REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Histori dhe biografi

Jeta dhe thirrja e imam Muhamed ibën AbdulUehhab – Shejh Muhamed Eman el Xhami

Lavdi Allahut, Atë e lavdërojmë dhe prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e vetvetes dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon nuk ka se kush e humbë, ndërsa atë që Allahu e humbë, nuk ka kush ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e të pashoq dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të, familjen dhe gjithë shokët e tij. Më pas:

Ky libër është i vogël nga madhësia, mirëpo i madh nga dobia. Ai përfshin çështjet e para që duhet të dijë çdo musliman dhe muslimane, që janë ‘Tre parimet”.

Autori i këtij libri është imami Muhamed ibën AbdulUehhab ibën Sulejman et-Temimi, që ka lindur vitin 1115 hixhri dhe ka ndërruar jetë vitin 1206 hixhri. Ky imam e ka përtëritur thirrjen selefije në shekullin e dymbëdhjetë. Jetën e tij e ka nisur duke mësuar tek babai i tij, me të cilin ka mësuar një pjesë të medhhebit të imam Ahmedit, një pjesë nga dituria e hadithit, e më pas, në rininë e tij ka qëndruar duke studiuar librat e dy dijetarëve të mëdhenj të mirënjohur: imam Ahmed ibën Tejmijen dhe nxënësit të tij, Ibën Kajimit. Imam Muhamed ibën AbdulUehhabi konsiderohet si nxënës i formuar nga librat e Ibën Tejmijes dhe Ibën Kajimit. Kush vështron metodën e tij, veçanërisht metodën e shkresave që shkruante për të sqaruar qëndrimin e tij ndaj katër medhhebeve, besimin e tij lidhur me emrat dhe cilësitë e Allahut dhe qëndrimin e tij ndaj sahabëve kur armiqtë u munduan t’ia prishnin imazhin, se gjoja armiqësonte sahabët dhe katër imamët, ai shkroi disa shkresa për këtë gjë; kush mediton shkresat dhe vështron metodën e tij, do të kuptojë sa është ndikuar me metodën e dy imamëve të parapërmendur.

Në atë kohë, gjendja e krahinës së Nexhdit ishte sikur gjendja e shumë vendeve dhe krahinave lidhur me idhujtarinë, adhurimin e xhindëve, pemëve, gjykimin me kanunet që kundërshtonin atë me të cilën kishte ardhur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, andaj shejhu mori vendimin të bënte një rrugëtim diturie, ku e filloi me bërjen e haxhit e pastaj me vizitën e Medines. Ai e vizitoi xhaminë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i dha selam atij. Më pas, qëndroi në Medine për të kërkuar diturinë dhe gjatë kërkimit të dijes u përqëndrua tek dija e hadithit, ku studioi Sahihun e Buhariut, Katër Sunenet,[1] Musnedin e imam Shafiut dhe të tjerë libra të hadithit. Në atë kohë – në këtë xhami të bekuar – kishte dijetarë të mëdhenj prej imamëve të hadithit, si shejh Muhamed Hajat es-Sindij, shejh Abdullah ibën Ibrahim el Mexhma’ij, e të tjerë tek të cilët ka studiuar shejh Muhamed ibën AbulUehhabi. Atë e shqetësonte çfarë vepronin masa e gjerë e njerëzve tek varri i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, prej të cilit kërkonin shpëtim dhe ishin të lidhur me të. Ai diskutonte shumë me dijetarët e tij lidhur me këto vepra të injorancës të përhapura këtu-atje. Krahinat e Nexhdit dhe Hixhazit ishin të mbushura me injorancë, madje edhe shumë vende të gadishullit Arabik dhe ato jashta gadishullit. Shejhu ka patur zell të madh dhe të lartë. Dijetarët e tij e kuptuan se kishte zell, andaj e donin, e vlerësonin dhe respektonin shumë, megjithëse ishte i ri, e kjo për shkak të zgjuarsisë që panë tek ai, për rëndësinë që i jepte thirrjes dhe ndreqjes.

Ai qëndroi në Medine aq sa dëshiroi Allahu dhe para se të largohej prej saj, mori ixhazet në dijen e hadithit për librat e prezantuar tek dijetarët nga të cilët merrte dijen. Ai u kthye në Nexhd, më pas udhëtoi për në Basra. Në Basra qëndroi kohë të gjatë, ku u përqëndrua në studimin e degëve të gjuhës arabe, bashkë me angazhimin në thirrje me shokët dhe dijetarët e tij. Ai shkruante shkresa të vogla dhe ia shpërndante shokëve dhe njerëzve që kishte lidhje me ta, derisa u bë i njohur si thirrës. Me thirrjen e tij u ndikuan disa dijetarë dhe shokë të tij. Në kohën kur pushteti vendor mori vesh se po angazhohej me thirrje dhe përhapjen e shkresave mes shokëve dhe njerëzve, u dëbua. Ai u largua për në Zubejr duke ecur në këmbë, deri kur mbërriti në el Ihsa. Atje kërkoi diturinë në medhhebin Shafi tek disa dijetarë.

Pasi i shëtiti këto vende dhe arriti një sasi të konsiderueshme të dijes, pasi u njoh me gjendjen e shoqërisë Islame me shëtitjen që i bëri vendit të tij dhe atyre përreth, shejhu u kthye i vendosur për të thirrur tek Allahu. Thirrjen e nisi nga vendi tij Hurejmila, mirëpo u lëndua shumë, derisa u frikësua mos e vrisnin disa mendjelehtë. Kështu që u largua duke u ruajtur. Ky është Ligji i Allahut për thirrësit dhe ndreqësit, ata patjetër kërcënohen me vrasje, me burgosje apo lëndime të tjera. Ai u kërcënua me vrasje, andaj u largua për në Ujejne ku u prit nga valiu i saj, i cili e mirëpriti shejhun dhe thirrjen e tij. Shejhu i bëri thirrje, ia shpjegoi thirrjen e tij, se ajo nënkupton praktikimin e dispozitave të Sheriatit, korigjimin e Akides dhe se kjo gjë ka nevojë për durim. Valiu u përgatit për përkrahjen e shejhut dhe nisi me thirrjen në praktikë. Shejhu preu shumë prej pemëve që adhuroheshin veç Allahut, saqë u bë i njohur për këshillimin e shumtë që bënte, orientimin, nxitjen dhe frikësimin. Nga thirrja e tij u ndikua një grua e cila kishte bërë zina. Ajo shkoi tek shejhu dhe pranoi fajin para tij në mënyrë të përsëritur. Pasi vërtetoi se ishte e shëndoshë mendërisht dhe dëshironte të pastrohej, urdhëroi që të gurëzohet dhe u gurëzua.

Nga këtu fama e tij mori dhènë dhe lajmi i përhap në gjithë krahininën e Nexhdit, e cila qeverisej nga valinj të ndryshëm. Çdo zonë kishte valiun e saj dhe gjithë valinjtë e bojkotuan valiun e Ujejnes, derisa shejhu doli prej saj në drejtim të Dir’ijes. Aty u ndal tek një shtëpi e njohur e quajtur Al Suvejlim. Imam Muhamed ibën Su’udi mori vesh për ardhjen dhe vendondhjen e shejhut, kështu që mori me vete disa nga bijtë dhe miqtë e tij dhe u nis për vizitë. Shejhu ia paraqiti thirrjen, ia sqaroi dhe shpjegoi atë, pastaj i bëri thirrje që ta përkrahte. Gruaja, bijtë dhe miqtë e imam Muhamed ibën Su’udit i sugjeruan që mos ta linte të ikte ky rast, mos ta linte këtë mirësi që ia kishte sjellë Allahu, andaj e mirëpriti dhe u ujdisën bashkë që të vazhdonin në thirrjen për tek Allahu. Njëri mban mus’hafin, ndërsa tjetri shpatën ndaj atij që është kokëfortë ndaj thirrjes. Thirrja u gjallërua, ndërsa zona u bë e njohur për adhurimin e shumtë, për tubimin e nxënësve të dijes në Dir’ije, për angazhimin në korigjimin e adhurimeve, Akides dhe dispozitave. Kështu e nisi ky imam thirrjen e tij. Kundër shejhut u ngritën akuza brenda dhe jashtë vendit. Të parët që e kundërshtuan thirrjen e tij ishin babai dhe vëllai i tij Sulejmani, mirëpo u kthyen pasi iu bë e qartë e vërteta e thirrjes së shejhut.

Njerëzit tendenciozë, e shfrytëzuan faktin që kjo thirrje i ftonte njerëzit për sinqeritet në adhurimin e Allahut dhe për gjykim me Sheriat, andaj përhapën akuza kundër saj nëpër botë se gjoja është thirrje e re. Për këtë, shejhu shkroi letra ku sqaronte qëndrimin e tij ndaj katër imamëve, ndaj Sunetit, ndaj sahabëve, ndaj emrave dhe cilësive të Allahut dhe u shpërndanë nëpër botë sipas mundësisë, duke marrë si shembull Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i cili shkruante letra dhe ia dërgonte mbretërve. Kështu që, shejhu i dërgoi letrat valinjve, kadive, dijetarëve dhe parisë së vendeve përreth gadishullit Arabik dhe brenda saj. Mirëpo, akuzat tendencioze i kishin paraprirë letrat, thirrjen dhe korigjimin, duke shkuar në vende të largëta se është thirrje e re që kundërshton katër medhhebet, se është medhheb i pestë, se është thirrje që i bën tekfir muslimanëve, se pjesëtarët e saj nuk e duan Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nuk i duan njerëzit e devotshëm, i mohojnë mrekullitë e evlijave, e të tjera çështje të cilat u shkruan në disa libra që gjenden akoma edhe sot në duart e shumë njerëzve, në shumë vende të botës. Megjithëkëtë, thirrja vazhdonte me qetësi, bartësit e kësaj thirrjeje nuk angazhoheshin me mbrotje dhe kundërpërgjigje, mirëpo angazhoheshin me përhapjen dhe punën, duke vazhduar thirrja të ecte me hapa të shpejtë.

Me ndikimin e kësaj thirrjeje u hapën shkolla, madje edhe universitete në disa vende Islame, u hapën xhamia që kryenin rolin e shkollave, veçanërisht në pjesën e Indisë (Indi dhe Pakistan). Kjo thirrje ka shkuar madje në Europë dhe Amerikë, përmes thirrësve që shkojnë atje. Oponenca vazhdon dhe punon, mirëpo thirrja vazhdon të ecë pa u angazhuar me kundërpërgjigje; duke sqaruar obligimet që kanë njerëzit ndaj Allahut, duke sqaruar obligimin e parë që ka njeriu, që është njohja e Allahut, e fesë dhe Pejgamberit të Tij. Kjo thirrje nuk kufizohet – siç pretendohet – vetëm tek Teuhidi Uluhije. Është e vërtetë se imami është përqëndruar më shumë tek Teuhidi Uluhije, për arsye të rrethanave të njohura në atë kohë, si përhapja e idhujtarisë dhe injorancës që kishte lëshuar rrënjë në zemrat e njerëzve, mirëpo thirrja e tij ishte përtëritje e përgjithshme, duke i përtërirë njerëzve fenë e tyre në adhurim, në emrat dhe cilësitë e Allahut, në dispozita. Kush e ka studiuar jetën e shejhut dhe librat e tij që janë përkthyer, e di që thirrja e tij buron nga përtëritja e imam Ibën Tejmijes në shekullin e shtatë dhe të tettë, ashtu sikurse përtëritja e Ibën Tejmijes buron nga ajo e imam Ahmedit, sepse nuk ka diçka të re. E vetmja gjë që përmban thirrja është ftesa e njerëzve që t’i kthehen rrugës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shokëve të tij.

Përtëritja është dy llojesh:

Përtëritje rregulluese, që bazohet në Kuran dhe Sunet, që i fton njerëzit t’i kthehen metodologjisë (menhexhit) Selefi në të cilin kanë qenë shokët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Çdo musliman e di që e vërteta kufizohet tek rruga e shokëve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Është e pamundur – në çfarëdo aspekti – që një e vërtetë të sillet nga pasardhësit e sahabëve dhe ata mos ta kenë ditur, kjo është e pamundur, sepse ky pretendim nënkupton që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka përcjellë çdo gjë me të cilën është dërguar, mirëpo na e paska fshehur. Besimi se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka fshehur diçka është dalje nga feja, ose nënkupton se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka sqaruar, mirëpo sahabët ose nuk e kanë kuptuar, ose nuk e kanë përcjellë. Akuzimi i sahabëve me këto dy akuza nuk është më i vogël se akuzimi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për fshehje, sepse ata zotërinj janë zgjedhur nga Allahu për shoqërimin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka dëmshuar për vlerën e tyre duke thënë: “Njerëzit më të mirë janë brezi im, pastaj brezi pas tyre, pastaj brezi pas tyre.”[2] Është e pamundur të ketë një të mirë dhe mos ta kenë ditur apo mos ta kenë kuptuar, qoftë në parimet e fesë apo degëzimet e saj, apo ta kenë kuptuar, mirëpo të tradhëtojnë, të fshehin dhe mos të përcjellin; kjo është e pomundur!

Pra, kjo është përtëritja rregulluese, d.m.th. kthimi i njerëzve, apo ftesa e njerëzve tek metodologjia (menhexhi) i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem

Ka edhe përpjekje për përtëritje nga disa që pretendojnë ndreqjen. Ai vendos norma dhe rregulla nga vetja e tij, pastaj mendon se këto rregulla dhe norma e rregullojnë gjendjen e umetit. I bën thirrje një grupi të caktuar dhe i vendos kushte – pasi është bindur për atë që thërret – pa i kushtuar rëndësi a përputhen me atë që ka ardhur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem apo e kundërshton. E tillë është gjendja e shumë grupacioneve dhe lëvizjeve Islame kohëve të fundit. Të gjitha bëjnë thirrje për ndreqje dhe korigjim sipas mendimit të tyre, mirëpo nuk i përmbahen menhexhit të Selefëve, madje i luftojnë njerëzit që bëjnë thirrje për tek menhexhi i Selefëve.

E tillë përtëritje e përhapur mes të rinjve nën emrin filan lëvizje, apo filan xhemat, kjo përtëritje përmban të vërtetën dhe të kotën. Përtëritja e saktë – pjesëtari i saj – nuk sjell diçka të re nga vetja e tij, mirëpo i thërret njerëzit për tek Fjala e Allahut dhe fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kjo është përtëritja që ka bërë imam Muhamed ibën AbdulUehhabi, Allahu e mëshiroftë.

Pa dyshim, çdo musliman dhe muslimane duhet të njohin Zotin, fenë dhe Pejgamberin e tyre, këto janë prej njohurive të domosdoshme. Ato njohuri janë obligimi i parë për mulimanin, e kundërta e asaj që thonë filozofët se “obligimi i parë që ka njeriu është hulumtimi ose dyshimi”. Ai duhet të dyshojë, pastaj nga dyshimi të kalojë tek hulumtimi ose fillon të hulumtojë. Pra, argumentet fetare i diskuton me ato logjike derisa ta njohë Zotin e tij. Të gjitha këto janë pështjellime. Obligimi i parë që ka njeriu është njohja e Zotit të tij pa asnjë dyshim apo ngurrim. Njohja e Allahut të Lartësuar arrihet përmes argumenteve të Gjithësisë që shejhu do t’i aludojë në vijim, po ashtu arrihet me argumentet kuranore të lexuara dhe argumentet që janë mrekulli të pejgamberëve.

Pra, argumentet janë tre: Libri i Zotit të Gjithësisë, shenja që janë argument dhe janë tregues për madhështinë e Krijuesit, ku bëjnë pjesë qiejt, Toka dhe çfarë ka mes tyre. Edhe ne jemi prej argumenteve të Allahut të Lartësuar, d.m.th. jemi shenja treguese për Krijuesin, sepse është e pamundur që kjo Gjithësi të mos ketë krijues; ajo nuk mund të krijojë veten. Pra, dikush tjetër e ka krijuar njeriun dhe krijuesi i tij nuk mund të jetë si krijesa, që do të thotë se Krijuesi nuk është si krijesa në Veten, cilësitë dhe emrat e Tij. Kjo është mënyra e argumentimit me argumentet e Gjithësisë për egzistencën e Zotit të Lartësuar, për fuqinë e Tij, për këtë krijim të pashembullt dhe fuqinë e pathyeshme. Allahu me urtësinë e Tij, e krijoi të paditur këtë dhe të ditur atë tjetrin, të pasur këtë dhe të varfër atë tjetrin, të lumtur këtë dhe të trishtë atë tjetrin. Këto janë veçori dhe krijimi i veçorive është argument për vullnetin dhe diturinë [e Allahut].

Prej argumenteve janë edhe mrekullitë e pejgamberëve, me të cilat i përkrah ata dhe sfidon kundërshtarët e tyre.

Me këtë argumentim dhe metodë i ka bërë thirrje imam Muhamed ibën AbdulUehhabi njerëzive, që ata të kthehen tek rruga e Selefëve të këtij umeti, të njohin obligimet ndaj Allahut dhe obligimet ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Obligimi i njerëzve ndaj Allahut është dëlirja e adhurimit dhe pastrimi i tij, të mos i kushtohet asnjë lloj adhurimi dikujt tjetër veç Tij; as Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk duhet kushtuar gjë nga adhurimet. Obligimi ynë ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është t’i bindemi me bindje të pakushtëzuar, ta pasojmë në çdo urdhër dhe ndalesë. Me këtë gjë është dërguar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, që t’i thërrasë njerëzit në veçimin e Allahut me adhurim, t’i binden dhe pasojnë Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Bindja ndaj Pejgamberit është prej bindjes ndaj Allahut, nderimi i Pejgamberit është prej madhërimit të Allahut, dashuria e Pejgamberit është prej dashurisë së Allahut; të gjitha këto janë prej obligimeve ndaj Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, mirëpo adhurimi është vetëm e drejtë e Allahut, as Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk lejohet t’i kushtohet diçka prej adhurimit.

Me gjithë problemet, akuzat dhe shtrembërimet me të cilat u rrethua thirrja e imam Muhamed ibën AbdulUehhabit, Allahu i dha atij qëndrueshmëri, duroi dhe vazhdoi thirrjen e tij, derisa me këtë thirrje u ngrit në këtë gadishull një shtet Islam selefi, i cili mori mus’hafin për kushtetutë të tij, duke gjykuar mes njerëzve me të dhe me atë që ka ardhur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Ajo në të cilën jemi në këtë vend prej të mirave, prej sigurisë në Fe dhe dynja, prej Akides së saktë, të gjitha janë prej mirësisë së Allahut, pastaj mirësisë së kësaj thirrjeje të bekuar.

Nga gjërat parësore që imam Muhamed ibën AbdulUehhabi ka bërë thirrje, janë edhe ato përmendura në këtë libër të vogël, mirëpo me dobi të madhe, ku akoma njerëzit vazhdojnë t’ia mësojnë përmendësh fëmijëve dhe nxënësve të dijes. Ka shumë njerëz të thjeshtë që e dinë përmendësh, sepse po të kuptohet ky libër, atëherë ka përfshirë të gjithë Fenë.

___________

[1] D.m.th. Sunenet e Ebu Daudit, Tirmidhiut, Nesaiut dhe Ibën Maxhes. shp

[2] Buhariu, kitab esh-shehadat, babu la jesh’hedu ala shehadeti xheurin idha ush’hid 2652, Muslimi, kitabu fadailu es-sahabe, babu fadlu es-sahabe thumme el-ledhine jelunehum thumme el-ledhine jelunehum 2533.

 

Burimi: Sherhul usuli eth-theletheh 57-66.

Përktheu: Besmir Cacani