REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Komentimi i ajetetit: “O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar.” – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

Allahu thotë në Kuranin fisnik:

(ياأيها الإنسان ما غرك بربك الكريم)

“O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar.” A ndodh kjo nga pakujdesia yte ndaj detyrimeve të Allahut?! Apo nga nënvlerësimi i dënimit Tij? Apo se nuk beson në shpërblimin e Ditës së Gjykimit?

A nuk është Ai:

(الذي خلقك فسواك فعدلك)

“…i Cili të krijoi ty, të dha përmasa…” sipas formës më të përsosur, “dhe formë të bukur”, pra të formoi në formën më të mirë dhe të bukur, në pamjen më të hijshme.

A të shkon që ta mohosh mirësinë e Mirëbërësit apo ta mohosh bamirësinë e Dhuruesit të mirave, Allahut?!

Kjo ndodh vetëm se nga injoranca yte, nga padrejtësia dhe kundërshtimi me kokëfortësi. Falenderoje Allahun që s’të ka bërë në formën e gomarit, të qenit apo të një kafshe tjetër.

Andaj, Allahu i Lartësuar ka thënë:

(في أي صورة ما شاء ركبك)

“Dhe, që të ka formuar në çfarëdo forme që ka dashur.” dhe po ashtu ka thënë:

(كلا بل تكذبون بالدين)

“Por jo! Ju e quani të gënjeshtërt Gjykimin (pas ringjalljes).” Me këtë këshillim dhe përkujtim, ju përsëri vazhdoni të jeni mosbesues në shpërblimin [sipas veprave në Ditën e Gjykimit].

 

Burimi: Tejsirul Kerim erRrahman fi tefsir kelamil Mennan (874), komentimi i ajeteve 6-9 të sures el Infitar.

Përktheu: Idris Manushi