrini zërin tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç bëni me njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos ju humbin veprat tuaja pa e ndier ju fare.”[1]

Kremtimi i mevludit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bën pjesë tek një nga tre rastet:

  • Njeriu ose e bën si dashuri dhe nderim ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem
  • Ose e bën kot dhe për lojë
  • Ose e bën si përngjasim me të krishterët, të cilët kremtojnë ditëlindjen e Isait, birit të Merjemes, alejhis-salatu ues-selam.

Nëse e bën si dashuri dhe nderim ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në këtë rast kjo gjë është fe dhe adhurim, sepse dashuria dhe nderimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem janë prej fesë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ إِنَّا أَرْسَلْنَاكَ شَاهِدًا وَمُبَشِّرًا وَنَذِيرًا * لِتُؤْمِنُوا بِاللَّهِ وَرَسُولِهِ وَتُعَزِّرُوهُ وَتُوَقِّرُوهُ وَتُسَبِّحُوهُ بُكْرَةً وَأَصِيلاً

“Me të vërtetë, Ne të kemi dërguar ty (Muhamed) dëshmitar, sjellës të lajmeve të mira dhe paralajmërues, që t’i besoni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, që ta ndihmoni e ta nderoni atë (Muhamedin) dhe që ta lavdëroni Atë (Allahun) me namaz në mëngjes dhe mbrëmje.”[2]

Nëse kjo është prej fesë, atëherë ne nuk e kemi të mundur dhe nuk na lejohet që të ligjërojmë në fenë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem diçka që nuk është pjesë e saj.

Kjo gjë – d.m.th.  ligjërimi ynë në fenë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e diçkaje që nuk është prej saj – detyrimisht përmban dy gjëta të kota:

  • Ose Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka ditur që kjo gjë është pjesë e fesë së tij, e në këtë rast i bie të jetë i paditur për fenë që është ngarkuar ta përcjellë, ndërsa të tjerët pas tij, të cilët i kanë bërë këto kremtime, i bie të jenë më të ditur rreth fesë së Allahut sesa Pejgamberi i Tij. Është e pamundur që një njeri i mençur t’i thotë këto, e jo më një besimtar!
  • Ose Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka ditur se kjo gjë është e ligjëruar, mirëpo ia ka fshehur umetit të tij, e kjo është edhe më e shëmtuar se e para, sepse detyrimisht nënkupton se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ia ka fshehur umetit disa gjëra që Allahu ka zbritur, e kjo gjë është tradhëti e madhe që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është larg të fshehurit diçka që Allahu ia ka zbritur.

Aishja radijAllahu anhe ka thënë: “Po të ishte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që fsheh diçka prej asaj që Allahu i ka zbritur, atëherë do të fshihte thënien e Allahut të Lartësuar:

وَاتَّقِ اللَّهَ وَتُخْفِي فِي نَفْسِكَ مَا اللَّهُ مُبْدِيهِ وَتَخْشَى النَّاسَ وَاللَّهُ أَحَقُّ أَنْ تَخْشَاه

“Frikësoju Allahut!” Në të vërtetë, ti po fsheh në vetvete atë që Allahu do ta nxjerrë në shesh[3] dhe ti po u frikësohesh njerëzve, kur më e drejtë është t’i frikësohesh Allahut.”[4]

Në këtë mënyrë bie poshtë kremtimi i mevludit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem si dashuri dhe nderim të tij.

Çështja e dytë: që këto mevlude të kremtohen kot dhe për lojë. Dihet se prej gjërave më të shëmtuara është që njeriu të bëjë një vepër e cila duket se po nderohet Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me të, ndërkohë që është lojë dhe kot. Kjo gjë përmban përqeshje dhe tallje. Nëse është kot dhe lojë, si mund të merret për fe që të nderohet Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?!

Çështja e tretë: që të bëhet si rivalizim i të krishterëve në kremtimin që ata i bëjnë Isait, birit të Merjemes, alejhis-salatu ues-selam. Përngjasimi ynë me të krishterët në një çështje të tillë është haram, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush i përngjason një populli, atëherë ai është prej tyre!”

Më pas themi:

Me të vërtetë kremtimi i mevludit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk është bërë nga ana e sahabëve, radijAllahu anhum, as nga ana e pasuesve të tyre në të mirë, as nga pasuesi e tyre, mirëpo është bërë në shekullin e katërt hixhri. Ku janë Selefët e umetit lidhur me këtë çështje, vepruesi i së cilës e mendon se është prej fesë së Allahut?!

A mos e duan dhe e nderojnë më pak Pejgamberin e Allahut?!

A mos janë më të paditur se ne lidhur me nderimin dhe obligimet ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?! Apo çfarë?!

Çdo person që e bën këtë kremtim dhe pretendon se është nderues i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, vetëm se ka pretenduar se e nderon Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem më shumë dhe më tepër sesa Sahabët, Tabi’inët dhe pasuesit e Tabi’inëve!

S’ka dyshim se dashuria dhe nderimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem janë përmes pasimit të Sunetit të tij, sepse pasimi i Sunetit të tij është shenja më e fortë që tregon se njeriu e do dhe e nderon Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Kurse dalja para Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shpikja në fenë e tij e diçkaje që nuk është prej saj, kjo nuk tregon dashuri dhe nderim të plotë të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Ndoshta dikush mund të thotë: ne e bëjmë kremtimin vetëm si përkujtim.

Themi: subhanAllah! Po bëni një përkujtim për një gjë që nuk e ka ligjëruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, as e kanë bërë Sahabët radijAllahu anhum, megjithëse keni një përkujtim të vërtetuar me ixhma’ (unanimitet) të muslimanëve, e që është më madhështor dhe i vazhdueshëm.

Çdo musliman thotë në ezanin e pesë namazeve: dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahu dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij.

Çdo musliman thotë në namazin e tij: dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahu dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij.

Çdo musliman thotënë përfundim të abdesit: dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahu dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij.

Madje Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem përkujtohet në çdo adhurim që njeriu e bën, sepse kushtet e pranimit të adhurimit janë: përkushtimi (Ihlasi) dhe pasimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Nëse njeriu e kujton këtë gjë kur bën adhurimet, atëherë do të kujtojë patjetër se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është imami i tij në atë veprim. Kjo gjë është përkujtim.

Sidoqoftë, tek gjërat që i ka ligjëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij ka shenja të mjaftueshme të dashurisë dhe nderimit ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kundrejt shpikjeve në fe të njerëzve, të cilat nuk i ka ligjëruar Allahu dhe i Dërguari i Tij.

E lusim Allahun subhanehu ue teala që t’i japë sukses të gjithëve për tek e mira. Këto kremtime – siç kemi dëgjuar – përmbajnë ekstrem dhe teprim që mund ta nxjerrin njeriun nga feja. Në to ka përzierje mes burrave dhe grave, prej të cilave kihet frikë për ndonjë fitne apo prishje.

Allahu është Kujdestari për udhëzimin e umetit Islam dhe t’i japë sukses drejt gjërave të dobishme në fenë, dynjanë, krenarinë dhe nderin e tij, vërtet Allahu është Bujar dhe Fisnik.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Huxhurat: 1-2.

[2] El Fet’h: 8-9.

[3] D.m.th. urdhërin që mori nga Zoti për t’u martuar me gruan e Zejdit, pasi ky ta ndante atë, në mënyrë që muslimanët ta dinë se është e lejuar martesa me gruan e divorcuar të bijve të adoptuar. (shënim)

[4] El Ahzab: 37.