REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Besime të gabuaraFestat e shpikura

Debat me ata që e lejojnë kremtimin e mevludit – Shejh Muhamed Nasirudin el Albani

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

 

Shejh Albani: kremitimi i mevludit, a është mirë apo keq?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: është diçka i mirë!

 

Shejh Albani: mirë! A nuk kishte njohuri Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) rreth kësaj mirësie?!

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: jo…

 

Shejh Albani: unë tani nuk bindem prej teje me thënien ‘jo’. Ti menjëherë duhet të thuash: është e pamundur që kjo e mirë –nëse vërtet është e mirë – apo të tjera të mira të jenë të panjohura për Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe shokët e tij. Ne e kemi njohur Islamin dhe Imanin vetëm përmes Muhamedit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); pra, si mundet që ne të kemi njohuri për një të mirë që nuk e ka ditur ai?! Kjo është e pamundur.

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: kremtimi i mevludit është ringjallje e kujtimit të tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe kjo gjë përbën nderim për të.

 

Shejh Albani: ne i njohim këto filozofira, i dëgjojmë prej shumë njerëzve, i kemi lexuar tek librat e tyre. Mirëpo, Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), kur i bëri thirrje njerëzve, a i bëri thirrje tek i gjithë Islami apo i bëri thirrje për në Teuhid?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: i bëri thirrje për në Teuhid.

 

Shejh Albani: fillimisht i bëri thirrje për në Teuhid, pastaj u bë obligim namazi, pastaj agjërimi, më pas haxhi dhe për këtë arsye ti vazhdo sipas kësaj metode fetare hap pas hapi.

 

Ne tani ramë dakort se është e pamundur që të kemi një të mirë dhe ajo të ketë qenë e panjohur për Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). A është kështu?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: po!

 

Shejh Albani: gjitha të mirat, ne i kemi njohur përmes Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe për këtë nuk ka asnjë kundërshtim, po ashtu unë besoj se kush ka dyshim rreth kësaj gjëje, ai nuk është musliman.

 

Prej fjalëve të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) që e mbështesin këtë gjë, është thënia e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem):

ما تركتُ شيئاً يقربكم إلى الله إلا وأمرتكم به

“Nuk ka gjë e cila ju afron për tek Allahu, vetëm se ju kam urdhëruar për të.”

 

Nëse mevludi është diçka i mirë dhe është prej gjërave që të afrojnë për tek Allahu me grada, atëherë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) duhet të na ketë treguar rreth tij.

 

E saktë apo jo?

 

Unë nuk dëshiroj që të aprovosh çfarë them pa u bindur për çdo gërmë që e flas. Ti ke lirinë e plotë të thuash: “Të lutem! Tek kjo pikë nuk jam bindur.”

 

A ke ndonjë pengësë deri tani për atë që kam thënë? Ti po ecën me mua plotësisht?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: jam plotësisht me ty!

 

Shejh Albani: Allahu ta shpërbleftë! Atëherë:

ما تركتُ شيئاً يقربكم إلى الله إلا وأمرتكم به

“Nuk ka gjë e cila ju afron për tek Allahu, vetëm se ju kam urdhëruar për të.”

 

Të gjithë atyre që shprehin lejueshmërinë e kremtimit të mevludit, ne i themi:

 

Ky mevlud është i mirë sipas pretendimit tuaj. Tani, Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ose na ka treguar për të, ose nuk ka treguar. Nëse ata thonë: “Na ka treguar!”

 

Ne themi:

هَاتُوا بُرْهَانَكُمْ إِنْ كُنْتُمْ صَادِقِينَ

“Sillni argumentin tuaj nëse jeni të sinqertë për atë që e flisni.” [El Bekareh: 111].

 

Ata nuk do të jenë në gjendje të sjellin argument kurrë. Ne i kemi lexuar shkrimet e Aleviut dhe të tjerëve për këtë çështje dhe ata argumentohen vetëm me thënien: “Ky është bidat i mirë!!”

 

Ata thonë: “Ky është bidat i mirë!!”

 

Që të gjithë – qofshin ata kremtues të mevludit apo refuzues të tij – të gjithë janë të pajtuar se ky mevlud nuk ka egzistuar në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), as në kohën e sahabëve të nderuar dhe as në kohën e imamëve.

Mirëpo, ata që e lejojnë këtë kremtim thonë: “Ç’të keqe ka në mevlud? Mevludi është përkujtim i Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), salavat për të” dhe të ngjashme.

 

Ne themi: “Nëse është gjë e mirë, ata (të parët tanë) do të na paraprinin.”

 

Ti e din hadithin e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem):

خير الناس قرني ثم الذين يلونهم ثم الذين يلونهم

“Njerëzit më të mirë janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.”

 

Brezi i tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) është ai që sahabët kanë jetuar në të, pas tyre vijnë tabi’inët, më pas vijnë etbau’ et-tabi’in. Për këtë nuk ka ndonjë mospajtim. A je në gjëndje të imagjinosh një të mirë qoftë ajo dituri apo vepër dhe ne t’i kemi paraprirë ata? A është kjo e mundur?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: nga aspekti i diturisë, sikur Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) t’u kishte thënë të pranishëmve në kohën e tij se toka rrotullohet…

 

Shejh Albani: më fal! Të lutëm mos u shmang (mos devijo në bisedë). Unë të pyeta për dy gjëra, për dituri dhe vepra. Në realitet kjo shmangie e yte më dha dobi. Unë po flas për dituri fetare jo për diturinë e mjekësisë përshembull. Unë them se doktori në kohën tonë, është më i ditur se Ibn Sina (Aviçena) në kohë të vet, sepse jeton pas shumë brezash dhe pas shumë eksperimentesh. Kjo nuk e lëvdon tek Allahu dhe as që e bën t’i paraprijë brezave të lëvduar, por e bën të lëvdueshëm për diturinë e tij (që është i specializuar). Ne tani po flasim për diturinë fetare, Allahu të begatoftë! Duhet të tregohesh i vëmendshëm rreth kësaj. Kur unë të them: a mund të jemi ne më të ditur sesa ata, kemi për qëllim diturinë fetare dhe jo diturinë eksperimentale si gjeografija, astronomia, kimia apo fizika. Supozo p.sh. një njeri në kohën tonë qe e mohon Allahun dhe Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), por ai është njeriu më i ditur rreth këtyre diturive, a mundet kjo që ta afrojë tek Allahu në grada?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: Jo!

 

Shejh Albani: Atëherë ne nuk po flasim tani rreth këtyre diturive, mirëpo po flasim për diturinë me të cilën afrohemi tek Allahu (tebareke ue teale). Pak më përpara po flisnim për kremtimin e mevludit, dhe tani pyetja përsëritet dhe shpresoj të marr përgjigjen me qartësi dhe pa një shmagie të dytë.

 

Them: me mençurinë dhe dijen që të është dhënë, a beson se është e mundur për ne – dhe ne jetojmë ne kohë të fundit –, a mund të jemi më të ditur se sahabët, tabi’inët dhe imamët muxhtehidë në dijet fetare, të jemi më të shpejtë në veprat e mira dhe në adhurimin e Allahut sesa këta selefë të devotshëm?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: me dituri fetare, a ke për qëllim komentimin e Kuranit?

 

Shejh Albani: ata janë më të ditur se ne për komentimin e Kuranit, ata janë më të ditur se ne për komentimin e hadithit të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe si përfundim ata janë më të ditur se ne për Sheriatin Islam.

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: sa i përket komentimit të Kuranit, ndoshta tani jemi më të ditur sesa në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem); p.sh. ajeti Kuranor:

وَتَرَى الْجِبَالَ تَحْسَبُهَا جَامِدَةً وَهِيَ تَمُرُّ مَرَّ السَّحَابِ صُنْعَ اللَّهِ الَّذِي أَتْقَنَ كُلَّ شَيْءٍ إِنَّهُ خَبِيرٌ بِمَا تَفْعَلُونَ

“Ti i shikon malet e mendon se janë të palëvizshme, por ato do të lëvizin si retë. E tillë është fuqia e Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë. Ai di mirë çdo gjë që bëni ju.” [En-Neml: 88].

 

Sikur Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) t’i thoshte ndonjërit në kohë të tij se toka rrotullohet, a mund ta besonte dikush atë?! Nuk do ta besonte kush.

 

Shejh Albani: atëherë ti dëshiron – dhe mos na e merr për keq – që të shënojmë një shmangie të dytë nga ana yte. O vëlla! Unë po të pyes për tërësinë dhe jo për një pjesë. Ne po të pyesim një pyetje të përgjithshme, për Islamin në tërësi, kush është më i ditur rreth tij?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: natyrisht Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe sahabët e tij.

 

Shejh Albani: kjo është ajo që dëshirojmë prej teje, Allahu të begatoftë! Pastaj komentimit që ti po i sillesh vërdallë, nuk ka lidhje me veprat, por ka lidhje me mendimin dhe kuptimin. Ne kemi biseduar me ty rreth ajetit që parapërmende dhe të vërtetuam se ata të cilët e përdorin atë ajet për të pohuar rrotullimin e tokës gabojnë, sepse ajeti ka lidhje me Ditën e Gjykimit:

يَوْمَ تُبَدَّلُ الْأَرْضُ غَيْرَ الْأَرْضِ وَالسَّمَاوَاتُ وَبَرَزُوا لِلَّهِ الْوَاحِدِ الْقَهَّار

“Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Fitimtarit Allah.” [Ibrahim: 48].

 

Gjithsesi ne nuk po flasim për këtë. Unë po të dorëzohem ty në këtë debat; mundet që një person nga të mëvonshmit të ketë njohuri rreth një realiteti shkencor apo kozmik më shumë sesa një sahab apo tabi’in, mirëpo kjo nuk ka lidhje me veprat e mira. Sot p.sh. mosbesimtarët janë më të ditur sesa ne në diturinë e astronomisë etj, por a përfitojnë ndonjë gjë nga kjo (tek Allahu)? Nuk përfitojnë asgjë!

 

Tani ne nuk dëshirojmë të thellohemi në këtë gjë, ne dëshirojmë të thellohemi rreth çdo gjëje që të afron me grada tek Allahu; dëshirojmë të flasim për kremtimin e mevludit.

 

U pajtuam se po të kishte qenë mevludi diçka i mirë, atëherë të parët e devotshëm – me në krye Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) – do të ishin më të ditur se ne dhe më të shpejtë për të vepruar me atë dituri. A ka ndonjë dyshim rreth kësaj?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: jo! Jo nuk ka dyshim rreth kësaj.

 

Shejh Albani: mos iu shmang kësaj për t’iu drejtuar çështjeve të dijes eksperimentale të cilat nuk kanë lidhje me afrimin tek Allahu me vepra të mira.

 

Tani! Ky mevlud nuk ka egzistuar në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) – me pajtimin e të gjithëve –, atëherë kjo e mirë nuk ka egzistuar në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), as në kohën e sahabëve dhe as në kohën e imamëve muxhtehidë; si mund të ketë qenë e panjohur për ta kjo e mirë?!

 

Domosdo ne duhet të shprehim njërën nga këto dy gjëra:

 

Ose e kanë ditur këtë të mirë sikurse e dimë edhe ne – dhe ata janë më të ditur sesa ne – ose nuk e kanë ditur; andaj si është e mundur që ne ta dimë?!

 

Nëse themi: e kanë ditur – dhe kjo thënie është më e afërta (tek e vërteta) dhe më e mira për mbështetësit e kremtimit të mevludit – atëherë pse nuk e kanë vepruar?!

 

Mos vallë ne jemi më afër tek Allahu në grada?!

 

Pse asnjëri prej tyre nuk gaboi të paktën një herë, qoftë ai sahab, tabi’in, dijetar apo asket nga mesi i tyre dhe nuk veproi me këtë të mirë?!

 

A është e pranueshme për mendjen tënde që asnjëri prej tyre  mos të veprojë asnjëherë me këtë të mirë?! Ata janë miliona, janë më të ditur, më të devotshëm dhe më afër Allahut me grada se ne?! Ti ke njohuri – sipas mendimit tim – rreth thënies së Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem):

لا تسبوا أصحابي ؛ فوالذي نفس محمد بيده لو أنفق أحدكم مثل جبل أُحدٍ ذهباً ما بلغ مُدَّ أحدهم ولا نَصيفَهُ

“Mos i shani (ofendoni) shokët (sahabët) e mi! Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, sikur dikush nga ju të japë lëmoshë sa mali i Uhudit me flori, nuk e arrin dot vlerën e asaj që japin ata me dy grushta, ose me një dorë.”

A vëren sa dallim ka mes nesh dhe tyre?!

 

Kjo, sepse ata kanë luftuar në Rrugën e Allahut të Lartësuar sëbashku me Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Ata e kanë marrë diturinë të freskët nga ai, pa këta ndërmjetësa të shumtë mes nesh dhe mes Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem). Këtë kuptim e ka shprehur edhe Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në hadithin e saktë:

من أحب أن يقرأ القرآن غضاً طرياً فليقرأهُ على قراءة ابن أم عبد

“Kush dëshiron ta lexojë Kuranin të feskët (sikur ka zbritur), atëherë le ta lexojë sipas leximit të Ibën Ummi Abd.” D.m.th. sipas leximit të Abdullah ibën Mes’udit.

 

Ata selefë të devotshëm me në krye sahabët (riduanUllahi alejhim), nuk mund t’i imagjinojmë se nuk kanë patur njohuri rreth një të mire që i afron tek Allahu me grada, ndërsa ne e kemi njohur atë.

E nëse themi: kanë patur njohuri sikur kemi edhe ne, atëherë nuk mund ta imagjinojmë kurrësesi që ata e kanë neglizhuar këtë të mirë.

 

Ndoshta ta sqarova këtë pikë rreth të cilës po i sillem përreth inshaAllah?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: elhamdulil-lah!

 

Shejh Albani: Allahu ta shpërbleftë! Ka edhe diçka tjetër, ka shumë ajete dhe hadithe të cilat sqarojnë se Islami është plotësuar. Mendoj se je i ndërgjegjshëm dhe e beson këtë realitet dhe nuk da dallim mes dijetarit, nxënësit të dijes dhe masës së gjerë lidhur me këtë realitet, që është: se Islami është plotësuar dhe nuk është si hebraizmi dhe krishtërimi të cilat çdo ditë kanë ndryshime dhe zëvendësime.

 

Po të jap shembull thënien e Allahut të Lartësuar:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْأِسْلامَ دِيناً

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” [El Maideh: 3].

 

Tani shtrohet pyetja; dhe kjo është një tjetër metodë për të bërë të qartë se kremtimi i mevludit nuk është diçka i mirë sikur është e mirë rruga tjetër, që është: sikur të ishte diçka e mirë, atëherë selefët e devotshëm do të na paraprinin, sepse ata janë më të ditur dhe të devotshëm.

 

Nëse ky mevlud është i mirë, atëherë është pjesë e Islamit. Kështu që themi: të gjithë sëbashku – refuzues të këtij kremtimi bashkë me lejuesit e tij – a jemi të pajtuar në një gjë të vetme – siç jemi që ky mevlud nuk ka egzistuar në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) – a jemi të pajtuar se ky mevlud po të ishte i mirë, atëherë do të ishte pjesë e Islamit, e nëse nuk është i mirë, atëherë nuk është pjesë e Islamit? Nëse ne pajtohemi se kremtimi i këtij mevludi nuk ka egzistuar kur është zbritur ajeti i parapërmendur, atëherë është fare qartë se nuk është pjesë e Islamit.

 

Këtë që shpreha e përforcoj me fjalët e imam Malik ibën Enesit i cili ka thënë: “Kush shpikën në Islam një bidat – shiko, ai thotë një bidat të vetëm dhe nuk thotë shumë bidate – të cilin e mendon të mirë, ai vetëm se ka pretenduar se Muhamedi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) e ka tradhëtuar Mesazhin e Allahut.”

 

Kjo është diçka shumë e rrezikshme. Cili është argumenti o imam?

 

Imam Maliku ka thënë: “Lexoni nëse dëshironi thënien e Allahut të Lartësuar:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْأِسْلامَ دِيناً

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” Çfarë nuk ka qenë asokohe pjesë e Fesë, nuk ka si të jetë tani pjesë e saj.” Mbaroi fjala e imam Malikut.

 

Kur e tha këtë fjalë imam Maliku? E tha në shekullin e dytë të hixhretit, në njërën prej periudhave kohore të dëshmuara (nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) për mirësinë e saj.

 

Si mund të qëndrojë çështja me shekullin e katërmbëdhjetë?!!

 

Këto fjalë shkruhen me bojë floriri; mirëpo ne jemi të hutuar nga Libri i Allahut të Lartësuar, nga hadithet e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), nga fjalët e imamëve të cilët pretendojmë se i pasojmë, por që në realitet jemi larg tyre sikur lindja me perëndimin.

 

Ja dhe imam Maliku i cili me gjuhë të kuptueshme arabe thotë: “Çfarë nuk ka qenë asokohe pjesë e Fesë, nuk ka si të jetë tani pjesë e saj.”

 

Sot kremtimi i mevludit është bërë prej Fesë, e po të mos kishte qenë mevludi, nuk do të bëhej ky debat mes dijetarëve të kapur pas Sunnetit dhe dijetarëve që mbrojnë bidatin.

 

Si mund të jetë mevludi prej Fesë kur ai nuk ka egzistuar në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), as në kohën e sahabëve, as në kohën e tabi’inëve dhe as në kohën e etbau’ et-tabi’in?!

 

Imam Maliku është prej etbau’ et-tabi’inëve dhe përfshihet nga hadithi:

خير القرون قرني ثم الذين يلونهم ثم الذين يلونهم

“Brezi më e mirë janë brezi im, pastaj ata që vijnë pas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre.”

 

Imam Maliku ka thënë: “Çfarë nuk ka qenë asokohe pjesë e Fesë, nuk ka si të jetë tani pjesë e saj. Fundi i këtij ummeti përmirësohet vetëm se me atë (gjë) që është përmirësuar fillimi i tij.”

 

Me çfarë është përmirësuar fillimi i ummetit? A është përmirësuar me shpikjen në Fe dhe adhurim të Allahut me çfarë nuk e ka adhuruar Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)?!!

 

Në një kohë kur Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) thotë:

ما تركتُ شيئاً يقربكم إلى الله إلا وأمرتكم به

“Nuk ka gjë e cila ju afron për tek Allahu, vetëm se ju kam urdhëruar për të.”

 

Pse Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk na ka urdhëruar që të kremtojmë mevludin (ditëlindjen e tij)?

 

Kjo pyetje ka si përgjigje: ka kremtim të mevludit që është i lejuar, dhe është i kundërt i këtij mevludi jo të ligjëruar. Ky mevlud i ligjëruar ka egzistuar në kohën e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), në të kundërt të atij jo të ligjëruar, dhe me një dallim të madh mes tyre.

 

I pari prej dallimeve është se: kremtimi i ligjëruar është adhurim për të cilin gjithë muslimanët kanë rënë në pajtim.

 

Dallimi i dytë se: kremtimi i ligjëruar përsëritet një herë në javë, ndërsa kremtimi jo i ligjëruar përsëritet vetëm një herë në vit.

 

Këto janë dy dallime mes këtyre dy kremtimeve: i pari është adhurim dhe përsëritet çdo javë, ndërsa i dyti nuk është i ligjëruar, as që është adhurim dhe as që përsëritet çdo javë.

 

Unë nuk ju flas fjalë pa argumenta, mirëpo ju përcjell juve një hadith nga sahihu i Muslimit (Allahu e mëshiroftë) nga Ebu Katade el Ensarij se ka thënë:

 

“Erdhi një burrë tek Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe tha: O i Dërguari i Allahut! Çfarë thua rreth agjërimit të ditës së hënë? Ai tha:

ذاك يومٌ وُلِدتُ فيه ، وأُنزل القرآن عليَّ فيه

Në atë ditë kam lindur dhe në atë ditë më është shpallur Kurani.”

 

Çdo të thotë kjo?

 

Ai sikur është duke thënë: si më pyet për atë ditë kur Allahu më ka nxjerrë në jetë dhe atë ditë më ka shpallur Kuranin?!

 

D.m.th. është mirë që ta agjëroni ditën e hënë, si falenderim i Allahut që më ka krijuar mua dhe më ka shpallur Kuranin atë ditë.

 

Kjo është e ngjashme me agjërimin e ditës së Ashures nga ana e çifutëve. Ndoshta ju keni njohuri se përpara se të bëhej obligim agjërimi i Ramazanit, ka qenë obligim agjërimi i ditës së Ashures.

 

Është transmetuar në disa hadithe, se kur Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka bërë hixhret në Medine, i gjeti çifutët që agjëronin ditën e Ashures. Ai i pyeti rreth kësaj dhe ata thanë: në këtë ditë Allahu ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij nga Faraoni dhe ushtria e tij, ndërsa ne e agjëruam atë si falenderim për Allahun. Me këtë rast Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha:

نحن أحق بموسى منكم

“Ne kemi më shumë të drejta karshi Musait se ju.” E agjëroi atë ditë dhe urdhëroi që të agjërohej, e kështu u bë obligim derisa zbriti thënia e Allahut të Lartësuar:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنْزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ هُدىً لِلنَّاسِ وَبَيِّنَاتٍ مِنَ الْهُدَى وَالْفُرْقَانِ فَمَنْ شَهِدَ مِنْكُمُ الشَّهْرَ فَلْيَصُمْه

“Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” [El Bekare: 185].

 

E kështu agjërimi i Ashures u bë Sunet dhe u shfuqizua obligueshmëria e tij.

 

Dëshmia nga kjo që thamë, është se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) ka marrë pjesë në agjërimin e ditës së Ashures me çifutët si falenderim për Allahun që e ka shpëtuar Musain nga Faraoni; po ashtu edhe ne na e ka lënë hapur portën e falenderimit, me agjërimin e ditës së hënë, sepse është ditë në të cilën ka lindur Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) në të, e gjithashtu i ka ardhur Shpallja.

 

Tani unë po të pyes: ata të cilët e kremtojnë mevludin që u njoftuam se nuk është i mirë, jam në dijeni se shumë prej tyre e agjërojnë ditën e hënë ashtu siç e agjërojnë edhe ditën e enjte; por a e agjërojnë shumica e muslimanëve ditën e hënë?

 

Jo! Ata nuk e agjërojnë ditën e hënë, por shumica e tyre e kremtojnë mevludin një herë në vit. A nuk është ky ndryshim i realitetit?! Atyre u përputhet thënia e Allahut të Lartësuar që e ka thënë për çifutët:

أَتَسْتَبْدِلُونَ الَّذِي هُوَ أَدْنَى بِالَّذِي هُوَ خَيْرٌ

“Vërtet doni të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?!” [El Bekare: 61].

 

E mirë është të agjërosh atë që gjithë muslimanët kanë rënë në pajtim; agjërimin e ditës së hënë, e megjithatë shumica e muslimanëve nuk e agjërojnë!!!

 

Le të vijmë tek ata të cilët e agjërojnë këtë ditë, dhe ata janë të paktë; a kanë ata njohuri rreth sekretit të agjërimit të kësaj dite?

 

Jo! Nuk nuk kanë.

Ku janë dijetarët të cilët mbrojnë mevludin, pse nuk i sqarojnë njerëzve se agjërimi i ditës së hënë është një kremtim i ligjëruar i ditëlindjes së Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem), pse nuk i nxisin për këtë gjë në vend që të mbrojnë kremtimin e pa ligjëruar?!!!

 

Allahu i Larësuar ka thënë të drejtën në ajetin:

أَتَسْتَبْدِلُونَ الَّذِي هُوَ أَدْنَى بِالَّذِي هُوَ خَيْرٌ

“Vërtet doni të ndërroni atë që është më e mirë me atë që është më e dobët?!” [El Bekare: 61].

 

Të drejtën ka thënë Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kur është shprehur:

للتتبعنَّ سَنن من قبلكم شبراً بشبر وذراعاً بذراع حتى لو دخلوا جحر ضب لدخلتموه

“Do të ndiqni udhët e atyre që kanë qenë përpara jush, pëllëmbë për pëllëmbë, pash për pash, edhe nësa ata hyjnë në vrimën e hardhucës, ju do t’i ndiqni.”

 

Ndërsa në një transmetim tjetër thuhet:

حتى لو كان فيهم من يأتي أمه على قارعة الطريق لكان فيكم من يفعل ذلك

“Edhe nëse ndonjëri prej tyre bën imoralitet me nënën e tij në mes të rrugës, do të ketë prej jush që e bën atë.”

 

Ne kemi ndjekur udhët e çifutëve, kemi ndërruar atë që është më e mirë me atë që është më e dobët, siç e kemi ndërruar mevludin që kremtohet një herë në vit dhe që nuk ka bazë në Fe, e kemi marrë në vend të asaj që është më e mirë; që është kremtimi i çdo dite të hënë, i cili është kremtim i ligjëruar duke e agjëruar atë ditë. Vejmë në dukje se sekreti i këtij agjërimi, është që të bëhet si falenderim i Allahut të Lartësuar se ka krijuar Pejgamberin (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) dhe ka zbritur Shpalljen.

 

Po e përfundoj fjalën me përkujtimin e thënies së Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem):

أبى الله أن يقبل توبة مبتدع

“Allahu ka refuzuar që ta pranojë pendimin e bidatçiut.”

 

Ndërsa Allahu i Lartësuar thotë:

يَا أَيُّهَا الرَّسُولُ بَلِّغْ مَا أُنْزِلَ إِلَيْكَ مِنْ رَبِّكَ وَإِنْ لَمْ تَفْعَلْ فَمَا بَلَّغْتَ رِسَالَتَهُ وَاللَّهُ يَعْصِمُكَ مِنَ النَّاسِ

“O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; Allahu të ruan ty prej njerëzve.” [El Maideh: 67].

 

Është transmetuar tek sahihu i Muslimit se njëri nga tabi’inët ka shkuar tek Aishja (radijAllahu anhe)…

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: a nuk është leximi i jetëshkrimit të Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nderim për të?

 

Shejh Albani: po!

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: tek kjo gjë ka shpërblim, a ka kjo shpërblim tek Allahut?

 

Shejh Albani: kjo gjë i përmban të gjitha të mirat, por ty nuk të bën dobi kjo pyetje. Për këtë arsye unë po të ndërpres me një pyetje tjetër: a të pengon ndokush të lexosh jetëshkrimin e Pejgamberit (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem)?

 

Unë po të pyes tani një pyetje: nëse kemi një adhurim të ligjëruar, mirëpo Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) nuk i ka caktuar një kohë të veçantë, as një formë të caktuar; a na lejohet që t’i përcaktojmë këtij adhurimi kohë apo formë (mënyrë)? A ke ndonjë përgjigje?

 

Bashkëbiseduesi i shejhut: jo! Nuk kam përgjigje.

 

Shejh Albani: Allahu i Lartësuar ka thënë:

أَمْ لَهُمْ شُرَكَاءُ شَرَعُوا لَهُمْ مِنَ الدِّينِ مَا لَمْ يَأْذَنْ بِهِ اللَّهُ

“A kanë ata idhuj, të cilët u kanë caktuar një Fe që nuk e ka lejuar Allahu?!” [Esh-Shura: 21].

 

Gjithashtu thotë:

اتَّخَذُوا أَحْبَارَهُمْ وَرُهْبَانَهُمْ أَرْبَاباً مِنْ دُونِ اللَّهِ وَالْمَسِيحَ ابْنَ مَرْيَمَ وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا إِلَهاً وَاحِداً لا إِلَهَ إِلَّا هُوَ سُبْحَانَهُ عَمَّا يُشْرِكُونَ

“Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një të Adhuruar, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim).” [Et-Teubeh: 31].

 

Kur Adij ibën Hatim (radijAllahu anhu) e ka dëgjuar këtë ajet – dhe ai ka qenë para Islamit i krishterë – kishte paqartësi dhe tha: “Ne nuk i kemi adhuruar ata.” Me këtë rast Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) tha:

أليس يحرمون ما أحل الله فتحرمونه ويحلّون ما حرم الله، فتحلونه؟ فقال: بلى. قال : فتلك عبادتهم

“A nuk ju ndalonin çfarë kishte lejuar Allahu e ju e bënit të ndaluar, dhe ju lejonin çfarë Allahu kishte ndaluar e ju e lejonit?” Tha: Po! Ashtu është. Tha: “Ky ka qenë adhurimi që i keni bërë atyre.”

 

Kjo bën të qartë rrezikun e shpikjes në Fenë e Allahut të Lartësuar.

 

Burimi: kaseta 94/1 e vargut silsiletul hude uen-nur i shejh Muhamed Nasirudin Albanit.

Përktheu: Besmir Cacani