REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Marrja e diturisëMenhexh

Sqarim i mënyrës së kërkimit të dijes dhe përpjekjes për të pyetur dijetarët – Shejh Muhamed Nasirudin el Albani

Lavdi Allahut, Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu nga e keqja e veteve dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon, nuk ka kush e humbet, ndërsa atë që e humbet Allahu, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e të pashok dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.

 يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّـهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ 

O ju të cilët keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!”[1]

 يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالا كَثِيرًا وَنِسَاءً وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالأَرْحَامَ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا

O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore, se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”[2]

 يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّـهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَنْ يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا

“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”[3]

Pas kësaj:

Në tubimet e kaluara, kemi tërhequr vëmendjen se prej mënyrave të ligjëruara lidhur me mësimin e njerëzve Fenë e tyre, është edhe shtrimi i pyetjeve dhe më pas përgjigjja ndaj tyre. Këtë metodë e ka miratuar Allahu (Ligjvënësi i Urtë), sepse Ai tebareke ue teala e di se njerëzit nuk ndjekin të gjithë të njëjtin drejtim lidhur me mësimin e dispozitave të Fesë së tyre.

Të gjithë e dinë se metoda e ndjekur për të mësuar, është ajo e hallkave (tubimeve) të dijes që kanë qenë më herët, e të cilat vazhdojnë nga pak deri në kohën tonë. Kjo është metoda e marjes së diturisë; ku në këto (hallka apo tubime) mblidhen ata që kanë dëshirë dhe zell për të kërkuar diturinë me disa prej dijetarëve, në xhami apo në ndonjë vend tjetër. Kështu pra, ata e marrin nga dijetari dijen që dëshirojnë përmes tubimeve të rregullta.

Siç e vërejte, kësaj gjëje i nevojitet një lloj i caktuar njerëzish, ku ata duhet të jenë:

Së pari: të kenë dëshirë dhe zell për të kërkuar diturinë në formë të rradhitur dhe të rregullt.

Së dyti: të jenë të përgatitur nga zgjuarsia, mësimi përmendësh apo të ngjashme.

Së treti dhe e fundit: të kenë kohë që i ndihmon në renditjen e kërkimit të diturisë sipas kësaj metode, e cila është ajo e hallkave dhe tubimeve të dijes.

Pra, sikurse thashë më lart, shumë prej njerëzve nuk i gjejnë tek vetet e tyre këto veçori që duhet t’i plotësojë nxënësi i dijes. Ndoshta këto veçori plotesohen tek disa, mirëpo nuk e kanë dijetarin që kërkojnë dhe dëshirojnë të mësojnë prej tij, ose e gjejnë dijetarin, mirëpo ai nuk ka kohë të lirë.

Për këtë shkak, Allahu azze ue xhel-le ka ligjëruar një metodë dhe mënyrë tjetër për marrjen e dijes, e kjo sikur është bërë një realitet bashkëkohor për shkak të mjeteve që afrojnë zërat, e me këtë kam për qëllim telefonin në mënyrë specifike. Pyetjet që bëhen përmes telefonit janë të shumta, ku me këtë mënyrë njerëzit mësojnë atë që kanë nevojë.

Pastaj, prej dallimeve që duken qartë mes metodës së ndjekur në kohët e hershme – dhe ajo metodë është marrja e dijes nga dijetarët – dhe mes metodës së pyetje-përgjigjes, është se metoda e pyetjes i jep pyetësit liri të bëjë pyetje që lidhen me të personalisht, apo që kanë lidhje me familjen e tij; familje për të cilën ai është përgjegjës.

Kurse me metodën e parë, njeriu mund të mësojë gjëra që nuk e ndjen veten se ka nevojë për to, edhe pse më vonë do ta vërejë dobinë e kërkimit të dijes sipas kësaj metode, sidomos nëse ai kërkon që të bëhet prej dijetarëve një ditë prej ditëve. Përderisa shumica e njerëzve nuk i kanë këto veçori, Allahu azze ue xhel-le ka ligjëruar këtë metodë të kërkimit të dijes, metodë e cila është ajo e pyetje-përgjigjes, sikurse thotë Allahu azze ue xhel-le në Kuranin Fisnik:

فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ 

“Dhe pyesni dijetarët nëse nuk dini.”[4]

Në këtë ajet fisnik, Allahu azze ue xhel-le e ka ndarë shoqërinë Islame në dy pjesë nga aspekti i lidhjes së tyre me diturinë: njëra pjesë nuk ka dituri, kurse pjesa tjetër ka dituri, dhe secilës pjesë i ka vendosur një detyrë.

Atyre që nuk kanë dituri, i ka vënë për detyrë që të mësojnë përmes metodës së pyetjes. Ndërsa atyre që u drejtohen pyetjet, i ka vënë për detyrë që të përgjigjen, dhe ky ajet është i qartë për këtë gjë:

فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِنْ كُنْتُمْ لَا تَعْلَمُونَ 

“Dhe pyesni dijetarët nëse nuk dini.”[5]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem e ka konfirmuar këtë gjë në hadithin e saktë që përcillet nga Ebu Daudi etj, e ky i fundit nga Xhabir ibën Abdullah el Ensarij radijAllahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka dërguar një ekspeditë – d.m.th. ka përgatitur një ushtri që të luftojë në rrugë të Allahut –, e më pas i ka caktuar ekspeditës një prijës (drejtues) siç është Suneti. Ekspedita (es-Serijeh), është ajo që bën luftë, mirëpo në të nuk bën pjesë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. E kundërta e saj e ekspeditës është beteja (gaz’ueh), për të cilën Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është komandanti dhe drejtuesi i saj. Pra, një ditë prej ditëve, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dërgoi një ekspeditë dhe pjesëtarët e saj shkuan dhe luftuan mosbesimtarët. Pasiqë u bë natë, pasi lufta pushoi, pasi (muslimanët) falën namazin e jacisë dhe më pas fjetën, në sabah u zgjuan për të falur namazin, kur, njëri prej tyre e pa veten se kishte ejakuluar dhe i ishte bërë detyrë të lahej (të merrte gusël). Mirëpo, ai në luftë ishte plagosur me shumë plagë në trup, kështu që pyeti ata që kishte përreth tij se mos i gjenin ndonjë lehtësim për mos t’u larë, por të merrte tejemum. Ata thanë: “Jo! Duhet me doemos që të lahesh.” Personi në fjalë u là dhe për rrjedhojë ai vdiq; temperatura iu rrit, plagët iu rënduan dhe si rrjedhojë vdiq dhe ndërroi jetë. Pasi mbërriti lajmi tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, ai u zemërua shumë dhe bëri dua ndaj atyre që kishin dhënë fetva për mos-lejimin e marrjes tejemum për të plagosurin, dhe tha:

قتلوه قتلهم الله، ألا سألوا حين جهلِوا، فإنما شفاءُ العي السؤال

“E vranë, i vraftë Allahu! Përse nuk pyetën kur nuk dinin. Vërtetë shërimi i padijes është pyetja.”

Argumenti nga ky hadith, është se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lemi ka nxitur ata që dhanë fetva pa dije, se duhet të kishin pyetur, në mënyrë që përgjigjja e tyre të buronte nga dijetarët. Mirëpo, kur ata nuk ishin të ditur, i dhanë fetva të plagosurit me padijen e tyre, e ajo fetva u bë shkak për vrasjen dhe vdekjen (e të plagosurit). Kjo është arsyeja përse pyetja bën pjesë tek mënyrat e ligjëruara për marrjen e diturisë, sikurse e përmendëm.

Më pas, sikurse edhe përmendëm tek ajeti më lart, Zoti ynë azze ue xhel-le, i ka vënë detyrë pjesës së dytë të shoqërisë Islame – të cilët janë dijetarët – , i ka vënë për detyrë që të japin përgjigje. Nëse dijetari pyetet për një çështje që ka dituri rreth saj, nuk i lejohet që mos të japë përgjigje, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thotë në hadithin e saktë dhe të njohur:

من سئل عن علمِ فكتمه، ألجم يوم القيامة بلجام من نار

“Kush pyetet për një çështje të dijes dhe e fshehën atë, atëherë në Ditën e Gjykimit atij i vendosen frerë prej Zjarri.”

Prej edukatës së pyetjes – dhe po e përmendim me këtë rast – është që muslimani të pyesë për çështjet që lidhen me jetën e tij, qofshin personale që lidhen me veten e tij, apo me familjen e tij, apo me ata që kanë lidhje me të, e mos të thellohet në pyetje për çështje imagjinare apo që vështirë se ndodhin.

Vërtetë angazhimi i muslimanit me realitetin, është më e mirë për të sesa të pyesë për çështje imagjinare, edhe nëse ai e perfytyron se mund të ndodhë ajo gjë, sepse prej edukatës së dijetarëve të selefit radijAllahu anhum, është se kur ndonjërit prej tyre i shfaqej një pyetës që pyeste për ndonjë çështje, dijetari i thoshte atij: “A ka ndodhur?” Nëse përgjigjej: “Po”, atëherë dijetari i jepte përgjigje me dijen që kishte. E nëse thoshte: “Nuk ka ndodhur”, apo “nuk ka ndodhur akoma”, atëherë dijetari i thoshte: “Prit derisa të ndodhë, e pastaj pyet.” Në momentin që ajo çështje të ndodhë, doemos Allahu azze ue xhel-le do t’i mundësojë një personi që t’i japë përgjigje me dijen e tij.

Për këtë arsye themi se prej edukatës, është që të dëgjojmë pyetjet dhe të fillojmë prej më të rëndësishmes, e më pas t’i japim përgjigje me atë që na e lehtëson Allahu azze ue xhel-le, duke ju kujtuar se jo domosdoshmërisht dijetari duhet të përgjigjet për çdo pyetje që i drejtohet.

Është përcjellë në disa ethere selefije, se: “Kush përgjigjet për çdo pyetje që i drejtohet, ai është budalla”, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë:

 وَمَا أُوتِيتُمْ مِنَ الْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلًا 

“Dhe ju është dhënë vetëm se pak nga dituria.”[6]

Nëse nuk mund t’i japim përgjigje ndonjë pyetjeje, mos të bëjë çudi ndonjëri prej jush, sepse kjo bën pjesë tek natyra që Allahu azze ue xhel-le e ka krijuar njeriun, sikurse e dëgjuat në ajetin e lartpërmendur:

 وَمَا أُوتِيتُمْ مِنَ الْعِلْمِ إِلَّا قَلِيلًا 

“Dhe ju është dhënë vetëm se pak nga dituria.”[7]

Po ashtu është përcjellë në disa ethere, ku thuhet: “Gjysma e dijes është: nuk e di.”

 

Burimi: nga vargu i kasetave “el Huda uen-Nur” nr.8

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Al Imran 102.

[2] En-Nisa’ 1.

[3] El Ahzab 70.

[4] En-Nahl: 43.

[5] En-Nahl: 43.

[6] El Isra’ 85.

[7] El Isra’ 85.