REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AgjërimiFikh

Gjykimi atij që nuk ka mundur të agjërojë për shkak të sëmundjes – Shejh AbdulAziz ibën Baz

[mënyra si bëhet kompesimi i Ramazanit]

 

Pyetja: nuk mund ta agjëroj Ramazanin për shkak të sëmundjes që më është zgjatur dhe nuk i kam agjëruar disa ditë nga Ramazani i kaluar, andaj dëshiroj të di sa është masa e kompesimit për secilën ditë dhe a lejohet fetarish që të jap parà apo jo?

Përgjigjja: nëse është sëmundje që nuk shpresohet të ketë shërim sipas vlerësimit të mjekëve, atëherë mjafton që për çdo ditë të ushqesh nga një të varfër me gjysmë sa’a hurma, apo oriz, apo grurë, apo diçka tjetër prej ushqimeve bazë të vendit; dhe gjysmë sa’a është afërsisht një kile e gjysmë. Nuk bën që të japësh parà, mirëpo e ke për detyrë që të japësh ushqim, qoftë gjatë agjërimit apo pas agjërimit, po ashtu mjafton t’ia japësh një të varfri të vetëm, apo më shumë se njërit; qoftë gjatë agjërimit apo pas agjërimit.

E nëse ka shpresë për shërim nga sëmundja, atëherë e ke për detyrë që të kompesosh ditët [me agjërim] dhe nuk ka problem nëse kompesimi i ditëve vonohet deri kur të shërohesh, siç thotë Allahu i Lartësuar:

وَمَنْ كَانَ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ

“Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar.”[1] Allahu i Lartësuar e ka bërë obligim kompesimin, d.m.th. kompesimin me agjërimin të atyre ditëve dhe nuk ka urdhëruar që të bëhet kompesim me ushqim, mirëpo ka obliguar kompesimin me agjërim, d.m.th. të atyre ditëve që nuk i ka agjëruar i sëmuri apo udhëtari.

Përderisa ke shpresë për shërim dhe mjekët nuk kanë pohuar se sëmundja nuk ka shpresë për shërim, atëherë duhet të kompesosh me agjërim pasi të shërohesh, edhe nëse vonohet, edhe nëse është pas një viti, dy, apo tre, derisa të të shërojë Allahu. Pas kësaj, bën kompesimin e ditëve.

Nëse mjekët specialistë pohojnë se sëmundja është e pashërueshme dhe e vazhdueshme, atëherë të mjafton që të kompesosh me ushqim – lavdi Allahut – dhe nuk kompeson me agjërim.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani

______________________

[1] El Bekareh: 185.