REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Gjërat që marrin gjykimin e papastërtisë dhe domethënia e tyre – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja 80: shejh i nderuar! Cilat janë ato gjëra që marrin gjykimin e papastërtisë në aspektin e domethënies dhe llojeve?

Përgjigjja: gjërat që marrin gjykimin e papastërtisë, janë gjërat e pastra mbi të cilat ka rënë diçka e papastër. Këto duhet t’i lajmë, ose duhet t’i pastrojmë nëse kjo gjë kërkohet. Mënyra e pastrimit të tyre, apo pastrimit të vendit ku ka rënë papastërtia, ndryshon në varësi se ku ka rënë. Nëse papastërtia është mbi tokë, atëherë mjafton që t’i hidhet ujë sipër, pasi të jetë hequr lënda nëse ajo është e papastër. Kjo, sepse kur një burrë pat urinuar në qoshe të xhamisë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka thënë sahabëve: “Lëreni dhe hidhni mbi urinën e tij një kovë me ujë.”[1] Nëse papastërtia është mbi tokë, fillimisht heqim lëndën e papastër, pastaj i hedhim një herë të vetme një kovë ujë, e kjo mjafton.

Së dyti: nëse papastërtia nuk është mbi tokë, që janë jargët e qenit, atëherë objekti duhet pastruar duke e larë shtatë herë; njëra të jetë me dhè. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse jargët e qenit bien në enën e ndonjërit praj jush, atëherë le ta lajë shtatë herë; njëra të jetë me dhè.”[2]

Së treti: nëse papastërtia nuk është mbi tokë dhe nuk janë jargë qeni, atëherë mendimi më i saktë është se objekti pastrohet kur papastërtia të largohet me çfarë do menyrë; qoftë pas larjes së parë, apo të dytë, të tretë, të katërt, të pestë, e rëndësishme është se kur lënda e papastër të largohet, atëherë objekti pastrohet. Mirëpo, nëse papastërtia është urina e djalit të vogël që akoma nuk ushqehet me ushqim, mjafton që vendi ku ka rëndë papastërtia të spërkatet me ujë, e nuk ka nevojë për larje dhe fërkim. Kjo, ngase urina e djalit të vogël që akoma nuk ushqehet me ushqim është papastëri e lehtë.

 

Burimi: Fik’hul ibadat.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Transmeton Buhariu, kitabul vudu, babu sabbil mai alal beuli fil mesxhid, nr. 220.

[2] Muttefekun alejhi, përveç fjalës së tij: “Njëra të jetë me dhè.” Transmeton Buhariu me nr. 172, kitabul vudu, babu idhe sheribel kelbu fi inai ehadikum, me tekst: “Nëse qeni pin në enën e ndonjërit prej jush, atëherë le ta lajë shtatë herë.” E transmeton Muslimi, kitabu et-taharati, babu hukmu vulugil kelb, nr. 279 dhe në të është shtesa: “Hera e parë të jetë me dhè.”