REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

KëshillaKohët me vlerë

Vlera e dhjetë ditëve të Dhul Hixhes – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: pas disa ditësh do të presim dhjetë ditëshin e Dhul Hixhes, andaj çfarë këshille i drejtoni të gjithëve për shfytëzimin e tyre? Shpresoj të sqaroni vlerën e tyre dhe veprat që ligjërohen në to.

Përgjigjja: dhjetë ditët e Dhul Hixhes fillojnë me hyrjen e muajit Dhul Hixheh dhe përfundojnë me ditën e Kurban Bajramit. Për veprat gjatë tyre, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

“S’ka vepra të devotshme më të dashura tek Allahu, sesa ato që bëhen gjatë këtyre ditëve.” Thanë: “As xhihadi në rrugë të Allahut?!” Tha: “As xhihadi në rrugë të Allahut, përveç atij burri që del me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asgjë.”

Bazuar mbi këtë, unë i nxis vëllezërit e mi muslimanë që të shfrytëzojnë këtë rast madhështor dhe t’i shtojnë veprat e devotshme gjatë dhjetë ditëshit të Dhul Hixhes; sikur leximi i Kuranit, dhikri me llojet e tij si Tehlili (la ilahe il-lAllah), Tahmidi (elhamdulilah), Tesbihu (subhanAllah), sadakaja dhe agjërimi.

Përpiqu në të gjitha llojet e veprave të devotshme.

Është çudi sesi njerëzit janë të hutuar ndaj këtyre dhjetë ditëve!

I shikon sesi përpiqen për të punuar gjatë dhjetë ditëshit të fundit të Ramazanit, mirëpo gjatë dhjetë ditëshit të Dhul Hixhes, thuajse nuk shikon njeri që të bëjë dallim mes tyre dhe ditëve të tjera. Njeriu që punon vepra të devotshme gjatë këtyre dhjetë ditëve, ai ka ringjallur orientimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për të bërë vepra të devotshme.

Nëse hyjnë këto dhjetë ditë dhe njeriu dëshiron të bëjë kurban, atëherë ai nuk duhet të heqë diçka prej qimeve, thonjve apo lëkurës së tij. Nëse dëshiron të bëjë kurban, nuk duhet të heqë asnjërën prej këtyre, ndërsa atij që ia bëjnë kurbanin të tjerët për të, atëherë për të s’ka problem.

Bazuar mbi këtë, nëse njeriu dëshiron të bëjë një kurban për veten dhe familjen e tij siç është Suneti, atëherë familjarët nuk e kanë për detyrë mos heqjen e qimeve, thonjëve dhe lëkurës, mirëpo kjo është detyrë e atij që do ta bëjë kurbanin, i cili është babai.

Shprehja që dëgjoni se “është e ndaluar për atë që bën kurbanin dhe për atë që ia bëjnë të tjerët”, kjo është fjalë e disa dijetarëve. Ndërsa në hadith, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse dëshiron ndonjëri prej jush të bëjë kurban, atëherë mos të heqë diçka prej qimeve, lëkurës apo thonjëve të tij.” Këto fjalë ia ka drejtuar atij që dëshiron të bëjë kurbanin.

Mirëpo, nëse dikush thotë: “Nëse ai që dëshiron të bëjë kurban udhëton për në haxh, ai do të kryej umren dhe do të qethë flokët, kurse familjarët i ka porositur që të bëjnë kurban”?

Themi: kjo nuk bën dëm, sepse qethja për umre është një rit që duhet bërë patjetër, po ashtu edhe qethja apo rruarja në haxh s’ka problem, edhe po mos ta dijë a e kanë bërë kurbanin apo jo familjarët e tij.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani