REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Komentim i ajetit: “Dhe Shejtani do të thotë, kur të marrë fund puna: “Vërtet Allahu ju bëri një premtim të vërtetë…” – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَقَالَ الشَّيْطَانُ لَمَّا قُضِيَ الْأَمْرُ إِنَّ اللَّهَ وَعَدَكُمْ وَعْدَ الْحَقِّ وَوَعَدتُّكُمْ فَأَخْلَفْتُكُمْ ۖ وَمَا كَانَ لِيَ عَلَيْكُم مِّن سُلْطَانٍ إِلَّا أَن دَعَوْتُكُمْ فَاسْتَجَبْتُمْ لِي ۖ فَلَا تَلُومُونِي وَلُومُوا أَنفُسَكُم ۖ مَّا أَنَا بِمُصْرِخِكُمْ وَمَا أَنتُم بِمُصْرِخِيَّ ۖ إِنِّي كَفَرْتُ بِمَا أَشْرَكْتُمُونِ مِن قَبْلُ ۗ إِنَّ الظَّالِمِينَ لَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ (22

“Dhe Shejtani do të thotë, kur të marrë fund puna: “Vërtet Allahu ju bëri një premtim të vërtetë. Edhe unë ju premtova, por ju mashtrova. Unë nuk kam patur kurrfarë pushteti mbi ju. Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët. Prandaj, mos më qortoni mua, por qortoni veten! Unë nuk jam shpëtimtari juaj e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi. Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim).” Vërtet, të padrejtit do të kenë një dënim të dhembshëm.”[1]

D.m.th. “Dhe Shejtani do të thotë” i cili është shkaku i çdo të keqeje që ndodh dhe ka ndodhur në botë, duke i folur banorëve të Zjarrit dhe duke hequr dorë prej tyre, “kur të marrë fund puna” dhe banorët e Xhenetit të hyjnë në Xhenet, ndërsa banorët e Zjarrit të hyjnë në Zjarr. “Vërtet Allahu ju bëri një premtim të vërtetë” përmes gjuhëve të pejgamberëve të Tij, mirëpo nuk iu bindët Atij, e po t’i ishit bindur Allahut do të arrinit fitoren e madhe, “edhe unë ju premtova” të mirën “por ju mashtrova”, d.mt.h. nuk arritët dhe nuk do të arrini shpresat e kota që iu pata dhënë.

“Unë nuk kam patur kurrfarë pushteti mbi ju”, d.m.th. nuk kam patur argument që e ndihmonte (përkrahte) fjalën time. “Unë thjesht ju thirra e ju m’u përgjigjët”, d.m.th. ky është maksimumi i asaj që kam, unë ju thirra drejt qëllimit tim dhe jua zbukurova atë për ju, ndërsa ju m’u përgjigjët duke ndjekur ëndjet dhe epshet tuaja, prandaj nëse gjendja është e tillë “mos më qortoni mua, por qortoni veten!”. Ju jeni shkaku dhe ju do të ndëshkoheni, “unë nuk jam shpëtimtari juaj” d.m.th. nuk jam shpëtimtari juaj nga kjo gjë e rëndë në të cilën jeni “e as ju nuk jeni shpëtimtarët e mi”, secili ka pjesë në ndëshkim.

“Unë tani e mohoj që më bëtë ortak me Allahun (në adhurim)”, d.m.th. unë heq dorë që më bëtë ortak me Allahun në adhurim, unë nuk jam orkat i Allahut dhe nuk është për detyrë bindja ndaj meje. “Vërtet, të padrejtit” ndaj vetes së tyre duke iu bindur Shejtanit “do të kenë një dënim të dhembshëm” duke qëndruar përgjithmonë në të.

 

Burimi: Tejsirul Kerim er-Rahman

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Ibrahim: 22.