REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Çfarë veprohet kur harron larjen e një gjymtyre të abdesit? – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: nëse një person merr abdes dhe harron të lajë një prej gjymtyrëve, çfarë gjykimi ka kjo gjë?

Përgjigjja: nëse një person merr abdes dhe harron të lajë një prej gjymtyrëve, nëse i kujtohet (gjymtyra e palarë) në mënyrë të shpejtë, atëherë e lanë gjymtyrën që ka harruar pastaj gjymtyrët që vijnë pas saj.

Për shembull: një person merr abdes dhe harron të lajë krahun e tij të majtë; e lau krahun e djathtë, pastaj i ra mes’h kokës dhe veshëve, më pas lau këmbët. Pasi mbaroi larjen e këmbëve, i kujtohet se nuk ka larë krahun e majtë.

I themi atij: laje krahun e majtë, bjeri mes’h kokës e veshëve dhe laji këmbët.

E kemi bërë uaxhib përsëritjen e mes’hit mbi kokë e veshë dhe larjen e këmbëve, për shkak të rradhitjes, sepse abdesi duhet të jetë i rradhitur siç e ka rradhitur Allahu subhanehu ue teala. Ka thënë:

فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ ۚ

Lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje.”[1]

Nëse i kujtohet vetëm pas një kohe të gjatë, atëherë ai e përsërit abdesin nga fillimi.

Për shembull: një person merr abdes dhe harron të lajë krahun e majtë dhe e përfundon marrjen e abdesit. Pas kësaj, kalon një kohë e gjatë dhe i kujtohet se nuk ka larë krahun e majtë. Ky person duhet të përsërisë abdesin nga fillimi, sepse ka humbur vijueshmëria në larjen e gjymtyrëve gjatë abdesit, dhe vijueshmëria është kusht për saktësinë e abdesit.

Mirëpo, duhet të dihet se nëse është në dyshim, d.m.th. pasi personi ka marrë abdes dyshon a e ka larë krahun e majtë apo të djathtë, apo dyshon nëse ka larë hundën apo gojën, në këtë rast nuk i jep rëndësi dyshimit, por vazhdon të falet pa problem.

Kjo, për arsye se pas kryerjes së adhurimeve, dyshimi nuk merret në konsideratë (nuk merret parasysh). Nëse ne i marrim në konsideratë dyshimet, atëherë njerëzve do t’i hapnim portën e vesveseve dhe çdo njeri do të dyshonte rreth adhurimit të tij.

Prej mëshirës së Allahut azze ue xhel-le, është se dyshimi pas kryerjes së adhurimit, nuk merret në konsideratë dhe nuk i kushtohet rëndësi, përveç rastit kur jemi të sigurtë për mangësinë, në këtë rast duhet korigjuar. Allahu është më i Dituri.

 

Burimi: Mexhmu’u fetaua ue rasail vll.11, kapitulli obligimet dhe forma abdesit.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Maideh: 6.