REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AkideBesime të gabuara

Injoranca apo besimi i gabuar i atij që thotë se nuk ka nevojë për mësimin e Teuhidit – Shejh Salih el Feuzan

Pyetja: disa njerëz përsërisin se ne jemi veçues të Allahut në adhurim, andaj nuk kemi nevojë të mësojmë Teuhidin; çfarë mendoni për këtë fjalë?

Përgjigjja: Allahu na dhëntë mirëqënie! Kjo është injorancë ose besim i gabuar. Teuhidi duhet mësuar patjetër, sepse ajo që nuk e di, është më e madhe se ajo që e di; nëse ke njohuri rreth Teuhidit. Për këtë, dijetarët e kanë dhënë mësim Teuhidin që nga koha e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, deri në kohën tonë. Ata e kanë dhënë mësim në xhamia, shkolla, tubime dhe kanë shkruar libra rreth Teuhidit. Njeriu nuk e lëvdon veten e thotë “unë e njoh Teuhidin”. Mbase ka gjëra të shumta që nuk i di, gjëra që nëse i lë apo i bën, e mangësojnë Teuhidin, andaj patjetër duhet t’i dish ato dhe të frikësohesh për veten nga të gabuarit në Akide. Ibrahimi alejhis-selam, ka thënë:

وَاجْنُبْنِي وَبَنِيَّ أَنْ نَعْبُدَ الأَصْنَامَ

“Më largo mua dhe bijtë e mi nga adhurimi i idhujve.”[1]

Edhe pse Ibrahimi është ai që i theu idhujt, që u ndëshkua, që u lëndua për këtë gjë, Ibrahimi alejhis-salatu ues-selam duroi. Megjithatë, Ibrahimi frikësohet për veten e vet nga sprovimi.

Njeriu nuk e lëvdon veten e të thotë “unë e di, unë jam besimtar dhe unë…”

Jo, kjo nuk lejohet, ky është vetëmashtrim, Allahu na mbroftë.

Nëse sprova zbret, ajo i përfshin të gjithë dhe i gllabëron njerëzit, përveç ata që Allahu azze ue xhel-le i mëshiron dhe i shpëton prej saj. Njeriu duhet të frikësohet për veten nga sprova, sidomos nëse nuk ka njohuri rreth çështjeve të Akides, pasi ai do të bie në to patjetër. Ai nuk mund të largohet nga shirku pa e njohur se çfarë është shirku dhe cilat janë llojet e tij. Ai nuk mund të jetë veçues i Allahut në adhurim derisa të njohë Teuhidin, të njohë cilat janë llojet e Teuhidit dhe të ketë njohuri të plotë. Sa i përket injorantit, ai është i shfaqur ndaj rrezikut.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] Ibrahim: 35.