REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Ndikimi i dyshimit tek pastërtia – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja 79: shejh i nderuar! Gjithashtu lidhur me dyshimin tek pastërtia, çfarë është dyshimi tek pastërti dhe kur ka ndikim?

Përgjigjja: dyshimi tek pastëria është dy llojësh:

I pari: dyshon a është i pastër pasi është i sigurtë për hadethin.

I dyti: dyshon tek hadethi pasi është i sigurtë për pastërtinë.

Lidhur me të parin: dyshimi a është i pastër pasi është i sigurtë rreth hadethit, nëse njeriu dyshon a ka marrë apo jo abdes, është i bindur se e ka prishur abdes, mirëpo dyshon a ka marrë apo jo abdes, atëherë në këtë rast themi: bazohu tek origjina, e cila është se nuk ke marrë abdes, andaj duhet të marrësh abdes.

Shembull për këtë: në ezanin e drekës, një burrë dyshon a ka marrë apo jo abdes pasi e ka prishur abdesin paradite. D.m.th. e ka prishur abdesin në orën dhjetë dhe në ezanin e drekës dyshon; ka marrë apo jo abdes kur e ka prishur. Këtij i themi: bazohu tek origjina, e cila është se nuk ke marrë abdes, andaj duhet të marrësh abdes.

Lidhur me të dytin: dyshimi a ka prishur abdes pasi është i sigurtë se e ka marrë, atëherë themi: bazohu tek origjina dhe mos e konsidero veten se ke prishur abdesin.

Shembull për këtë: një burrë ka marrë abdes në orën dhjetë, e kur u bë koha e drekës dyshoi; e ka prishur apo jo abdesin. Këtij i themi: ti je me abdesin tënd dhe nuk detyrohesh të marrësh abdes, sepse në origjinë çdo gjë vazhdon të jetë siç ka qenë. Për këtë parim dëshmon fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për atë që ndjen diçka në barkun e tij dhe pati dyshime; ka dalë apo jo diçka prej tij? I ka thënë: “Mos të dalë nga xhamia pa dëgjuar zhurmë apo ndjejë erë.”[1]

Sa i përket dyshimit për veprim apo dyshimit lidhur me gjymtyrët e abdesit, si p.sh. të dyshojë njeriu a e ka larë ajo fytyrën gjatë abdesit, i ka larë apo jo duart apo të ngjashme, atëherë këtu kemi katër raste:

Rasti i parë: të jetë një supozim i thjeshtë që i ka ardhur në zemër; i ka larë apo jo duart, një supozim që nuk merret në konsideratë dhe nuk arrin gradën e dyshimit mes dy gjërave, por është thjeshtë supozim që i ka ardhur në zemër. Kësaj nuk i jepet rëndësi.

Rasti i dytë: kur ka dyshime të shpeshta dhe dyshon sa herë që merr abdes. Nëse tani po lan këmbët, ai dyshon a i ka rënë apo jo mes’h kokës? A i ka rënë mes’h apo jo veshëve? A i ka larë apo jo duart? Pra, ka dyshime të shpeshta. Edhe ky nuk i kushton rëndësi dyshimit.

Rasti i tretë: t’i vijë dyshimi pasi ka përfunduar abdesin. Kur përfundon abdesin e tij, i vjen dyshimi, i ka larë apo jo duart? I ka rënë mes’h kokës, i ka rënë mes’h veshëve? Edhe ky nuk i kushton rëndësi, përveç kur është i sigurtë se nuk e ka larë atë gjymtyrë që po dyshonte, andaj bazohet tek ajo që është i sigurtë.

Këto janë tre raste kur nuk i kushtohet rëndësi dyshimit. Rasti i parë: supozimi. Rasti i dytë: kur ka dyshime të shpeshta. Rasti i tretë: kur dyshon pas përfundimit të adhurimit, pra, pas përfundimit të abdesit.

Rasti i katërt: kur dyshimi është real, nuk është prej dyshimit të shpeshtë dhe kur ndodh para përfundimit të adhurimit. Në këtë rast duhet të bazohet tek e sigurta, që është mosbërja, pra nuk e ka larë atë gjymtyrë që po dyshon, andaj kthehet dhe e lanë atë dhe çfarë vjen pas tij. Shembull për këtë: ndërsa po i bie mes’h kokës, dyshon a e ka futur apo jo ujin në gojë dhe hundë, duke mos qenë njeri me dyshime të shpeshta, mirëpo është dyshim real dhe jo supozim. I themi që: kthehu dhe fute ujin në gojë e hundë, pastaj laji duart, më pas bjeri mes’h kokës. Ia bëjmë obligim larjen  e duarve megjithëse i ka larë një herë, për shkak të renditjes, ngase renditja e gjymtyrëve të abdesit është obligim (uaxhib), ashtu siç i ka përmendur Allahu i Lartësuar gjymtyrët të renditura. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kur u drejtua nga Safaja, tha: “Po filloj me atë që ka filluar Allahu!”[2] Kështu është rasti kur dyshon në pastërti.

 

Burimi: Fik’hul ibadat.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Transmeton Buhariu, kitabul vudui, babu la juteuaddau minesh-shekki hatte jestejkin, nr. 137, Muslimi, kitabul hajdi, babu ed-delilu ala enne men tejekkane et-taharate thumme shekke fil hadeth, nr. 361.

[2] Transmeton Muslimi, kitabul haxh, babu haxhetin-nebiji sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr. 1218. Hadithi është pjesë e hadithit madhështor të Xhabirit, ku përshkruhet haxhi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.