REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Histori dhe biografi

Historia e burrit që kishte humbur trastën me dinarë

Ibën Xherir et-Taberij, Allahu e mëshiroftë, tregon dhe thotë:

“Kam qenë në Mekë për haxh dhe pashë një burrë nga Horasani tek thërriste:

– O haxhilerë! O banorë të Mekës, vendas dhe të ardhur! Kam humbur një trastë me një mijë dinarë. Kush ma kthen, Allahu e shpërbleftë me të mira, e liroftë nga Zjarri dhe i dhëntë të mira në Ditën e Llogarisë!

Një burrë i moshuar nga banorët e Mekës u ngrit dhe i tha:

– O horasanli! Vendi ynë është në gjendje të vështirë. Ditët e haxhit janë të paktë, ritet e tij janë të pakta dhe mënyrat për të fituar janë të kufizuara. Ajo pasuri ndoshta bie në dorë të ndonjë besimtari të varfër dhe burri të moshuar, i cili shpreson diçka nga ti. Nëse ta kthen pasurinë, t’i dhurosh diçka të vogël dhe pasuri me hallall.

Burri nga Horasani tha:

– Sa është shpërblimi? Sa dëshiron?

I moshuari iu përgjigj:

– Dëshiron 1/10 e tyre, d.m.th. një qind nga ato një mijë dinarët.

Mirëpo, burri nga Horasani nuk u pajtua dhe tha:

– Nuk e bëj! Çështjen e tij do t’ia lë Allahut, do të ankohem për të Ditën kur të takoj Allahun. Ai na mjafton dhe tek Ai i kthejmë çështjet”.

Ibën Xherir et-Taberi thotë: “Më shkoj në mend që burri i moshuar ishte i varfër, ta ketë gjetur trastën me dinarë dhe dëshiron diçka të vogël. E ndoqa derisa u kthye në shtëpi dhe puna ishte siç mendova. E dëgjova tek thërrise gruan e tij dhe i thoshte:

– O Lubabe!

– Urdhëro – iu përgjigj ajo – .

– E gjeta të zotin e dinarëve që po i kërkonte dhe nuk donte t’i jepte diçka atij që i kishte gjetur. I thashë të na jepte një qind dinarë, mirëpo nuk pranoi dhe çështjen ia la Allahut. Çfarë të bëj o Lubabe? Duhet t’ia kthej patjetër. I frikësohem Zotit tim, frikësohem të mi shtojë gjynahet.

– O burrë – iu drejtua gruaja e tij – ne po përjetojmë varfërinë bashkë me ty që pesëdhjetë vjet. Ke katër vajza, dy motra, jemi unë dhe nëna ime, ndërsa ti je i nënti. Nuk kemi dhen as bagëti. Merre të gjithë pasurinë dhe na ngop, sepse jemi të uritur! Na veshmbath, sepse e dimë më mirë se në çfarë gjendje jemi. Ndoshta Allahu të pasuron pas kësaj gjëje dhe ia kthen pasurinë pasi të ushqesh familjen, ose Allahu e kthen borxhin tënd ditën kur sundimi është në Dorën e Sunduesit.

– O Lubabe – i tha burri i moshuar – a të ushqehem me haram pas tetëdhjetë e gjashtë viteve që i kam?! A të më digjen rropullitë me zjarr pasi kam duruar varfërinë?! A ta meritoj hidhërimin e të Plotfuqishmit dhe unë jam pranë varrit tim?! Jo pasha Allahun, nuk e bëj”.

Ibën Xherir et-Taberi thotë: “U largova i habitur nga ai dhe gruaja e tij. Kur u zgjuam të nesërmen, dëgjova të zotin e dinarëve të thërriste si një ditë më parë. Burri i moshuar iu afrua dhe i tha:

– O horasanli! Të thashë edhe dje dhe të këshillova. Vendi ynë pasha Allahun ka pak bujqësi dhe bagëti. Bëhu bujar me diçka të vogël ndaj atij që i ka gjetur, që mos ta kundërshtojë fenë e Allahut. Të thashë që t’i japësh një qind dinarë personit që i ka gjetur, mirëpo nuk u pajtove. Nëse pasuria yte ka rënë në dorën e një personi që i frikësohet Allahut, a do t’i japësh vetëm dhjetë dinarë në vend të atyre një qind? Që të ruhen dhe t’i mjaftojnë?

– Nuk e bëj – ia ktheu burri nga Horasani – dhe shpresoj që shpërblimin e asaj pasurie ta marr tek Allahu, do të ankohem për të Ditën kur të takoj Allahun. Ai na mjafton dhe tek Ai i kthejmë çështjet.

Ditën tjetër, i zoti i dinarëve thërriti në të njëjtën mënyrë. Burri i moshuar iu afrua dhe i tha:

– O horasanli! Të thashë pardje që të dhurosh dhe të bëhesh bujar me një qind dinarë, mirëpo nuk u pajtove, pastaj me dhjetë, përsëri nuk u pajtove. A do t’i dhurosh personit që i ka gjetur një dinar, që të blejë me gjysmën e tij një enë për t’i dhënë njerëzve të pinë me pagesë, ndërsa me gjysmën tjetër të blejë një dele për ta mjelur, njerëzit do të pinë, ai do të punojë, do të ushqejë fëmijët e tij dhe do të marrë shpërblim.

– Nuk e bëj! Çështjen e tij do t’ia lë Allahut, do të ankohem për të Ditën kur të takoj Allahun. Ai na mjafton dhe tek Ai i kthejmë çështjet.

Burri i moshuar e mori mënjanë dhe i tha:

– Eja! Merri dinarët tuaj dhe më lë të flej natën. Që kur e kam gjetur këtë pasuri nuk kam gjetur rehati”.

Ibën Xherir et-Taberi thotë: “I moshuari u nis dhe pas tij i zoti i dinarëve, derisa mbërritën tek shtëpia. Burri i moshuar i ç’groposi dinarët dhe ia ktheu. Burri nga Horasani i mori dinarët, u nis për të dalë dhe kur mbërriti tek dera tha:

– Dëgjo! Babai im ka vdekur – Allahu e mëshiroftë – më ka lënë tre mijë dinarë dhe më ka thënë t’i jap një mijë prej tyre njeriut më nevojtar. I kam lidhur në trastë që t’ia jap atij që është meritor. Pasha Allahun, që kur jam nisur nga Horasani për këtu, nuk kam gjetur njeri më meritor për to sesa ti. Merri! Allahu të begatoftë!

Pastaj u largua dhe la dinarët.”

 

Burimi: Xhemheratul exhza’ el hadithijeh 251 me pak shkurtim.

Përktheu: Besmir Cacani