REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Mbrojtja e dijetarëveMenhexh

Rreziku i zhvlerësimit të dijetarëve dhe cilësimit të tyre si “rrogëtarë” dhe “lajkatarë” – Shejh Salih el Feuzan

Ata që i zhvlerësojnë dijetarët, që ia ulin vlerën, që i largojnë njerëzit prej tyre dhe i cilësojnë me cilësime të shëmtuara, që i cilësojnë si “rrogëtarë” dhe si “lajkatarë” me pushtetarët sipas pretendimit të tyre; këta dëshirojnë të bëhen pengesë mes dijetarëve dhe njerëzve, në mënyrë që t’u jepet atyre mundësi për të përhapur mendimet e këqija, e mos të pranohen sqarime prej dijetarëve lidhur me këto mendime dhe dyshime. Kjo është ajo që dëshirojnë armiqtë e Allahut dhe Pejgamberit të Tij.

Dëgjoni çfarë është transmetuar lidhur me tillë njerëz!

Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem po kthehej nga beteja e Tebukut, ai u ndal në një vend për të pushuar dhe bashkë me të edhe sahabët.

Një grup i ushtrisë që ishin bashkë me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u tubuan dhe ishin njerëz fetarë dhe besimtarë. Ata u ulën të bisedonin dhe njëri prej tyre tha: “Nuk kemi parë më gënjeshtarë se lexuesit tanë të Kuranit, më barkalecë dhe më frikacakë në luftë.” Me këto fjalë kishin për qëllim Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe shokët e tij. Të tjerët heshtën dhe nuk e kundërshtuan, përveç një djaloshi të ri që e kundërshtoi dhe i tha: “Gënjen! Mirëpo ti je mynafik (hipokrit)! Do ta lajmëroj Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem!” Ky djalosh quhej Auf ibën Malik radijAllahu anhu.

Djaloshi shkoi tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem që ta lajmëronte, mirëpo Shpallja kishte zbritur më herët. Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i kishte zbritur lajmi i tyre dhe Allahu azze ue xhel-le ka thënë:

وَلَئِن سَأَلْتَهُمْ لَيَقُولُنَّ إِنَّمَا كُنَّا نَخُوضُ وَنَلْعَبُ ۚ قُلْ أَبِاللَّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ (65) لَا تَعْتَذِرُوا قَدْ كَفَرْتُم بَعْدَ إِيمَانِكُمْ

“Nëse i pyet, ata do të të përgjigjen: “Ne vetëm po bënim shaka dhe po luanim”. Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” [Et-Teubeh: 65-66].

Shikoni, ata kanë qenë besimtarë në origjinë, mirëpo e mohuan fenë (bënë kufër) pasi patën besuar; nuk kanë qenë mynafikë që në fillim, ata kanë qenë besimtarë. Kur i thanë këto fjalë, ata kanë qenë prej besimtarëve, kanë qenë me Pejgamberin, me ushtrinë dhe, kur i thanë ato fjalë Allahu zbriti këto ajete për ta.

Këta të fundit shkuan tek Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem duke u shfajësuar dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! Kemi qenë duke folur fjalë të udhëtarit dhe po kalonim rrugën.” Kryesori i tyre ka qenë i kapur për fretë e devesë së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe thoshtë: “O i Dërguari i Allahut! Kemi qenë duke folur fjalë të udhëtarit dhe po kalonim rrugën.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk kthehej nga ai, madje ia lexonte këtë ajet:

قُلْ أَبِاللَّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ (65) لَا تَعْتَذِرُوا قَدْ كَفَرْتُم بَعْدَ إِيمَانِكُمْ

“Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” [Et-Teubeh: 65-66].

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem kishte marrë drejtim dhe kishte hipur kafshën e tij, derisa gjunjët e këtij burri që shfajësohej, fërkoheshin për gurë, ndërsa Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk kthehej nga ai, sepse Allahu e kishte urdhëruar që t’i thoshte atyre:

قُلْ أَبِاللَّهِ وَآيَاتِهِ وَرَسُولِهِ كُنتُمْ تَسْتَهْزِئُونَ (65) لَا تَعْتَذِرُوا قَدْ كَفَرْتُم بَعْدَ إِيمَانِكُمْ

“Thuaj: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni? Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar.” [Et-Teubeh: 65-66].

Ky ajet përfshin secilin që tallet me dijetarët dhe tallet me diturinë fetare; ky ajet e përfshin. Andaj, i tillë person është nën një kërcënim të ashpër dhe cilësohet me këtë cilësi të keqe. Ai që tallet me Pejgamberin, që tallet me Kuranin, që tallet me diturinë dhe tallet me dijetarët, ai është nën këtë rrezik, ue la haula ue la kuvvete il-la bil-lah.

Ky nuk i zhvlerëson apo i shanë dijetarët për shkak të personalitetit të tyre, mirëpo i shanë për shkak të diturisë që ata e bartin; i shanë për shkak të virtytit të tyre dhe jo për shkak të personalitetit të tyre, andaj ata i përfshin ky gjykim, ue la haula ue la kuvvete il-la bil-lahil Alijil Adhim.

Dijetarët duhen nderuar, duhen respektuar dhe duhet marrë prej tyre dituria. Dituria duhet të merret prej tyre, sepse kjo dituri është amanet që dijetari duhet ta çojë në vend, duhet ta përhapë, duhet ta japë mësim, duhet t’ia sqarojë njerëzve dhe t’ia ngarkojë njërzve të tjerë pas tij, siç ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem:

يحمل هذا العلم من كل خلف عدوله

“Këtë dituri e përcjellin njerëzit e drejtë të çdo brezi.”

Kjo dituri duhet të ketë patjetër kush do ta përcjellë, patjetër do të ketë përcjellësa, të cilët janë dijetarët. Dituria nuk merret prej librave, mirëpo merret nga dijetarët.

Disa prej Selefëve kanë thënë: “Vërtet kjo dituri është fe, andaj shikoni se nga kush po e merrni fenë tuaj.” D.m.th. shikoni nga po e merrni diturinë tuaj. Dituria është sikur prejardhja, patjetër duhet të ketë prejardhje; ky që po pretendon diturinë, nga kush e ka marrë diturinë? Ashtu siç thua: “Kush është babai i filanit, kush është gjyshi i tij?” po ashtu thua: “Kush është dijetari i filanit? Nga kush ka mësuar? Nga kush e ka marrë diturinë?”

Kështu është dituria brez pas brezi.

Dijetarët duhen respektuar, duhet të dihet vlera e tyre dhe të merret prej tyre dituria. Allahu xhel-le ue ala’ ka thënë:

فَاسْأَلُوا أَهْلَ الذِّكْرِ إِن كُنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ

“Andaj pyesni dijetarët nëse nuk dini!” [En-Nahl: 43].

Duhet rikthyer tek dijetarët për të mësuar, për fetva, për pyetje, për gjykim dhe për çdo çështje të muslimanëve. Dijetarët janë ata që mbajnë zgjidhje për këto çështje, për këto probleme, andaj duhet kthyer tek ta.

Nëse ne hedhim dyshime tek dijetarët, atëherë i largojmë njerëzit nga kërkimi i diturisë, i largojmë njerëzit nga dijetarët dhe pastaj kush do t’i drejtojë njerëzit?! Do t’i drejtojnë njerëzit e devijuar dhe do t’i orientojnë sipas dëshirave të tyre, për t’i bërë armë me të cilën akuzojnë Islamin dhe muslimanët.

Dijetarët i ka nderuar dhe lëvduar Allahu. Dijetarët i ka nderuar dhe lëvduar Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Dalin njerëz që i zhvlerësojnë, që largojnë prej tyre dhe i cilësojnë me cilësi të këqia; ky e ka kundërshtuar Allahun dhe Pejgamberin e Tij, e ka armiqësuar Allahun dhe Pejgamberin e Tij, ky i ka mashtruar muslimanët, andaj duhet treguar vëmendje ndaj tilla çështjeve.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani