REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Fikh • Namazi

Gjykimi kur namazliu dyshon për numrin e rekateve – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: kur imami dyshon në namazin me 4 rekate, a e fali me 3 apo me 4 rekate, dhe jep selam, pas namazit e lajmërojnë se ke falur 3 rekate, në këtë rast imami a merr tekbirin fillestar për rekatin e katërt, apo ngrihet dhe fillon direkt duke lexuar suren el-Fatiha pa tekbir? Dhe ku e bëjmë sehvi sexhden para apo pas selamit?

Përgjigja: kur imamit apo atij që falet vetëm, i hyjnë dyshimet kur është namaz me 4 rekate, fali 3 apo 4 rekate, duhet që t’a ndërtojë tek më e sigurta, që është më e pakta, 3 rekate. Ai plotëson të katërtin dhe bën sehvi sexhde para selamit, siç është vërtetuar kjo nga hadithi që e transmeton Ebi Se’id el Khudrij, nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue Sel-lem, se ka thënë: “Kur dikush dyshon në namazin e tij, nuk e di a fali 3 apo 4 rekate, le t’a largojë dyshimin dhe le të ecë me të sigurtën, pastaj le të bëjë sehvi sexhde para se të japë selam. Nëse ka falur 5 rekate i bëhet atij ndërmjetësim, e nëse i ka falur tamam, atëherë kjo do të jetë rëndesë për shejtanin.” Sahih Muslim nr. 11356.

E nëse jep selam dhe e kujtojnë se ka falur 3 rekate, ai ngrihet direkt pa dhënë tekbir, me nijet për namaz, dhe plotëson rekatin e katërt, ulet për të bërë teshehudin, dhe lexon salavatet pastaj lutjet dhe jep selamin, pastaj bën sehvi sexhde dhe jep selam përsëri.

Kjo është më e mira për çdo kënd që jep selam, duke lënë mangut në namazin e tij me harresë, siç ka ardhur nga Pejgamberi, sal-lAllahu alejhi ue Sel-lem, se dha selam mbas 2 rekateve kur namazi ishte ose i drekës ose i ikindisë, e njoftoi sahabi i quajtur Dhul Jedejn, dhe kështu u ngrit dhe e plotësoi namazin, dha selam pastaj bëri sehvi sexhde dhe dha selam përsëri. Gjithashtu ka ardhur se i Dërguari, sal-lAllahu alejhi ue Sel-lem, dha selam mbas tre rekateve në namazin e ikindisë, kur e kujtuan për këtë, e plotësoi rekatin e katërt, dha selam pastaj bëri sehvi sexhde dhe dha selam.

 

Burimi: Mexhmu’ul fetaua ue makalat (11/251).

Përktheu: Idris Manushi