Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
تَبَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَبَّ (1) مَا أَغْنَىٰ عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَبَ (2) سَيَصْلَىٰ نَارًا ذَاتَ لَهَبٍ (3) وَامْرَأَتُهُ حَمَّالَةَ الْحَطَبِ (4) فِي جِيدِهَا حَبْلٌ مِّن مَّسَدٍ (5)
“U shkatërruan duart e Ebu Lehebit dhe ai u shkatërrua! Pasuria e tij nuk i bëri asnjë dobi, as ajo që kishte fituar. Ai do të digjet në një zjarr flakërues, po ashtu edhe gruaja e tij, bartësja e druve. Në qafën e saj do të ketë një litar prej fijesh të përdredhura.”
Ebu Lehebi ishte xhaxhai i të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe ishte tejet armiqësor ndaj tij, duke i shkaktuar vazhdimisht dëm dhe vuajtje. Ai nuk tregoi as besim (iman), as ndjenjë solidariteti për shkak të lidhjes farefisnore. Allahu e poshtëroftë!
Prandaj Allahu e dënoi me këtë qortim të rëndë, i cili do të mbetet turpërim për të deri në Ditën e Kiametit, duke thënë:
تَبَّتْ يَدَا أَبِي لَهَبٍ وَتَبَّ
“U shkatërruan duart e Ebu Lehebit”, domethënë: duart e tij humbën dhe ai u bë i mjerë; “dhe ai u shkatërrua”, pra nuk pati asnjë fitim dhe nuk arriti asnjë sukses.
مَا أَغْنَىٰ عَنْهُ مَالُهُ وَمَا كَسَبَ
“Pasuria e tij nuk i bëri asnjë dobi”, pasuria që zotëronte dhe që e kishte bërë arrogant, “as ajo që kishte fituar”. As pasuria e tij, as ajo që kishte grumbulluar e fituar, nuk mundën ta mbronin nga asgjë prej dënimit të Allahut kur ai e goditi.
سَيَصْلَىٰ نَارًا ذَاتَ لَهَبٍ
“Ai do të digjet në një zjarr flakërues”, domethënë zjarri do ta rrethojë nga çdo anë.
وَامْرَأَتُهُ حَمَّالَةَ الْحَطَبِ
“Po ashtu edhe gruaja e tij, bartësja e druve”. Edhe ajo i shkaktonte shumë dëm të Dërguarit të Allahut ﷺ. Ajo dhe bashkëshorti i saj bashkëpunonin në mëkat dhe armiqësi, përhapnin të keqen dhe përpiqeshin me të gjitha mundësitë e tyre për t’i shkaktuar dëm të Dërguarit të Allahut ﷺ.
Ajo grumbullonte mbi vete mëkate, njësoj si dikush që mbledh dru për t’i bartur; prandaj përshkruhet si “bartësja e druve”. Në qafën e saj ishte përgatitur një litar “prej masadi”, domethënë prej fijesh palme të përdredhura.
Ose kuptimi është se ajo do të bartë dru në Zjarr për t’ia shtuar dënimin bashkëshortit të saj, ndërsa në qafë do të ketë një litar prej fijesh të përdredhura. Sido që të jetë interpretimi, kjo sure përmban një argument të qartë dhe madhështor ndër argumentet e Allahut.
Allahu e shpalli këtë sure në një kohë kur Ebu Lehebi dhe gruaja e tij ende nuk kishin vdekur, dhe njoftoi se ata do të dënoheshin në Zjarr, pa dyshim. Kjo nënkuptonte domosdoshmërisht se ata nuk do të përqafonin Islamin. Dhe ashtu ndodhi pikërisht siç e kishte njoftuar Allahu, Njohësi i së fshehtës dhe i së dukshmes.
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani