REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Komentim i ajetit: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!” – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

Allahu i Lartësuar ka thënë:

الم (1) أَحَسِبَ النَّاسُ أَنْ يُتْرَكُوا أَنْ يَقُولُوا آَمَنَّا وَهُمْ لَا يُفْتَنُونَ (2) وَلَقَدْ فَتَنَّا الَّذِينَ مِنْ قَبْلِهِمْ فَلَيَعْلَمَنَّ اللَّهُ الَّذِينَ صَدَقُوا وَلَيَعْلَمَنَّ الْكَاذِبِينَ (3

“Elif, Lam, Mim. Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?! Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.”[1]

Allahu i Lartësuar, lajmëron rreth urtësisë së Tij të plotë, ku prej urtësisë së Tij është fakti se çdo kush që thotë “jam besimtar” dhe pretendon besimin, nuk do të thotë se nuk do të sprovohet dhe testohet, apo nuk do të përballet më çështje që do ta shqetësojnë besimin dhe degët e besimit të tij. Po të ishte kështu çështja, nuk do të dallohej i sinqerti nga gënjeshtari, as ai që është në të vërtetë nga ai që është në të kotë. Mirëpo është prej ligjeve dhe rendit të Allahut tek njerëzit e mëparshëm dhe tek ky umet gjithashtu, se Ai i sprovon me rehati dhe telashe, veshtirësi dhe lehtësi, me gjëra të pëlqyera dhe të urryera, me pasuri dhe varfëri, e nganjëherë me humbjen kundër armiqëvë të tyre, apo me luftën që ia bëjnë armiqtë me fjalë, me vepra, e me të tjera sprova. Të gjitha këto sprova, ose janë sprova dyshimesh që kundërshtojnë Akiden (besimin), ose janë sprova epshesh që kundërshtojnë dëshirën e njeriut.

Ai që është i qëndrueshëm dhe nuk lëkundet nga dyshimet, mirëpo i largon ato përmes të vërtetës që mban me vete, po ashtu i largohet epsheve që thërrasin drejt gjynaheve, apo që të largojnë nga urdhërat e Allahut dhe Pejgamberit të Tij, vepron me rrjedhojat e besimit dhe e lufton epshin e tij, atëherë këto tregojnë për sinqeritetin dhe saktësinë e besimit që ka njeriu.

Ndërsa, ai që bie në pasiguri kur paraqiten dyshimet, e kur paraqiten epshet ato e tërheqin drejt gjynaheve apo i bëhen pengesë që të kryej obligimet, atëherë këto tregojnë për jo sinqeritetin dhe jo saktësinë e besimit që ka njeriu.

Njerëzit lidhur me këtë çështje ndahen në grada –numrin e të cilëve e di vetëm se Allahu –. Ka prej tyre që sprovohen më pak, e të tjerë më shumë. E lusim Allahun që të na forcojë me fjalë të qëndrueshme në këtë Dynja dhe në Ahiret. E lusim që t’i bëjë zemrat tona të qëndrueshme në Fenë e Tij. Sprovat dhe testimet janë sikurse veglat e farkëtarit, i cili përmes tyre largon të keqen nga e mira.

 

Burimi: Tejsirul Kerim er-Rahman fq. 734-735.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Ankebut: 1-3.