REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Moral

Çfarë nuk lejohet prej shakasë – Shejh Muhamed Nasirudin Albani

Tema një qind e njëzet e një: tema se çfarë nuk lejohet prej lojës dhe shakasë.

 

Transmeton (Buhariu në librin Edebul Mufrad) me zinxhirin e tij të transmetimit të mirë, nga Abdullah ibën es-Saib, nga babai i tij, e ky nga gjyshi, se ka thënë: kam dëgjuar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Mos të marrë ndonjëri prej jush sendet e shokut të vet, as me shaka dhe as seriozisht! Nëse ndonjëri prej jush ia merr shkopin (bastunin) shokut të vet, atëherë le t’ia kthejë!”

Ky hadith përmban mësim nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem për besimtarët, se çfarë duhet t’i përmbahen kur dëshiron ndonjëri prej tyre të bëjë shaka me vëllaun e tij musliman. Ai urdhëron që t’i përmbahen shakasë që nuk përfshin dëm apo frikësim të vëllasë musliman nën pretendimin se po bën shaka. Shakaja është e lejuar me kusht që mos të përmbajë dëm, madje asa bezdisje të vëllasë së tij musliman.

Në këtë hadith, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë: “Mos të marrë ndonjëri prej jush sendet e shokut të vet, as me shaka dhe as seriozisht! Nëse ndonjëri prej jush ia merr shkopin (bastunin) shokut të vet, atëherë le t’ia kthejë!”

Siç e shikoni dhe dëgjoni, ‘sendet’ në këtë hadith është fjalë e përgjithshme që përfshin çdo gjë që njeriu ka benefit prej tij. Muslimanit nuk i lejohet që të marrë diçka nga sendet e vëllaut të tij, as me shaka dhe as seriozisht. Dallimi mes marrjes së sendeve me shaka apo seriozisht, qëndron në faktin se kur e merr me shaka, nuk e bën për ndonjë benefit personal, pra nuk ia vjedh, sepse e ka marrë duke bërë shaka me vëllaun e tij musliman. Kjo do të thotë se e bezdis dhe e frikëson, pastaj ia kthen sendin. Kjo bën pjesë tek fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem “as me shaka”.

Sa i përket marrjes seriozisht, ajo është marrje në formë përvetësimi, e në këtë rast konsiderohet vjedhës. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ndalon që muslimani të marrë sendet e vëllaut të tij musliman në formë shakaje, me qëllim frikësimin e tij, e më pas t’ia kthejë, po ashtu ndalon që ta bëjë seriozisht, d.m.th. në formë vjedhjeje. Marrja e sendeve të muslimanit në formë serioze, do të thotë t’ia vjedhësh atij, e kjo padyshim nuk lejohet, edhe sikur t’ia marrë vëllaut të tij musliman në formë loje dhe shakaje. Kjo, sepse në zemrën e vëllaut të tij musliman mund të hyjë diçka prej bezdisjes.

Thuhet se shkaku i këtij hadithi është se, gjatë disa luftërave, një burrë prej sahabëve ia mori sendet vëllaut të tij musliman teksa po flinte, ndër të tjera i kishte marrë edhe shpatën me të cilën luftonte. Ai ia mori dhe shkoi në tjetër vend. Kur u zgjua, nuk i gjeti sendet e tija, as shpatën me të cilën luftonte. Pa dyshim ai u bezdis shumë me këtë gjë. Shumë shpejt erdh shoku i tij që po bënte shaka me të dhe ia dha sendet duke qeshur. Ai mendoi se po bënte shaka, mirëpo nuk e ka ndjerë fare brengën, mërzinë dhe frikën që i kishte futur muslimanit në zemër, i cili u zgjua dhe vërejti që i kishin vjedhur sendet. Pas kësaj, ai surprizohet baga ai që ia ka marrë sendet duke bërë shaka, tek ia kthen ato. Tilla shaka nuk lejohen, për shkak të frikës që i fut vëllaut musliman në zemër. Për këtë, është transmetuar tek virtytet e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe morali i tij, se nuk bënte shaka. Edhe nëse bënte shaka, ai thonte vetëm të vërtetën.

Muslimani duhet të stoliset me këtë moral. Ky moral ndahet në dy pjesë: ose mos të bëjë fare shaka, e kjo është më e sigurtë, ose të thotë vetëm të vërtetën kur bën shaka. Nuk është aspak e drejtë që për shkak të shakasë dhe lojës, njeriu të fusë frikë në zemrën e vëllaut të tij musliman.

E thamë që më parësore është mos të bëjë fare shaka, sepse shakanë që i gëzon zemrat e shokëve pa i bezdisur dhe pa i mërzitur, janë të paktë ata që e dinë ta bëjnë, madje janë shumë të paktë. Përderisa çështja është e tillë, më mirë është të mos bëhet fare shaka. Për këtë, sahabët e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e kanë përshkruar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se bënte shaka, mirëpo thonte vetëm të vërtetën.

Shembull i shakasë së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me shokët e tij është ajo që transmetohet në Sunet se: “Një grua e moshuaar shkoi një ditë tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Lute Allahun të më fusë në Xhenet!” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem iu përgjigj: “Vërtet të moshuarit nuk hyjnë në Xhenet!” Ajo u kthye me keqardhje, apo gati sa nuk po kthehej, mirëpo menjëherë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ia përsëriti dhe ia shpjegoi se të moshuarit nuk do të hynë në Xhenet në moshë të thyer. Kjo do të thotë se, po të hyjë në Xhenet një grua e moshuar, ajo do të hyjë në moshën e rinisë, nuk do të hyjë në moshë të thyer. Pikërisht ky hadith ka dobësi në zinxhirin e transmetimit.

Mirëpo, është vërtetuar se një grua tjetër ka shkuar tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e cila po përmendte diçka rreth burrit të saj. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e pyeti: “Burri yt që ka të bardhë në sy?” Ajo nxitoi menjëherë për në shtëpi që të shikonte syrin e të shoqit.

  • Çfarë ke? – e pyet i shoqi.
  • I thashë Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kështu për ty, ai më tha “burri yt me sy të bardhë?” – iu përgjigj gruaja.

Ajo dëshironte të shikonte bardhësinë, e kjo është diçka e natyrshme. E tillë ka qenë shakaja e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem.

Mirëpo, shakaja që përmban bezdisje të muslimanit dhe futje të frikës në zemrën e tij, kjo nuk lejohet, për shkak të këtij hadithi: “Mos të marrë ndonjëri prej jush sendet e shokut të vet, as me shaka dhe as seriozisht!” sepse është vjedhje, “nëse ndonjëri prej jush ia merr shkopin (bastunin) shokut të vet, atëherë le t’ia kthejë!” Sepse po ta ketë marrë vjedhurazi, kjo qartë është e ndaluar, andaj duhet ta kthejë të drejtën tek pronari. E nëse e ka marrë me shaka, atëherë është më parësore që t’ia kthejë. Në rast të tillë, qëllimi i ndalesës së marrjes së shkopit, që më vonë do t’ia kthejë, vjen për shkak të bezdisjes së zemrës së këtij muslimani që ia mori shkopin apo sendin me shaka.

Ky hadith i tërheq vëmendjen çdo muslimani dhe muslimaneje që mos të bëjnë shaka, sepse me patjetër do të ketë shmangie nga rregullat fetare, e këtu bën pjesë bezdisja e vëllasë musliman.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani