REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Gjykimi i marrjes së kapsulave që ndalojnë menstruacionet gjatë kryerjes së haxhit – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja 83: shejh i nderuar, a i lejohet gruas të marrë kapsula që ndalojnë menstruacionet, e kjo gjatë kryerjes së haxhit, në mënyrë që ta ketë të mundur kryerjen a tij? Si p.sh. kapsula që pengojnë shtatzaninë, apo çfarëdo lloj gjëje që mund të përdoret?

Përgjigjja: në origjinë, kjo gjë lejohet dhe gruas i lejohet të marrë diçka që i pengon menstruacionet, nëse e bën me leje të burrit të saj. Mirëpo, më kanë treguar disa mjekë, se këto kapsula që pengojnë menstruacionet janë shumë të dëmshme për gruan; të dëmshme për mitrën, për nervat, për gjakun etj. Madje disa mjekë më kanë thënë se po t’i përdorë vajza e virgjër, atëherë bëhen shkak për sterilitetin e saj, e kjo gjë është rrezik i madh. Kjo që thonë disa mjekë, nuk është gjë e largët, sepse gjaku i menstruacioneve është gjak natyral, e nëse njeriu përpiqet ta ndalë me këto kapsula, atëherë po përpiqet të kundërshtojë natyrshmërinë. Pa dyshim që kundërshtimi i natyrshmërisë është diçka shumë e dëmshme, sepse sjell bllokimin e gjakut nga koha e daljes së tij, që është edhe nga natyra e gruas. Për këtë arsye, i këshilloj të gjitha gratë tona lidhur me këtë çështje, që ta lejnë përdorimin e këtyre kapsulave gjatë Ramazanit dhe jashta Ramazanit.

Mirëpo, sa i përket haxhit dhe umres, mbase nevoja apo domosdoshmëria kërkojnë që t’i përdorësh këto kapsula. Ky përdorim është i përkohshëm, e mbase gruaja nuk i përdor më gjatë gjithë jetës së saj. Në këtë rast shpresoj mos të ketë as problem dhe as dëm.

 

Burimi: Fik’hul ibdat

Përktheu: Besmir Cacani