REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Baza në tefsir (pjesa e katërt) – Shejh Muhamed el Uthejmin

5- Shkrimi dhe tubimi i Kuranit

Kjo gjë është e bërë e mundur në tre faza:

Faza e parë: në kohën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e kjo kohë ishte më shumë kohë e mbajtjes përmëndësh sesa kohë e të shkruarit; sepse njerëzit shquheshin për memorien e fortë, të mësuarit shumë shpejt dhe për mungesë të lëndës së shkrimit. Për këtë arsye, Kurani nuk u tubua në mus’haf, por kushdo që dëgjonte një ajet, e memorizonte atë përmëndësh, ose e shkruante në ato gjëra që kishin, si gjethet e palmës, lëkurat e kafshëve dhe pllakat e gurit. Gjithashtu numri i sahabëve që e dinin përmëndësh Kuranin ka qenë i madh.

Ka ardhur në sahihun e Buharit,[1] nga Enes ibën Malik radijAllahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dërgoi 70 burra që quheshin “memorizuesit e Kuranit”, të cilëve i doli përpara Hajjani nga fisi Beni Sulejm Ri’l dhe Dhekuan, tek pusi e Maune dhe i vranë. Megjithatë, përsëri mes sahabëve kishte shumë të tjerë (që e dinin Kuranin përmendësh) si katër halifët, Abdullah ibën Mes’udi, Selimi shërbyesi i Ebu Hudhejfes, Ubej ibën Ka’abi, Muadh ibën Xhebeli, Zejd ibën Thabiti dhe Ebu Derda radijAllahu anhum.

Faza e dytë: në kohën e Ebi Bekrit radijAllahu anhu në vitin 12 hixhri. Shkaku ishte se në luftën e Jemames u vranë shumë prej hafizëve të Kuranit. Njëri prej tyre ishte edhe Selimi shërbyesi i Ebu Hudhejfes, njërit prej atyre që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e la porosi që merrej Kurani prej tij.

Ebu Bekri radijAllahu anhu, urdhëroi që të tubohej Kurani, që të mos humbiste. Ka ardhur në sahihun e Buhariut,[2] se Umer ibnul Khatabi i sugjeroi Ebu Bekrit radijAllahu anhuma që ta tubonte Kuranin, e kjo pas luftës së Jemames. Ebu Bekri u ndal njëherë duke u ruajtur (mos bëntë gabim), mirëpo Umeri vazhdoi t’ia përsëriste këtë gjë, derisa Allahu ia hapi Ebu Bekrit kraharorin për këtë gjë, kështu që urdhëroi t’ia thërrisnin Zejd ibën Thabitin, i cili u paraqit dhe Ebu Bekri i tha në prezencë të Umerit: “Ti je i ri dhe i zgjuar. Nuk të akuzojmë dhe je prej atyre që e shkruanin shpalljen që i zbriste të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, kështu që duhet të tubosh Kuranin.” Zejd ibën Thabiti thotë: “Fillova ta tuboja Kuranin nga lëkurat e pemeve, pllakat e gurit apo nga gjokset e burrave. Fletët qëndruan tek Ebu Bekri derisa ai vdiq, pastaj tek Umeri kur ishte gjallë, pastaj tek Hafsa bintu Umer radijAllahu anhuma.” E transmeton Buhariu më të zgjatur.

Të gjithë muslimanët e përkrahën Ebu Bekrin dhe i konsiderohet nga të mirat e tij, saqë Aliu radijAllahu anhu ka thënë: “Nga njerëzit që më shumë ka shpërblim për mus’hafet është Ebu Bekri. Allahu e mëshiroftë Ebu Bekrin, ai është i pari që e tuboi Kuranin.”

Faza e tretë: në kohën e prijësit të besimtarëve Uthman ibën Affanit radijAllahu anhu, në vitin 25 hixhri. Shkaku ishte kundërshtia midis njerëzve në leximin e Kuranit në varësi të fletëve që sahabët radijAllahu anhum kishin në duar. Nga frika e fitnes, Uthmani radijAllahu anhu urdhëroi që të mblidhen të gjitha fletët në një mus’haf, që njerëzit mos të kishin mospajtim, e të ndodhë kundërshti midis tyre për Librin e Allahut e të përçahen.

Ka ardhur në sahihun e Buhariut,[3] se Hudhejfe ibnul Jemani shkoi tek Uthmani, e kjo pasi kishin çliruar Armeninë dhe Azerbajxhanin, sepse ishte frikësuar nga mospajtimi i njerëzve në lexim, andaj tha: “O prijësi i besimtarëve! Shikoje këtë umet, përpara se të përçahen në Kuran siç janë përçarë çifutët dhe të krishterët.” Atëherë Uthmani i dërgoi fjalë Hafsës që të sillte të gjitha fletët me Kuran, në mënyrë që t’i kopjojmë në mus’hafe, pastaj do t’i kthejmë përsëri dhe ashtu bëri. Uthmani urdhëroi Zejd ibën Thabitin, Abdullah ibën ez-Zubejrin, Seid ibnul Asin dhe AbduRrahman ibnul Harith ibën Hisham të cilët i kopjuan fletët në mus’hafe. Zejd ibën Thabiti ka qenë ensarij, kurse tre të tjerët kanë qenë kurejshij. Uthmani i tha tre kurejshëve: “Në qoftë se bini në kundërshtim ju me Zejdin në lidhje me gjuhën, atëherë shkruajeni atë sipas gjuhës së kurejshëve, sepse Kurani ka zbritur në gjuhën e kurejshëve. Këtë gjë e bënë, derisa mbaruan së kopjuari fletët në mus’hafe, e pastaj Uthmani ia ktheu fletët Hafsas. Uthmani i shpërndau mus’hafet e bëra në çdo vend dhe, urdhëroi që të digjej çdo fletë apo mus’haf me Kuran që ishte më përpara”.

Uthmani radijAllahu anhu e bëri këtë gjë pasi pyeti sahabët radijAllahu anhum, siç e transmeton Ibën Ebi Daudi[4] nga Aliu radijAllahu anhu se ka thënë: “Pasha Allahun! Atë e bëri vetëm pasi ishim dakord të gjithë ne”. Uthmani tha: “Mendoj se duhet t’i bashkojmë njerëzit tek një mus’haf, e kështu ska për të patur përçarje dhe mospajtime”. Ne i thamë: “Gjënë më të mirë ke menduar”.

Mus’ab ibën Sad[5] ka thënë: “Kam arritur njerëz të shumtë që kanë parë kur i ka djegur Uthmani mus’hafët, dhe e kanë pëlqyer këtë gjë”. Ose ka thënë: “Askush nuk e kundërshtoi këtë gjë, e kjo renditet prej veprave të mira që ka bërë prijësi i besimtarëve, Uthmani radijAllahu anhu, të cilën e kanë mbështetur të gjithë muslimanët. Kjo gjë ishte plotësim i asaj që e nisi Ebu Bekri radijAllahu anhu, halifi i Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Dallimi midis tubimit të Uthmanit dhe Ebu Bekrit radijAllahu anhuma është se, në kohën e Ebu Bekrit është bërë tubim për ta ruajtur të gjithë Kuranin në mus’haf, që të mos humbë gjë prej tij, e jo që njerëzit të bashkohen në një mus’haf të vetëm. Kjo, sepse leximet e ndryshme nuk kishin shfaqur ndonjë ndikim që t’i detyronte të bashkoheshin në një mus’haf të vetëm.

Kurse qëllimi i tubimit në kohën e Uthmanit radijAllahu anhu ishte tubimi i të gjithë Kuranit në një mus’haf të vetëm, që t’i bashkonte njerëzit, për shkak të ndikimit të frikshëm në leximet e ndryshme.

Frytet e këtij tubimi u shfaqën, sepse dobia më e madhe iu kthye umetit, duke u bashkuar, duke e unifikikuar fjalën, duke arritur dashurinë, po ashtu u larguar dëmi më i madh, që është përçarja e umetit, mospajtimi, përhapja e urrejtjes dhe armiqësisë.

Kështu vazhdon të jetë deri tani, duke qenë muslimanët në pajtim për këtë gjë dhe mus’hafi është i disponueshëm, ku të vegjëlit e mësojnë nga të mëdhenjtë. Asnjë dorë dashakeqe nuk e ka cënuar, asnjë ëndje e devijuar nuk e ka fshehur, andaj lavdi Allahut, Zotit të qiejve, të tokës dhe Zotit të krijesave.

 

Burimi: Usulun fit-tefsir 23-28

Përktheu: Idriz Manushi

_______________________

[1] Buhariu në kapitullin “Xhihadi”, tema “Ndihma” nr 3064.

[2] Buhariu në kapitullin “Tefsiri”, në komentimin e ajetit 128 të sures et-Teubeh.

[3] Buhariu në kapitullin “Vlerat e Kuranit”, tema “Tubimi i Kuranit” nr 4987.

[4] Transmeton Hatibi në “el Faslu lil uaslil mudraxh” 2/954 dhe në zinxhirin e transmetimit gjendet Muhamed ibën Eban el Xha’fij, (Ilel i Darakutnit 3/229-230). Ibën Ma’ini ka thënë: “I dobët”. El Xherhu uet-ta’dil i Razit 7/200.

[5] Transmeton Ibën Ebi Daudi në librin “el Masahif” fq 12.