REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Familja

Aureti i muslimanes përpara grave muslimane dhe atyre mosbesimtare – Shejh Muhamed Nasirudin el Albani

Lavdi Allahut, Atë e lavdërojmë, prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu nga e keqja e veteve dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon, nuk ka kush e humbet, ndërsa atë që e humbet Allahu, nuk ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Vetëm e të pashok dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.

 يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّـهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنتُم مُّسْلِمُونَ 

O ju të cilët keni besuar! Kijeni frikë Allahun ashtu si i takon Atij dhe vdisni vetëm duke qenë muslimanë!”[1]

 يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ مِنْ نَفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالا كَثِيرًا وَنِسَاءً وَاتَّقُوا اللَّهَ الَّذِي تَسَاءَلُونَ بِهِ وَالأَرْحَامَ إِنَّ اللَّهَ كَانَ عَلَيْكُمْ رَقِيبًا

O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore, se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.”[2]

 يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّـهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا يُصْلِحْ لَكُمْ أَعْمَالَكُمْ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ وَمَنْ يُطِعِ اللَّهَ وَرَسُولَهُ فَقَدْ فَازَ فَوْزًا عَظِيمًا

“O besimtarë! Frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”[3]

Pas kësaj:

Më është dukur e arsyeshme në këtë tubim të begatë inshaAll-llah, që t’i përkujtoj vëllezërit prezentë dhe ata të cilëve u mbërrin fjala ime, për një çështje të cilën e mendoj se shumë prej muslimanëve janë të shkujdesur ndaj saj. Secili prej jush është në dijeni se përkujtimi i njerëzve rreth asaj që janë të shkujdesur, apo nuk janë në dijeni, është më parësore sesa biseda rreth çështjeve të cilat shpesh i kanë dëgjuar nga hatibët, mësuesit, vaizët, radiot apo nga mjetet e tjera të cilat i ka mundësuar Allahu në këtë kohë. Përderisa Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë:

خير الناس أنفعهم للناس

“Më i miri prej njerëzve, është ai më i dobishmi për njerëzit”, atëherë nuk ka dyshim se ne nxjerrim nga ky hadith, se të bërit dobi njerëzve arrihet duke i mësuar atyre çfarë nuk e dinë, si dhe përkujtimi i tyre të asaj që kanë harruar (apo janë të shkujdesur).

Prej këtij aspekti, është edhe njohja e auretit të gruas muslimane përpara gruas muslimane. Kjo, sepse në disa libra të fik’hut përmendet se aureti i saj përpara grave të tjera muslimane, është sikur e burrit përpara burrit; dmth çfarë është mes kërthizës dhe gjunjëve. Kjo do të thotë se gruas muslimane i lejohet që përpara motrës së saj muslimane të shfaqet me pjesën e sipërme të trupit, apo me gjysmën e trupit të saj të zbuluar! E njëjta gjë vlen edhe për pjesën poshtë gjunjëve!

Ajo që dua t’ju përkujtoj përpara çdo gjëje, është fakti se kjo dispozitë nuk ka argument në Kuran dhe as në Sunetin e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Gjëja tjetër, është se Libri i Allahut na mëson të kundërtën e këtij tolerimi në përcaktimin e auretit të gruas përpara motrës së saj muslimane.

Dijetarët e tefsirit përmendin se bukuria e gruas është dy llojesh:

  • Bukuri (stoli) e dukshme
  • Dhe bukuri (stoli) e fshehur, dhe këtë ndarje e kanë marrë nga dy ajete fisnike.

Ajeti i parë: thotë Allahu tebareke ue teala:

وَلا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلاَّ مَا ظَهَرَ مِنْهَا

“Dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme (ose ajo që nuk mund të fshihet).”[4]

Mos t’i shfaqin stolitë (dhe bukuritë) e tyre burrave të huaj, përveç atyre që janë të dukshme. Pra, bukuria e dukshme ka lidhje me njerëzit e huaj, dhe bukuri e dukshme, sikurse është vërtetuar në më shumë se një hadith nga Pejgamberi sal-lAllahu aljehi ue sel-lem, sa i përket femrës konsiderohen vetëm duart dhe fytyra, ndërsa pjesët e tjera janë bukuri të fshehura, të cilat nuk është e lejuar që të shfaqen përpara të huajve.

Ndërsa bukuria e fshehur, është ajo të cilën Allahu azze ue xhel-le e ka lejuar që të shfaqet përpara të gjithë mahremëve[5], dhe përpara gjitha grave muslimane, në ajetin e njohur ku Zoti ynë azze ue xhel-le thotë [në suren en-Nur: 31]:

وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا لِبُعُولَتِهِنَّ أَوْ آبَائِهِنَّ

“Dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre, ose baballarëve të tyre”, e kështu Zoti ynë azze ue xhel-le vazhdon të përmendë mahremët e tjerë, derisa thotë:

أَوْ نِسَائِهِنَّ أَوْ مَا مَلَكَتْ أَيْمَانُهُنّ

“Ose grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave).”[6]

Fjala e Allahut tebareke ue teala “Ose grave të tyre”, përmban argument të qartë se gruas muslimane, i lejohet të shfaqë bukurinë e saj të fshehtë që ia shfaq babait të saj, vëllait, motrës dhe mahremëve të tjerë; po ashtu edhe aureti i gruas përpara gruas muslimane është e kufizuar me këtë “bukuri të fshehtë”. Në mënyrë që ne të kuptojmë se çfarë është “bukuri e fshehtë”, ne duhet të kthehemi tek ajo që kanë qenë gratë në xhahiljet (në periudhën para Islame), përpara se ato të pranonin Islamin. Në momentin që ato e besuan Allahun, Pejgamberin dhe e morën Islamin për fè, u zbritën këto dispozita të cilat i sqarojnë këtyre grave, se çfarë lejohet të shfaqet përpara të huajve – dhe ato janë vetëm fytyra dhe duart e që janë “bukuri e dukshme” – dhe gjithashtu çfarë lejohet të shfaqin përpara mahremëve, e këto janë “bukuri e fshehtë”.

Çfarë është “bukuri e fshehtë”?

Këtu duhet të ndalemi pak tek komentimi që dijetarët i kanë bërë thënies së Allahut tebareke ue teala:

وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا لِبُعُولَتِهِنَّ

“Dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre”, ajeti. Çfarë është për qëllim me “dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre”?

A është për qëllim stolia (bukuria) në vetvete? Apo vendi i stolisë (dhe i bukurisë)? A është kuptimi i ajetit: të mos ua shfaqin vendet e stolive, edhe pse ato vende (dhe pjesë trupi) nuk janë të zbukuruara me stoli? Apo është për qëllim: mos t’i shfaqin ato pjesë (të trupit) kur janë të zbukuruara me stoli?

Dijetarët kanë dy mendime dhe padyshim që mendimi i saktë që dijetarët e tefsirit e kanë përkrahur është: të mos ua shfaqin vendet e stolive, dhe nuk është për qëllim: të mos ua shfaqin stolitë.

Kjo, për arsye se, nëse gruaja merr një varëse dhe e vendos në gjoks, apo në dorë, atëherë ajo e ka shfaqur stolinë e saj; a mos gruaja është ndaluar nga kjo? Përgjigja: Jo! Mirëpo gruaja është ndaluar nga shfaqja e stolisë në momentin kur është në vendin e saj (d.m.th. në pjesët e trupit).

Pra, qëllimi i ajetit “dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre”, d.m.th. vendet e stolive, duke përjashtuar mahremët, e më pas gratë muslimane sikurse thamë më sipër. Kjo na përkujton, se ka pjesë të trupit që edhe sot e kësaj dite, nuk ka qenë prej zakonit të grave që të vendosin stoli në to. Për shembull, a vendosen stolitë në kofshë? Përgjigja: Jo! A vendosen stolitë në shpinë? Përgjigja: Jo! A vendosen stolitë në gjinj? Përgjigja: Jo! A vendosen stolitë nën sqetull? Përgjigja: Jo! Sa do që të numëroni nga pjesët e trupit, përgjigja do të jetë jo dhe jo.

Pra, Zoti ynë tebareke ue teala në këtë ajet, u ka lejuar grave që mahremëve të tyre t’i shfaqin vendet ku vendosen stolitë, e jo tjetër gjë. Ka lejuar të shfaqen pjesët e trupit ku vendosen stolitë, e asgjë më tepër se kaq.

Në mënyrë që të përforcojmë këtë kuptim, ne duhet të kujtojmë thënien e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

المرأة عورة ، فإذا خرجت استشرفها الشيطان

“Femra është auret, e nëse ajo del, atëherë shejtani e vështron atë (dhe e zbukuron në sytë e burrave), d.m.th. ai e shikon dhe e frymëzon me gjëra që e provokojnë, si për shembull kur dikush i thotë: “Mirë se vjen! Sa e bukur qenke! Sa e mirë qenke! Sa e ëmbël”, e kështu me rradhë.

“Femra është auret, e nëse ajo del, atëherë shejtani e vështron atë (dhe e zbukuron në sytë e burrave).” Pra, gruaja është auret e gjitha, përveç pjesëve që janë bërë përjashtim nga Sheriati. Jemi njohur se Sheriati sa i përket bukurisë së dukshme, më e shumta që është bërë përjashtim (për të shfaqur) përpara të huajve, janë vetëm fytyra dhe duart. E sa i përket mahremëve, janë bërë përjashtim vendet e stolive. Mirëpo cilat janë vendet e stolive që kanë qenë në kohën e Pejgmaberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem? Ato janë të kufizuara dhe stolitë vendosen në vende të njohura:

E para prej tyre: byzylykët që vendosen në kyç të dorës.

E dyta: ed-deblexh [lloj byzylyku i trashë], që vendoset në krahun e gruas, në kollap.

E treta: et-tauk, që është një lloj varseje që vendoset në qafë dhe në një pjesë të kraharorit.

Dhe në fund: el khalkhaal [byzylyk këmbe], për të cilin Zoti ynë azze ue xhel-le ka përmendur dhe ka sqaruar se bën pjesë tek “bukuritë e fshehta”, kur ka thënë:

وَلَا يَضْرِبْنَ بِأَرْجُلِهِنَّ لِيُعْلَمَ مَا يُخْفِينَ مِن زِينَتِهِنَّ

“Dhe të mos i përplasin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta (që të mos dëgjohet zëri i kërcitjes së byzylykut të këmbëve).”[7]

Gruaja e cila devijonte, qoftë edhe pak nga mbulesa fetare dhe nga morali Islam që gruaja muslimane duhet të ketë, i rrihte këmbët (për tokë), në mënyrë që të dëgjohej zhurma e zileve që vendoseshin në khalkhaal; kjo gjë jepte një tingëllimë që tërhiqte shikimet e burrave drejt saj.

Kështu vepronin disa gra, sidomos në fillim të Islamit kur ato sapo kishin hyrë në Islam. Allahu tebareke ue teala i edukoi ato me këtë ajet dhe ka thënë:

وَلَا يَضْرِبْنَ بِأَرْجُلِهِنَّ لِيُعْلَمَ مَا يُخْفِينَ مِن زِينَتِهِنَّ

“Dhe të mos i përplasin këmbët (për tokë), në mënyrë që të mos duken stolitë e tyre të fshehta (që të mos dëgjohet zëri i kërcitjes së byzylykut të këmbëve).”[8]

Pra, kjo është stolia e fundit që njihet në kohën e parë të Islamit.

Nga ajeti i mëparshëm mësuam se Allahu azze ue xhel-le i ka lejuar grave që të shfaqin vendet e stolive. Në këtë mënyrë na bëhet e qartë se cilat janë ato pjesë të trupit që gruas i lejohet t’i shfaqë përpara babait së saj, vëllait, nipit dhe në fund fare përpara grave muslimane.

Pra, kemi dorën, parakrahun deri aty ku vendosej ed-deblexh. Më pas kemi kokën, sepse ka stoli që vendosen në veshë dhe në qafë, sikurse e përmendëm më lart. Pas kësaj kemi këmbën dhe një pjesë e kërcirit, pjesë ku vendoset khalkhaali. Këto janë pjesët që Allahu azze ue xhel-le i ka lejuar gruas që t’i shfaqë përpara mahremëve të saj, e njëkohësisht edhe përpara motrës së saj muslimane.

Po si jetojnë sot muslimanët nëpër shtëpitë e tyre? Ata jetojnë me një zhveshje, me një zbulim që më shumë i ngjan grave që nuk e njohin fènë e Allahut tebareke ue teala. Unë nuk e di sesa zhveshje ka në këto shtëpia, sepse unë jam i ri në këto vende, mirëpo tek ne në Siri dhe në Egjipt.. fol sa të duash rreth tolerimit që kanë njerëzit në shtëpitë e tyre në çështjen e zhveshjes. Gruaja zbulon një pjesë të madhe nga trupi i saj, më shumë se ajo që Allahu i ka lejuar të shfaqë; ato pjesë të lejuara janë vetëm vendet e stolive.

Për shembull: jemi sprovuar me rrobat e shkurta që nuk kanë mëngë, po ashtu me patallonat e shkurta që shfaqin kofshët.

Gratë sot, nënat dhe vajzat veshin të tilla rroba të shkurta. Vajza ulet përpara nënës së saj, madje përpara vëllait djalosh të ri, i cili është i mbushur me freski dhe epsh; ajo e ngre këmbën dhe e vendos mbi këmbë, e kështu kofsha e saj i duket lakuriq! E me çfarë preteksti?! Me pretekstin se s’ka njerëz të huaj dhe se ky është vëllai i saj! Kjo gjë është në kundërshtim me ajetin e parapërmendur, sepse siç thamë, Allahu ka lejuar shfaqjen e vendeve të stolive. Kofshët nuk kanë qenë ndonjëherë vende stolie, e ndoshta nuk do të jenë kurrë.

Në këtë formë gruaja del përpara vëllait të saj, pa përmendur që ajo del me parakrahë (kollapë) të zbuluar përpara babait të saj. Kjo është në kundërshtim me argumentin e lartpërmendur:

وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا لِبُعُولَتِهِنَّ

“Dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre”. Kollapi (parakrahu, pjesa e sipërme e krahut) nuk është vend stolie, gjithashtu sqetulla nuk është vend stolie. Të gjitha këto janë të ndaluara (që të zbulohen) dhe bëjnë pjesë tek fjala e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

المرأة عورة

“Femra është auret”.

Ndodhin gjëra edhe më të mëdha sesa këto. Gruaja që është nënë, hyn në banjë – në banjën e shtëpisë – dhe e urdhëron vajzën e saj që t’i lajë shpinën; e kjo gjë bëhet duke zbuluar shpinën, gjinjtë dhe pjesën e sipërme të trupit sikurse thamë, e kjo bëhet pa asnjëlloj problemi. Prej nga ka ardhur kjo gjë, në një kohë kur ajeti është i qartë dhe Zoti ynë azze ue xhel-le i ka lejuar gruas që të zbulojë vetëm vendet e stolive, ndërsa gjoksi nuk është vend stolie, as shpina nuk është vend stolie.

Selefët e devotshëm radijAllahu anhum, në shtëpitë e tyre jetonin brenda kufijve të zbulimit që Allahu i ka lejuar atyre, dhe nuk ka ekzistuar kjo zhveshje që është përhapur në vendet muslimane sot.

Unë dëshiroj të përkujtoj këtë kuptim të qartë që është në Kuran, të edukohemi me edukatën e Kuranit, të edukojmë me këtë gjë gratë tona, vajzat tona, e mos të ndikohemi nga ambjentet që na rrethojnë, sepse në të shumtën e rasteve këto ambjente tregojnë pasimin e zakoneve të Europës mosbesimtare. Pra, ne kemi për detyrë që të qëndrojmë tek ky ajet:

وَلَا يُبْدِينَ زِينَتَهُنَّ إِلَّا لِبُعُولَتِهِنَّ

“Dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre”.

Më pas, Allahu teala ka thënë:

أَوْ نِسَائِهِنَّ

“Ose grave të tyre” dhe këtu bëhet fjalë për gratë muslimane.

Këtu kemi një tjetër edukatë që kemi për detyrë të tregohemi të vëmendshëm ndaj saj, e cila ndodh në këto vende që Allahu tebareke ue teala i ka begatuar me pasuri të mëdha. Këtë fatkeqësi nuk e kam parë në vendet e tjera të varfra, e ajo është përdorimi gjithnjë e më shumë i shërbëtoreve mosbesimtare – pa përmedur shërbëtorët – për t’u shërbyer atyre në shtëpi.

Shërbëtorja mosbesimtare hyn në dhomat e gruas muslimane, ndërsa ajo është e veshur sikurse përpara burrit të saj! Kjo nuk lejohet! Gruaja muslimane duhet të mbulohet përpara gruas mosbesimtare, ashtu siç mbulohet përpara një burri musliman, pa përmendur atë që është mosbesimtar.

Gruas muslimane nuk i lejohet që të zbulojë përpara gruas mosbesimtare ndonjë pjesë të stolisë së saj të fshehtë, sepse Allahu azze ue xhel-le në realitet i ka lejuar asaj që “vendet e stolive” t’i zbulojë përpara grave muslimane. Jo më kot Allahu tebareke ue teala kur ka përmendur gratë që lejohet zbulimi përpara tyre, i ka bashkëngjitur me gratë muslimane duke thënë:

أَوْ نِسَائِهِنَّ

“Ose grave të tyre”, dhe nuk ka thënë ose “grave”, sepse do të përfshiheshin të gjitha gratë, qofshin ato muslimane apo mosbesimtare. Allahu nuk e ka thënë këtë gjë, mirëpo ka thënë:

أَوْ نِسَائِهِنَّ

“Ose grave të tyre”.

Pra, gruas muslimane nuk i lejohet që të bëjë lëshime me shërbëtoren mosbesimtare, e të shfaqet përpara saj ashtu siç shfaqet përpara grave muslimane sipas kufijve që përmenden nga Libri i Allahut tebareke ue teala.

Kjo është ajo që dëshirova të përkujtoj dhe përkujtimi i bën dobi besimtarëve.

 

Përktheu: Besmir Cacani

__________________

[1] Al Imran 102.

[2] En-Nisa’ 1.

[3] El Ahzab 70.

[4] En-Nur: 31.

[5] Gruaja ka për mahrem, dhe e ka të lejuar që të shfaqet përpara babasë së saj, djalit, vëllait, xhaxhasë, dajës, nipit nga ana e vëllasë, nipit nga ana e motërs. Këto janë shtatë kategori ku shkak i të qënit mahrem, është lidhja fisnore. Po të njëjtit persona bëhen mahrem nga gjidhënia; d.m.th. babai i saj nga gjidhënia, vëllai i saj nga gjidhënia e kështu me rradhë. Gjithashtu tek mahremët bëjnë pjesë edhe vjehërri, djalit i burrit, burri i nënës dhe burri i vajzës (d.m.th. dhëndërri). Këta katër të fundit, shkak i të qënit mahrem është lidhja martesore. (shp)

[6] En-Nur: 31.

[7] En-Nur: 31.

[8] En-Nur: 31.