REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

KëshillaRuajtja nga gjynahet

Çfarë gjykimi ka kur mendon të bësh gjynahe? – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: çfarë gjykimi ka kur mendon të bësh gjëra të ndaluara, si p.sh. të mendojë njeriu vjedhjen, apo të bëjë zina, duke e ditur se nuk ka për t’i bërë edhe po t’i jepet mundësia?

Përgjigjja: mendimet që i kalojnë në mend njeriut, si p.sh. të mendojë për zina, apo vjedhje, apo konsumimin e alkolit, apo gjëra të ngjashme të cilat pastaj nuk i bën, këto janë të falura dhe nuk merr gjynah njeriu, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet Allahu ia ka falë umetit tim atë çfarë e thotë me vete, përderisa nuk e vepron apo e flet.” Buhariu dhe Muslimi kanë rënë në pajtim për saktësinë e hadithit.

Po ashtu, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush vendos të bëjë një të keqe dhe pastaj nuk e bën, ajo nuk do t’i shkruhet”, ndërsa në një transmetim tjetër thotë: “Do t’i shkruhet vepër e mirë sepse e ka lënë për Mua (për hir të Allahut).” Buhariu dhe Muslimi kanë rënë në pajtim për saktësinë e hadithit të transmetuar nga Ibën Abasi radijAllahu anhume.

Kjo do të thotë se, kush vendos për të bërë një të keqe dhe e lë për hir të Allahut pa bërë, Allahu ia shkruan për vepër të mirë. E nëse e lë pa e bërë të keqen për shkaqe të tjera, atëherë as nuk i shkruhet vepër e keqe dhe as vepër e mirë.

Kjo është prej mirësisë së Allahut të Lartësuar dhe mëshirës së Tij ndaj robërve, andaj për të është lavdia dhe falenderimi. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij dhe nuk ka Zot tjetër përveç Tij.

 

Burimi: Mexhmu’ fetaua ue makalat 5/424.

Përktheu: Besmir Cacani