REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AgjërimiFikh

Dobitë e agjërimit – Shejh Salih el Feuzan

Lavdi Allahut, Zotit të krijesave. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Muhamedin, vulën e pejgamberisë, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që ndjekin rrugën e tyre.

Në këtë mësim tonin, do të përmendim çfarë na mundësohet prej dobive të agjërimit, sepse agjërimi është prej adhurimeve më dobiprurëse dhe më ndikuese në “pastrimin” e shpirtrave dhe korigjimin e sjelljeve.

Agjërimi ka shumë dobi madhështore, ku prej tyre është: kultivimi i devotshmërisë në zemrat e njerëzve dhe parandalimi i gjymtyrëve nga rënia në harame. Allahu subhanehu ue teala thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

“O ju të cilët keni besuar! Ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç ka qënë edhe për popujt përpara jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm.”[1]

Në këtë ajet, Allahu subhanehu ue teala ka bërë të qartë se u ka ligjëruar agjërimin njerëzve, për t’ia bërë atyre të mundur arritjen e devotshmërisë. Devotshmëria është fjalë që përmbledh të gjitha vyirtytet e mira. Allahu subahnehu ue teala, i ka lidhur shumë të mira dhe fryte me devotshmërinë. Ai subhanehu ue teala e ka përmendur shumë herë devotshmërinë në Kuran, për rëndësinë që ka ajo. Dijetarët e kanë komentuar devotshmërinë se është: “Veprim i urdhëresave të Allahut dhe braktisje e ndalesave të Tij, duke shpresuar shpërblimin e Tij dhe duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij”.

Për thënien e Allahut:

لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ

“Në mënyrë që të bëheni të devotshëm”,[2] imam Kurtubiu Allahu e mëshiroftë, thotë: “Në mënyrë” kjo është shpresë për ta, dhe “që të bëheni të devotshëm” t’ju dobësohen forcat, sepse kur forcat dobësohen edhe epshet dobësohen, e kur epshet dobësohen edhe gjynahet pakësohen. Është thënë se ka edhe kuptimin: të mbroheni nga gjynahet në përgjithësi, siç ka thënë Pejgamberi alejhis-salatu ues-selam: “Agjërimi është mburojë”[3] dhe për devotshmëri, sepse  i “vdes” epshet.

Prej dobive të agjërimit është kalitja e njerëzve me durim dhe vetëpërmbajtje. Agjërimi bën që njeriu të braktisë atë që e pëlqen dhe të largohet nga epshet e tij me dëshirë. Ai i jep fuqi gjynahqarit që të braktisë dhe të largohet nga gjynahu. Agjërimi e edukon njeriun që të durojë (në mosbërjen e gjynahut) dhe bën që ta harrojë atë, derisa ta braktisë gjynahun përfundimisht. Për shembull: duhanpirësit që cilit i është “mbërthyer” duhani dhe e ka të vështirë ta lërë atë, e ka të mundur që me anë të agjërimit ta braktisë me lehtësi këtë ves të keq dhe këtë fëlliqësirë. Kështu është edhe gjynahet e tjera.

Prej dobive është se njeriu mund të fitojë mbi vetveten urdhëruese për keq, sepse vetvetja deri para iftarit përpiqet që njeriun dhe e shtyn për të bërë epshet e ndaluara. Mirëpo, agjërimi e bën njeriun që t’i marrë frerët në dorë të tij dhe ta shpjerë veten drejt së mirës.

Prej dobive të agjërimit është se e dobëson qarkullimin e shejtanit në trup. Shejtani qarkullon në trupin e njeriut siç qarkullon gjaku. Nëse njeriu ia lejon vetes veprimin e epsheve, kjo do ta ndihmojë shejtanin që ta humbë dhe ta dërgojë në veprimin e asaj që është edhe më keq, apo në vepra të tjera të shëmtuara. Agjërimi e mbyll këtë çështje nga zanafilla dhe largon e shejtanin.

Prej dobive të agjërimit është se njeriu përkujton mirësitë e Allahut. Nëse njeriu ndjen urinë dhe etjen, e kupton mirësinë e madhe të Allahut, i Cili ia ka mundësuar të ushqehet dhe të pijë kur ka nevojë, andaj njeriu e falenderon Allahun për këtë gjë.

Prej dobive të agjërimit është se e bën njeriun më shumë bamirës karshi të varfërve dhe nevojtarëve. Nëse agjëruesi e ndjen urinë, do të përkujtojë nevojat e të uriturve dhe nevojtarëve. Në këtë formë zemra e tij zbutet dhe bëhet i mëshirshëm ndaj tyre.

Gjithashtu, prej dobive të agjërimit është se ai bëhet shkak për bashkimin e muslimanëve dhe largimin e përçarjes. Kjo, ngase ata agjërojnë në të njëjtin muaj, e fillojnë dhe mbarojnë agjërimin së bashku; i pasuri, i varfri, pushtetari, masat e gjera, mashkulli dhe femra. Kjo bëhet shkak për bashkim dhe krijon mëshirë ndërmjet tyre.

Po ashtu, prej dobive të agjërimit është se ai lehtëson veprimin e veprave të mira. Kjo shikohet tek garimi i agjëruesve mes tyre për të bërë vepra të mira, të cilat ndoshta kanë përtuar ose i kanë patur të rënda t’i kryenin kur nuk kanë qenë në kohë agjërimi.

Prej dobive të agjërimit është se ai e zbut zemrën e njeriut për përkujtim të Allahut dhe parandalon gjërat që të bëjnë ta harrosh Atë.

Prej dobive të tij është se në zemrën e njeriut mund të lindë një dashuri për veprat e mira dhe një urrejtje për veprat e këqija në formë të vazhdueshme, e kjo të bëhet pikënisje për korigjimin e mendimeve dhe sjelljeve në jetën e përditshme.

Lavdi Allahut, Zotit të krijesave. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin Muhamed, familjen dhe shokët e tij.

 

Nga libri “It’haful iman bimexhelisi shehri ramadan” fq: 19-21.

Përktheu: Besmir Cacani

[1] El Bekare: 183.

[2] El Bekare: 183.

[3] Tirmidhiu ‘Kitabu ed-da’uat’ 3519 dhe Ibën Maxheh ‘Kitabus-sijam’ 1745.