REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AkideImani dhe Teuhidi

Shpjegimi i fjalës La ilahe il-lAllah dhe i Teuhidit – Shejh Muhamed el Xhami

Prej kuptimeve të fjalës La ilahe il-lAllah është veçimi i adhurimit për Allahun e Lartësuar, adhurimi vetëm i Allahut të Lartësuar, heqja dorë nga ata që adhurohen përpos Allahut; ky është kuptimi i fjalës La ilahe il-lAllah dhe ky është shpjegimi i Teuhidit. Pra, ta adhurosh Allahun të vetëm dhe mos t’i bësh Atij shirk (ortak apo të barabartë), të mos lusësh tjetër veç Tij, të mos kërkosh shpëtim nga dikush tjetër veç Tij, të kërkosh ndihmë vetëm prej Allahut në ato gjëra që vetëm Allahu mund t’i bëjë.

Frikësohuni vetëm nga Allahu me frikë adhurimi dhe frikë nënshtrimi! Duajeni vetëm Allahun me dashuri adhurimi, nënshtrimi dhe përluljeje, e [këtu nuk bën pjesë] frika dhe dashuria e natyrshme.

Frika e natyrshme nuk bën pjesë tek shirku, si përshembull të frikësohet njeriu nga armiku që është më i fortë se ai, apo të ketë frikë luanin, apo zjarrin. Kjo lloj frike quhet ‘frikë e natyrshme’. Mirëpo, mos kini ‘frikë të fshehtë’, si përshembull të frikësohesh nga shehu se të dëmton në fshehtësi; në besimin tënd, në riskun, fëmijët apo familjen tënde, në një kohë kur ai është i vdekur apo nuk është prezent. Të frikësohesh dhe të jesh në ankth se shehu shikon çfarë ke në zemër dhe në vetvete, e nëse mendon keq për shehun, atëherë do të dëmtojë; kjo është ‘frika e adhurimit’ dhe kjo lloj frike është prej shirkut.

Fakti që ti e do dikë tjetër veç Allahut ashtu sikurse besimtarët e duan Allahun Krijuesin e krijesave, me një lloj dashurie që përmban nënshtrim, përulje dhe bindje të verbër, kjo lloj dashurie i përket vetëm se Allahut subhanehu ue teala.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani