REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhShitblerja

A lejohet marrja e kamatës për të blerë shtëpi? – Shejh Rabi’ el Medkhali

Pyetja: a më lejohet të marr borxh nga një bankë me kamatë që të blej shtëpi? Na jepni dobi, Allahu ju shpërbleftë!

Përgjigja: nëse ke nevojë për bukë, për t’u ushqyer dhe shpëtuar veten nga vdekja, atëherë mos merr gjë nga banka, pa përmendur ndërtimin e shtëpisë apo blerjen e një makine.

Allahu t’i ka lejuar në rast domosdoshmërie: cofëtirën, mishin e derrit, kafshën që ka ngordhur si shkak i rrahjes, kafshën që ka ngrodhur prej rrëzimit, ndërsa kamatën nuk ta ka lejuar. Kamata është shumë e rrezikshme, shumë e rrezikshme.

Mos kryej transaksione me kamatë! Duro, pasi Allahu azze ue xhel-le thotë:

وَمَن يَتَّقِ اللَّهَ يَجْعَل لَّهُ مَخْرَجًا (2) وَيَرْزُقْهُ مِنْ حَيْثُ لَا يَحْتَسِبُ ۚ

“E kush i frikësohet (dhe i ruhet dënimit) të Allahut, atëherë Allahu i jep rrugëdalje dhe e furnizon nga nuk e pret.”[1]

Kamata është gjynah i madh dhe punë e rrezikshme. Ai që e bën të lejuar kamatën, del nga feja.

Nëse ke nevojë për shtëpi, atëherë duro derisa të furnizojë Allahu. Drejtoju Allahut dhe bëji shkaqet, derisa ta japë Allahu një shtëpi, përndryshe ndërro jetë duke mos qenë në luftë me Allahun, sepse kamatpërdoruesi – Allahu na mbroftë – është siç ka thënë Allahu azze ue xhel-le:

فَإِن لَّمْ تَفْعَلُوا فَأْذَنُوا بِحَرْبٍ مِّنَ اللَّهِ وَرَسُولِهِ ۖ وَإِن تُبْتُمْ فَلَكُمْ رُءُوسُ أَمْوَالِكُمْ لَا تَظْلِمُونَ وَلَا تُظْلَمُونَ

“Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.”[2]

Allahu i ka shpallur luftë kamatpërdoruesve. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka mallkuar dhënësin e kamatës, marrësin, shkruesin dhe dy dëshmitarët e saj. Çfarë dëshiron më shumë pas mallkimit?! A të bën dobi shtëpia kur përpara vetes ke Xhehenemin?!

Le t’i frikësohet besimtari Allahut, le të durojë varfërinë dhe nevojën e tij, pasi Allahu ka thënë:

وَلَنَبْلُوَنَّكُم بِشَيْءٍ مِّنَ الْخَوْفِ وَالْجُوعِ وَنَقْصٍ مِّنَ الْأَمْوَالِ وَالْأَنفُسِ وَالثَّمَرَاتِ ۗ وَبَشِّرِ الصَّابِرِينَ

“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe me atë që keni mbjellur! Prandaj, përgëzoji të duruarit.”[3]

Duro dhe Allahu ka për të dhënë këtë shpërblim madhështor; në vend që ta shfaqësh veten ndaj mallkimit, hidhërimit dhe dënimit të Tij. Përballoje këtë vështirësi në dynja, pasi nuk është asgjë përpara hidhërimit dhe dënimit të Allahut.

E lusim Allahun që të na mjaftojë me mirësinë dhe bujarinë e Tij nga çdo gjë që e hidhëron, vërtet Zoti ynë është Dëgjues i lutjeve. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij.

 

Burimi: Meusuatu muel-lefati ue raseil ue fetaua esh-shejh Rabi’ el Medkhali, vll1, fq 134-135.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Et-Talak: 2-3.

[2] El Bekare: 279.

[3] El Bekare: 155.