REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Komentim i ajetit: “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, e Allahu do t’ju dojë” – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

Allahu i Lartësuar ka thënë:

قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ فَاتَّبِعُونِي يُحْبِبْكُمُ اللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ

“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, e Allahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.”[1]

Ky ajet përmban obligueshmërinë e dashurisë së Allahut, përmban shenjat e kësaj dashurie, pasojat dhe frytet. Thotë:

قُلْ إِنْ كُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللَّهَ

“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun”, d.m.th. nëse ju e pretendoni këtë gradë të lartë, dhe nëse pretendoni gradën që nuk ka gradë mbi të, atëherë nuk mjafton thjeshtë pretendimi, por duhet të jesh i sinqertë dhe besnik në pretendimin tënd. Shenjë e besnikërisë tënde, është pasimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në gjitha rastet, fjalët, veprat, në parimet dhe degëzimet e Fesë, në formë të dukshme apo të fshehtë. Kush e pason Pejgamberin, kjo tregon besnikërinë e tij në pretendimin se e do Allahun e Lartësuar. Allahu e do tillë person, ia fal gjynahet, e mëshiron dhe ia bën të gjitha veprat e qëlluara.

Ndërsa ai që nuk e pason Pejgamberin, ai nuk e do Allahun e Lartësuar, sepse dashuria e Allahut e bën të obligueshme dashurinë e Pejgamberit të Tij. Në momentin që mungon pasimi i Pejgameberit, kjo bëhet tregues për mungesën e dashurisë për Allahun dhe se ai është gënjështar nëse e pretendon dashurinë e Tij; edhe pse tek ky njeri gjendet dashuria për Allahun, mirëpo është e padobishme pa plotësuar kushtet e saja.

Me anë të këtij ajeti peshohen (vlerësohen) të gjithë krijesat. Aq sa e pasojnë (njerëzit) Pejgamberin, po aq është imani i tyre dhe dashuria që kanë për Allahun. Aq sa është mangësia në pasimin e Pejgamberit, po aq është edhe mangësia në iman dhe dashuri për Allahun.

 

Burimi: Tejsirul Kerim erRrahman fi tefsir kelamil Mennan

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Al Imran: 31