REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Histori dhe biografi

Mos u bëni ndihmësa të Shejtanit kundër vëllaut tuaj

Transmetohet për Umer ibën Hatabin -radiaAllahu anhu- se kur ndjeu mungesën e pranisë së një burri prej shamitëve, i cili më parë prezantonte tek ai, u thotë sahabeve:

“Si është Filani i biri i Filanit?” Ata thanë: “O prijës i besimtarëve, ka vazhduar të pijë verë dhe u bënë ditë që nuk e kemi parë.”

Atëherë Umeri thirri shkruesin e tij dhe i tha të shkruajë: “Nga Umeri i biri Hatabit tek Filani i biri Filanit, Selamun alejke dhe më pas:

Unë falenderoj Allahun tek ti, që përveç Tij nuk ka të adhuruar me të drejtë,

غَافِرِ الذَّنبِ وَقَابِلِ التَّوْبِ شَدِيدِ الْعِقَابِ ذِي الطَّوْلِ ۖ لَا إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ۖ إِلَيْهِ الْمَصِيرُ

“Mëkatfalësi, Pranuesi i pendimit, Ndëshkuesi i rreptë, Dhuruesi i Madh. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij dhe tek Ai është kthimi (i çdokujt).” Gafir 3.

Më pas i thotë shokëve të tij: “Lutjuni Allahut për vëllain tuaj, që t’i drejtohet Atij me zemër e Ai e ta bëjë të pendohet.”

Kur i erdhi letra e Umerit, e lexonte dhe e përsëriste me vete e thoshte: “Mëkatfalësi, Pranuesi i pendimit, Ndëshkuesi i rreptë.”

Më paralajmëroi prej ndëshkimit dhe më dha shpresë për faljen e Tij. Ashtu vazhdoi ta përsëriste atë duke qarë. Pas kësaj, u pendua e u përmirësua.

Kur i erdhi Umerit radiaAllahu anhu lajmi për të, u tha shokëve:

“Në këtë mënyrë veproni kur shikoni një vëlla tuajin që bën ndonjë rrëshqitje, orientojeni dhe luteni Allahun për të, në mënyrë që të pendohet dhe mos u bëni ndihmësat e Shejtanit kundra tij.”

 

Burimi: E solli Ibën Kethiri në tefsirin e tij, ajeti 3 surja Gafir.

Përktheu: Jusuf Kapidani