REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhNamazi

Disa gjëra që të ndihmojnë për faljen e namazit të sabahut – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: shumë herë më ik namazi i sabahut dhe e fal atë vetëm pas lindjes së Diellit, kur dua të dal për në punë. Kjo punë është bërë e përsëritur, andaj a duhet të bëj diçka? Çfarë duhet të bëj që ta fal namazin në kohën e vet?

Përgjigjja: bëji disa gjëra:

E para: fli herët. Për këtë gjë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e urrente gjumin para jacisë dhe bisedën pas saj, në mënyrë që njeriu të flejë herët dhe të ngrihet herët.

E dyta: kur bie të flesh duhet të kesh qëllim dhe vendosmëri për t’u ngritur dhe falur namazin e sabahut. Në këtë formë do ta kesh më të lehtë zgjimin.

E treta: përdor zile, një orë që e vendos tek koka dhe të zgjon. Nëse ke frikë se e fik zilen kur ajo bie dhe i kthehesh gjumit, atëherë largoje pak zilen.

Disa njerëz, nga zelli i madh ndaj namazit, e vendosnin zilen në një enë dhe e largonin nga vetja e tyre, në mënyrë që zëri të ushtonte dhe të zgjoheshin. Bëje këtë gjë, nuk ka problem.

E katërta: nëse nuk të mundosohet kjo, atëherë vendos celularin tek koka nëse ke celular, pastaj kërko nga një prej vëllezërve tuaj që të telefonojnë kur të bëhet ezani i sabahut.

Me rëndësi është që njeriu të bëjë shkaqet që e zgjojnë dhe të falë namazin e sabahut në kohën e tij. Kush e mëson veten me përtaci do të vazhdojë me përtaci.

Nëse e fal namazin pas kohe me qëllim, atëherë namazi i tij nuk pranohet dhe është i refuzuar edhe sikur të falet një mijë herë, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e bën një punë në mospërputhje me Fenë tonë, atëherë ajo është e refuzuar.”

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani