REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Adhurimet

Tre domethënie të humbura nga abdesi ynë – Shejh Muhamed el Uthejmin

Dëshiroj të përkujtoj veten dhe ju lidhur me një çështje, ajo është se: të gjithë ne marrim abdes nëse dëshirojmë të falim namaz, mirëpo, në shumicën e rasteve njeriu synon (me këtë abdes) vetëm kryerjen e namazit. Kjo nuk përbën ndonjë problem, sepse qëllimi arrihet, mirëpo ka diçka që është më e lartë dhe e plotë:

E para: nëse dëshiron të marrësh abdes, atëherë ndjeje faktin se po zbaton urdhërin e Allahut në Kuran:

يا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِذَا قُمْتُمْ إِلَى الصَّلاةِ فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُؤُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ

“O ju të cilët keni besuar! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje”,[1] në mënyrë që të realizohet domethënia e adhurimit.

E dyta: nëse merr abdes, ndjeje faktin se po pason Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, sepse ai ka thënë:

مَنْ تَوَضّأَ نَحْوَ وُضُوئي هَذَا ثُمَّ صَلَّى رَكْعَتَيْنِ

“Kush merr abdes sikur abdesi im, më pas i fal dy rekate”,[2] në këtë moment përmbushet përkushtimi (el Ikhlas) dhe pasimi (i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem).

E treta: shpreso që me këtë abdes të marrësh shpërblim prej Allahut azze ue xhel-le, sepse abdesi i shlyen gjynahet; gjynahet e dorës bien bashkë me pikën e fundit të ujit pasi ajo lahet, e kështu me rradhë.

Këto janë tre domethënie madhështore dhe fisnike, të cilat i harrojmë në shumicën e rasteve. Po ashtu nëse ngrihesh për t’u falur, atëherë ndjeje faktin se je duke zbatuar urdhërin e Allahut kur thotë:

وَأَقِيمُوا الصَّلاةَ

“Faleni namazin”,[3] më pas ndjeje faktin se po pason Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kur thotë:

صَلوا كَمَا رَأَيتُموني أُصَلي

“Faluni ashtu siç më keni shikuar duke u falur”,[4] pastaj shpreso që të marrësh shpërblim prej Allahut, sepse ky namaz është shlyerje e gjynaheve mes tij dhe namazit pasardhës, e kështu me rradhë.

Këto i harrojmë shpesh herë, e për këtë arsye na vëren – Allahu na faltë – se nuk stolisemi me gjurmët e adhurimit siç duhet, përndryshe ne dëshmojmë se namazi të ndalon nga të këqijat dhe të fëlliqurat, mirëpo cili prej neve e ndryshon mentalitetin dhe namazi e ndalon nga të këqijat dhe të fëlliqurat pasi falet?! Të paktë janë ata, kjo sepse domethëniet e synuara kanë humbur.

 

Burimi: Sherhul erba’in en-Neueuijeh fq. 253-254.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Maideh 6.

[2] Transmeton Buhariu dhe Muslimi.

[3] El Bekare: 43.

[4] Transmeton Buhariu.