REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Besime të gabuaraFestat e shpikura

A i lejohet muslimanëve që të kremtojnë mevludin pejgamberik? – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: a i lejohet muslimanëve që të kremtojnë në xhami dhe të përkujtojnë jetën e nderuar të Pejgamberit me datë 12 Rabiul Euel, me rastin e mevludit të nderuar pejgamberik, pa e bërë ditë pushimi si Bajrami? Kemi rënë në mospajtim lidhur me të, ca thonë bidat i mirë dhe ca thonë bidat i keq.

Përgjigjja: muslimanëve nuk i lejohet të bëjnë kremtime me rastin e mevludit të Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me datë 12 Rabiul Euel dhe me asnjë datë tjetër. Po ashtu, nuk lejohet që të bëjnë kremtime për mevludin e dikujt tjetër, sepse kremtimi i mevludeve është bidat i shpikur në fe. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk e ka kremtuar mevludin e tij kur ka qenë gjallë, ndërkohë që ai është përcjellësi i fesë, është ligjëruesi nga Zoti i tij i dispozitave fetare dhe nuk ka urdhëruar për të, as halifët e tij të drejtë nuk e kanë bërë, as sahabët e tjerë, as pasuesit e tyre të mirë gjatë brezave me vlerë nuk e kanë bërë. Nga kjo kuptohet se është bidat. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush shpik në çështjen tonë diçka që nuk është prej saj, atëherë ajo është e refuzuar.” Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi, ndërsa në një transmetim të Muslimit dhe të Buhariut në formë hadithi mual-lak, ka thënë: “Kush vepron një vepër që nuk përputhet me çështjen tonë, atëherë ajo është e refuzuar.”

Kremtimi i mevludeve nuk është prej fesë së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, mirëpo është prej gjërave të shpikura prej njerëzve në shekujt e mëvonshëm, andaj është diçka e refuzuar. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem thoshte në hytbet e tija të xhumasë: “Më pas: fjala më e mirë është Fjala e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Gjërat më të këqija janë ato të shpikura dhe çdo bidat është humbje.” E transmeton Muslimi në sahihun e tij, ndërsa Nesaiu e transmeton me sened të mirë dhe me shtesën: “Dhe çdo humbje është në Zjarr.”

Në vend të kremtimit të mevludit, mjafton mësimdhënia e lajmeve lidhur me lindjen [e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem] në mësimet e jetëshkrimit të tij, po ashtu historia e jetës së tij para Islamit dhe pas Islamit që mbahen në shkolla, në xhamia etj. Nuk është nevoja të shpiken kremtime që nuk janë ligjëruar nga Allahu, as nga Pejgamberi i Tij sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe që nuk kanë argument fetar.

Allahu na ndihmoftë! E lusim Allahun që të udhëzojë të gjithë muslimanët, e t’i japë sukses që të mjaftohen me Sunetin dhe të ruhen nga bidati.

 

Burimi: Mexhmu’ fetaua 4/289.

Përktheu: Besmir Cacani