REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AgjërimiFikh

Gjykimi i faljes së Taravive katër rekate me një selam – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: gjatë namazit të Taravive, disa imamë bashkojnë katër rekate apo më shumë në një selam, duke mos u ulur pas dy rekateve (të para) dhe pretendojnë se kjo është prej Sunetit. A ka ndonjë bazë kjo vepër në Fenë tonë të dëlirë?[1]

Përgjigjja: kjo vepër nuk është e ligjëruar, madje është e urryer apo haram sipas shumicës së dijetarëve, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i natës është dy rekate, dy rekate.”[2] Hadithi është Muttefekun alejhi dhe përcillet nga Ibën Umeri radijAllahu anhume. Po ashtu, është vërtetuar se Aishja radijAllahu anhe ka thënë:

كان النبي صلى الله عليه وسلم يصلي من الليل إحدى عشرة ركعة يسلم من كل اثنتين ويوتر بواحدة

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e falte namazin e natës njëmbëdhjetë rekat; jepte selam për çdo dy rekate dhe falte vitrin një rekat.”[3] Hadithi është Muttefekun alejhi dhe hadithet me këtë kuptim janë të shumta. Sa i përket hadithit të njohur prej Aishes:

أن النبي صلى الله عليه وسلم كان يصلي من الليل أربعاً فلا تسأل عن حسنهن وطولهن ثم يصلي أربعاً فلا تسأل عن حسنهم وطولهن

“Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem falte katër rekate në namazin e natës, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre. Më pas, ai falte katër rekate, e mos pyet për bukurinë dhe gjatësinë e tyre.”[4] Hadithi është Muttefekun alejhi. Qëllimi i këtij hadithi është se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem jepte selam për çdo dy rekate, dhe nuk është për qëllim se i falte katër pa shkëputje me një selam, për shkak të hadithit të parapërmendur, e për shkak të hadithit që është vërtetuar nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë:

صلاة الليل مثنى مثنى

“Namazi i i natës është dy rekatë, dy rekatë”, sikurse e thamë më lart. Hadithet vërtetojnë njëra-tjetrën, shpjegojnë njëra-tjetrën, andaj muslimani e ka për detyrë që t’i marrë të gjitha, e t’i shpjegojë hadithet e përgjithshme me ato që janë sqaruese. Suksesi vjen prej Allahut.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Publikuar në revistën “ed-Da’uah” nr 1578 më datë 21.09.1417 h.

[2] Transmeton Buhariu në kapitullin e namazit, tema e tubimit dhe uljes në xhami, nr 472. Po ashtu e transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës nga dy rekatë ndërsa vitri një rekat në fund të natës, nr 749.

[3] Transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës dhe numrit të rekateve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 736.

[4] Transmeton Buhariu në kapitullin e Xhumasë, tema e namazit të natës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 1147. Po ashtu e transmeton Muslimi në kapitullin e namazit të udhëtarit dhe shkurtimit të tij, tema e namazit të natës dhe numrit të rekateve të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, nr 738.