REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Grupacionet

Debati i Abdullah ibën Abbasit radijAllahu anhume me Havarixhët

Transmeton imam Ahmedi në librin “el Musned”, Hakimi në “el Mustedrak” dhe Bejhakiu në “el Kubra” me zinxhir transmetimi të saktë, siç e ka saktësuar imami dhe hafizi i hadithit Ibën Kethiri në “el Bidaje” dhe të tjerë.

Ebu Zumejl Simak elHanefij ka thënë: na ka treguar Abdullah ibën Abbasi radijAllahu anhume se ka thënë:

“Kur u shfaqën Haruritë, ata u mblodhën në një vend dhe numri i tyre ishte gjashtë mijë. Shkova tek Aliu dhe i thashë: “O prijës i besimtarëve, vonoje pak namazin e drekës, mbase shkoj tek ata njerëz dhe u flas!”

Aliu tha: “Vërtet frikësohem ndaj teje.”

Thashë: “Kurrësesi!”

Abdullah ibën Abbasi thotë: “Dola dhe u drejtova nga ata dhe u vesha me rrobat më të bukura të Jemenit.” Ebu Zumejli thotë: “Abdullah ibën Abbasi ka qenë i bukur dhe fytyrë ndritur.”

Abdullah ibën Abbasi thotë: “Shkova tek ata teksa ishin të tubuar në vendqendrimin e tyre dhe po bënin gjumin e drekës. I dhashë selam dhe ata thanë: “Mirësevjen o Ibën Abbas! Po ç’është kjo rrobë e bukur?!”

Abdullah ibën Abbasi thotë: “I thashë: për çfarë më qortoni?! Vërtet e kam parë Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me rrobat më të bukura, dhe ka zbritur ajeti:

قُلْ مَنْ حَرَّمَ زِينَةَ اللَّهِ الَّتِي أَخْرَجَ لِعِبَادِهِ وَالطَّيِّبَاتِ مِنَ الرِّزْقِ

“Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?”[1]

Thanë: “Ç’të ka sjellë?!”

Thashë: “Vij nga shokët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, që t’ju përcjell atë çfarë thonë dhe t’ju lajmëroj se çfarë thonë. Atyre u është zbritur Kurani, ata janë më të diturit rreth Shpalljes dhe mes tyre ka zbritur. Asnjëri prej tyre nuk është në mesin tuaj.”

Disa prej tyre thanë: “Mos diskutoni me Kurejshët, pasi Allahu thotë:

بَلْ هُمْ قَوْمٌ خَصِمُونَ

“Vërtet ata janë popull që debaton me të kotë.”[2]

Abdullah ibën Abbasi thotë: “Nuk kam parë njerëz që bëjnë adhurim më shumë se ata. Fytyrat e tyre ishin të lodhura nga pagjumësia. Duarve dhe gjunjëve të tyre u ishte trashur lëkura.”

Ata që ishin prezentë e miratuan dhe thanë: “Do t’i flasim dhe do të shikojmë çfarë thotë.”

Thashë: “Më tregoni për çfarë e qortoni djalin e xhaxhait dhe dhëndërrin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e për çfarë i qortoni muhaxhirët dhe ensarët?”

Thanë: Tre gjëra!”

Thashë: “E cilat janë ato?”

Thanë: “Njëra prej tyre, se i kanë marrë burrat për gjykatës për urdhërat e Allahut, ndërkohë që Allahu i Lartësuar thotë:

إِنِ الْحُكْمُ إِلَّا لِلَّهِ

“Vërtet gjykimi i takon vetëm Allahut.”[3] Ç’punë kanë burrat me gjykimin?!”

Thashë: “Kjo është njëra.”

Thanë: “Tjetra është se ka luftuar dhe nuk ka zënë rob dhe as ka marrë plaçka. Nëse ka luftuar ndaj mosbesimtarëve, atëherë e ka të lejuar t’i zërë për rob dhe t’i marrë plaçkat, e nëse janë besimtarë, atëherë nuk është i lejuar lutimi i tyre.”

Thashë: “U bënë dy. Cila është e treta?”

Thanë: “E ka fshirë veten nga të qenit prijës i besimtarëve, andaj është prijës i mosbesimtarëve.”

Thashë: “A keni tjetër veç këtyre?”

Thanë: “Kaq kemi.”

I thashë: “Çfarë mendoni nëse ju lexoj nga Libri i Allahut dhe Suneti i Pejgamberit të Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem atë çfarë i hedh poshtë fjalët tuaja, a jeni të kënaqur?”

Thanë: “Po!”

Thashë: “Sa i përket fjalës suaj që i ka marrë burrat për gjykatës për urdhërat e Allahut, unë do t’ju lexoj juve [një ajet] që ia kthen gjykimin burrave për vlerën e një çerek dirhemi, për lepurin dhe për gjahun e ngjashëm me to. Allahu ka thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَقْتُلُوا الصَّيْدَ وَأَنتُمْ حُرُمٌ ۚ وَمَن قَتَلَهُ مِنكُم مُّتَعَمِّدًا فَجَزَاءٌ مِّثْلُ مَا قَتَلَ مِنَ النَّعَمِ يَحْكُمُ بِهِ ذَوَا عَدْلٍ مِّنكُمْ

“O ju të cilët keni besuar! Mos gjuani, duke qenë në Ihram!” Deri kur thotë: “Sipas gjykimit (dhe vlerësimit) të dy njerëzve të drejtë midis jush.”[4] Pashë Allahun, a është më i mirë gjykimi i burrave për një lepur dhe gjahun e ngjashëm me të, apo gjykimi i tyre për jetët dhe pajtimin mes njerëzve? Ju e dini mirë se po të donte Allahu, do të gjykonte Vetë dhe nuk do t’ia linte burrave.

Ndërsa për gruan dhe bashkëshortin e saj, Allahu azze ue xhel-le ka thënë:

وَإِنْ خِفْتُمْ شِقَاقَ بَيْنِهِمَا فَابْعَثُوا حَكَمًا مِّنْ أَهْلِهِ وَحَكَمًا مِّنْ أَهْلِهَا إِن يُرِيدَا إِصْلَاحًا يُوَفِّقِ اللَّهُ بَيْنَهُمَا

“Nëse i druheni ndarjes midis burrit e gruas, atëherë caktoni një gjykatës nga ana e burrit dhe një nga ana e gruas. Në qoftë se ata dëshirojnë pajtim, Allahu sjell marrëveshje midis tyre.”[5] Allahu e ka bërë gjykimin e burrave një traditë të sigurtë.

A përfundova me këtë?”

Thanë: “Po!”

Tha: “Sa i përket thënies suaj: “Ka luftuar dhe nuk ka marrë robër e as nuk ka marrë plaçkë lufte.” A doni të merrni për robëreshë nënën tuaj Aishen dhe të lejoni atë çfarë lejohet me (gratë) e tjera?! Nëse do ta bënit, atëherë do të dilnit nga feja, pasi ajo është nëna juaj, e nëse thoni që nuk është nëna jonë, atëherë do të dilnit nga feja, pasi Allahu i Lartësuar thotë:

النَّبِيُّ أَوْلَىٰ بِالْمُؤْمِنِينَ مِنْ أَنفُسِهِمْ ۖ وَأَزْوَاجُهُ أُمَّهَاتُهُمْ

“Pejgamberi është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre.”[6] Andaj ju po silleni rreth dy devijimeve; cilindo të zgjidhni keni zgjedhur një devijim.

Ata filluan të shikojnë njëri-tjetrin, më pas shtova: A përfundova me këtë?”

Thanë: “Po!”

“Sa i përket thënies suaj se e ka fshirë emërtimi si  prijës i besimtarëve, atëherë unë do t’ju sjell atë me të cilin jeni të kënaqur dhe do t’ju tregoj (për të). Ju e keni dëgjuar se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka bërë marrëveshje në Ditën e Hudejbijes me Suhejl ibën Amrin dhe Ebu Sufjan ibën Harbin. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka thënë prijësit të besimtarëve: “Shkruaj o Ali: kjo është marrëveshja mes Muhamedit, Pejgamberit të Allahut.” Idhujtarët thanë: “Jo, pasha Allahun! Ne nuk të njohim ty për Pejgamber. Po të njihnim ty për Pejgamber, atëherë nuk do të luftonim.”

Atëherë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “O Allah, vërtet Ti e di që unë jam Pejgamberi Yt. Shkruaj o Ali: kjo është marrëveshja mes Muhamedit, birit të Abdullahut.”

Pasha Allahun, Pejgamberi është më i mirë se sa Aliu dhe, kjo gjë nuk e nxorri (Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nga pejgamberia, kur ai e fshiu emrin e tij.”

Abdullah ibën Abbasi thotë: “Dy mijë prej tyre u kthyen, ndërsa të tjerët u vranë në humbje.”

Përfundoi hadithi dhe debati, apo përfundoi teksti i tij, i cili është i Hakimit dhe e ka saktësuar.

 

Burimi: nga ligjërata “Uakafetun ma’a munadharati Ibni Abbasin lil Khauarixh” i shejh Abdullah el Buhari.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Earaf: 32.

[2] Ez-Zukhruf: 58.

[3] El En’am: 57.

[4] El Maideh: 95.

[5] En-Nisa’: 35.

[6] El Ahzab: 6.