REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Besime të gabuaraBidate

Çfarë gjykimi ka përdorimi i tespihëve gjatë bërjes së dhikrit? – Shejh Salih el-Luhajdan

Pyetja: Çfarë gjykimi ka përdorimi i tespihëve gjatë bërjes së dhikrit?

Përgjigja: Kjo nuk ka bazë në Sheriat! Njeriu më i mirë që e përkujton Allahun është Muhamedi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e ai nuk ka përdorur tespihë, as nuk ka përdorur kokrriza për të numëruar dhikrin. Përkundrazi, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e bënte numërimin me gishtat e tij.

Allahu i Lartësuar thotë:

لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِي رَسُولِ اللَّهِ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ

“Vërtet ju keni tek i Dërguari i Allahut shembulltyrë të mirë”. El Ahzab: 21.

Sahabët i kanë qortuar ata të cilët e bënin numërimin e dhikrit të tyre me gurë të vegjël dhe e kanë konsideruar këtë gjë prej bidatit. Edhe dijetarët e kanë përmendur këtë gjë dhe kanë sqaruar çfarë kundravatjeje ka në të.

Pejgamberi alejhis-salatu ues-selam, ka urdhëruar që të pasohet dhe ka thënë: “Kush vepron një vepër që nuk është në përputhje me Fenë tonë, atëherë ajo është e refuzuar”.

Ndërsa në një transmetim thetër thuhet:

“Kush shpik në Fenë tonë diçka që nuk është pjesë e saj, atëherë ajo është e refuzuar.”

Po ashtu, thotë alejhis-salatu ues-selam: “Ndiqni Sunetin tim dhe Sunetin e halifëve të udhëzuar pas meje. Kapuni për to me dhëmballë dhe kujdes – d.m.th. ruhuni – kujdes nga çështjet e shpikura, sepse çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje”.

Njeriu duhet të përpiqet që t’i përdorë gishtat e tij për bërjen e dhikrit, sikurse ka vepruar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Kur Abdullah ibën Mes’udi u njoftua nga njëri nga sahabët e mëdhenj, radijAllahu anhum exhmai’n, se disa persona nga populli i tij mblidheshin në një vend dhe numëronin, d.m.th. njëri prej tyre thoshte: “Thoni 100 herë SubhanAllah”, e kur të mbaronin ai thoshte: “Thoni 100 herë La ilahe il-lAllah” …fjalë e paqartë… me këtë numër. Ibën Mes’udi radijAllahu anhu u maskua, ndërsa ata e vepronin këtë gjë natën, asokohe nuk kishte ndriçim. Ibën Mes’udi shkoi tek ata, e pasi i dëgjoi se çfarë thonin dhe u sigurua për veprimin e tyre, ai e zbuloi se kush ishte dhe tha: “Unë jam Ebu Abdurrahmani! Ju ose jeni më të udhëzuar se shokët e Muhamedit, ose jeni duke sjellur diçka të rëndë. Pasoni dhe mos shpikni, kjo ju mjafton!”

Ne duhet të mjaftohemi me atë që na ka lënë Pejgamberi ynë sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Prej mëshirës së Allahut mbi këtë umet, është fakti se shokët dhe gratë e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk kanë lënë asnjë veprim, shaka, formë gjumi, formë ushqyerje, namaz farz apo nafile, dhikër apo shit-blerje pa e përcjellur tek ne. Gjithashtu kanë përcjellur gjendjet kur Pejgamberi alejhis-salatu ues-selam ka qenë udhëtar apo joudhëtar. Të gjitha këto gjëra na janë përcjellë, saqë hulumtuesi i virtyteve dhe gjendjeve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, është sikur ta ketë prezent; e dëgjon dhe e shikon. Kjo është prej mëshirës së Allahut mbi këtë ymet; ruajtja e çdo gjëje që ka lënë Pejgamberi, qofshin ato fjalë apo vepra. Lavdi Allahut!

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani