REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AkideImani dhe Teuhidi

Shkaqet e pakësimit të besimit – Shejh Muhamed el Uthejmin

Shkaqet e pakësimit të besimit janë të kundërtat e shtimit të tij:

Shkaku i parë: padituria rreth emrave dhe cilësive të Allahut detyrimisht sjell pakësimin e besimit, sepse njeriu nëse ka njohuri të paktë rreth emrave dhe cilësive të Allahut, atëherë besimit i tij pakësohet.

Shkaku i dytë: shmangia e vështrimit të argumenteve në Gjithësi dhe atyre fetare. Kjo gjë sjell pakësim të besimit, apo më e pakta pezmatim të tij dhe mosrritje.

Shkaku i tretë: bërja e gjynaheve, sepse gjynahet kanë një ndikim të madh tek zemra dhe tek njeriu. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur zinaqari bën zina nuk është besimtar.” Hadithi.

Shkaku i katërt: lënia e adhurimeve, sepse lënia e tyre sjell pakësim të besimit. Nëse adhurimi është prej obligimeve dhe njeriu e lë atë pa arsye, atëherë është pakësim (në besim) i qortuar dhe i dënueshëm. Nëse adhurimi nuk është prej obligimeve, apo është obligim mirëpo e ka lënë për një arsye, atëherë është pakësim (në besim) i paqortueshëm. Për këtë, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ka konsideruar gratë të mangëta në mendje dhe fe, duke e arsyetuer mangësinë e fesë së tyre se ato nuk falen dhe nuk agjërojnë kur janë me zakone, e megjithëkëtë, ato nuk qortohen për lënien e namazit dhe agjërimit kur janë me zakone, madje janë të urdhëruara që ta bëjnë. Por, përderisa nuk e bën vepren që e bën burri, atëherë gruaja bëhet e mangët në fe nga ky aspekt.

 

Burimi: Mexhmu’ fetaua 1/51-52.

Përktheu: Besmir Cacani