REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Çfarë e zëvendëson origjinën në pastrim – Shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin

Pyetja 66: shejh i nderuar, çfarë e zëvendëson këtë origjinë i cili është uji?

Përgjigjja: zëvendësuesi i kësaj origjine është dheu. Nëse është e pamundur që të përdoret uji për shkak se nuk ka, apo për shkak se mund të dëmtohesh nëse e përdor atë, atëherë kalon në përdorimin e dheut, d.m.th. kalon tek Tejemumi duke goditur tokën me duar, pastaj fshin fytyrën me to dhe pastaj i fshin duart me njëra-tjetrën. Mirëpo, kjo është e veçantë për pastrimin nga hadethi. Ndërsa për pastrimin nga ndyrësitë nuk ka Tejemum, qoftë (për ndyrësitë) mbi trup, mbi rrobë, apo mbi një vend, sepse qëllimi i pastrimit të ndyrësirës është largimi i objektit të ndyrë, nuk është kusht kryerja e një adhurimi. Andaj, nëse objekti i ndyrë largohet nga njeriu pa qëllim, atëherë ai vend bëhet i pastër. Nëse largohet ndyrësira prej shiut që ka rënë, atëherë vendi është pastruar, edhe pse njeriu nuk ka njohuri për këtë gjë. E kundërta ndodh me pastrimin nga hadethi, pasi ai është adhurim me të cilin njeriu afrohet për tek Allahu azze ue xhel-le, andaj patjetër duhet të kihet qëllim.

 

Pyetja 67: shejh i nderuar, pra nëse njeriu ka ndonjë papastërti dhe nuk mund ta largojë, a mos të marrë Tejemum për të?

Përgjigjja: po, nëse njeriu ka ndonjë papastërti dhe nuk mund ta heqë, atëherë falet ashtu siç është, mirëpo mundohet sa të ketë mundësi që ta pakësojë atë duke e kruar apo diçka të ngjashme. Nëse për shembull papastërtia është mbi një rrobë që mund ta heqë dhe të veshë një tjetër, atëherë ai duhet ta heqë dhe që veshë tjetrën.

 

Burimi: Fik’hul ibadat fq. 115-116.

Përktheu: Besmir Cacani