REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Gjykimi i marrjes mes’h mbi meste dhe kushtet e saj – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja 74: shejh i nderuar! Çfarë gjykimi ka marrja mes’h mbi meste dhe cilat janë kushtet e kësaj gjëje?

Përgjigjja: marrja mes’h mbi meste është transmetuar në formë muteuatir në Sunet nga Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Është thënë:

Prej haditheve që kanë ardhur në Sunet muteuatir

“Kush gënjen”, “kush ndërton një xhami për Allahun dhe shpreson”

Shikimi i Allahut, shefati dhe Haudi

Marrja mes’h mesteve.. këto janë disa

Madje edhe Kurani e argumenton këtë, tek fjala e të Lartësuarit:

فَاغْسِلُوا وُجُوهَكُمْ وَأَيْدِيَكُمْ إِلَى الْمَرَافِقِ وَامْسَحُوا بِرُءُوسِكُمْ وَأَرْجُلَكُمْ إِلَى الْكَعْبَيْنِ

“Lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje.”[1] Sipas një leximi tjetër nga shtatë leximet e sakta, këmbët kthehen tek fshirja dhe jo tek larja, andaj kuptimi është: kokën fshijeni me dorë të lagur dhe këmbët fshijini me duar të lagura. Dihet se fshirja me duar të lagura është diçka e kundërt me larjen, andaj nuk mund të themi se ajeti tregon për obligueshmërinë e larjes dhe fshirja me duar të lagura është vetëm për një rast, mirëpo ajeti është për dy raste. Suneti e ka sqaruar këtë gjë dhe ka treguar se larja bëhet kur këmbët janë të zbuluara, ndërsa fshirja e tyre bëhet kur këmbët janë të mbuluara me çorape apo meste. Ky argumentim është i qartë për atë që e mediton.

Sidoqoftë, marrja mes’h mbi meste dhe çorape është diçka e vërtetuar që ska vend për dyshim në të. Për këtë, imam Ahmedi ka thënë: “Nuk kam diçka në zemër lidhur me marrjen mes’h”, d.m.th. se nuk kam asnjë lloj dyshimi. Marrja mes’h ka kushte:

Kushti i parë: veshja e tyre duke qenë i pastër. Argument për këtë është hadithi i el Mugiratu ibnu Shu’bes radijAllahu anhu, se ka thënë: isha me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në një udhëtim, ai mori abdes dhe unë doja t’ia hiqja mestet, ndërsa ai më tha: “Lëri mestet, sepse i kam veshur duke qenë i pastër” dhe mori mes’h.[2] Nëse njeriu i vesh mestet pa qenë i pastër (me abdes), atëherë e ka për detyrë që kur merr abdes t’i heqë për të larë këmbët, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka treguar shkakun pse nuk i ka hequr mestet gjatë abdesit dhe marrjes mes’h, ka thënë se shkaku është veshja e mesteve duke qenë i pastër: “I kam veshur duke qenë i pastër.”

Kushti i dytë: të merret mes’h në kohën e përcaktuar fetarisht, që është një ditë dhe natë për vendaliun, tre ditë dhe tre netë për udhëtarin. Koha fillon nga hera e parë që merret mes’h pasi është prishur abdesi, deri në fund të kohës. Gjithë koha që ka kaluar pa marrë mes’h, nuk i llogaritet njeriut, edhe sikur të kalojnë dy apo tre ditë pa e prishur abdesin me të cilin i ka veshur mestet apo çorapet, kjo kohë nuk llogaritet. Njeriut i llogaritet koha me marrjen e parë mes’h, deri në fund të kohës, që është një ditë dhe natë për vendaliun, tre ditë dhe tre netë për udhëtarin, siç e thamë më lart.

Shembull: një burrë i ka veshur mestet apo çorapet kur ka marrë abdes për namazin e sabahut, ditën e diel. Ai e ka mbajtur abdesin derisa ka falur namazin e jacisë, pastaj ka fjetur. Kur është zgjuar nga gjumi për të falur sabahun ditën e hënë, ka marrë mes’h, andaj koha e tij fillon nga marrja mes’h për namazin e sabahut në ditën e hënë, ngase kjo është hera e parë që merr mes’h pas prishjes së abdesit. Koha i mbaron sipas asaj që thamë më lart.

Kushti i tretë: të merret mes’h nga prishja e abdesit dhe jo për xhunubllek. Nëse është xhunub, nuk merr mes’h, mirëpo e ka për detyrë që t’i heqë mestet dhe të lajë të gjithë trupin e tij, për hadithin e Safuan ibën Assalit i cili ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar që mos t’i heqim mestet tona për tre ditë dhe tre netë kur të jemi në udhëtim, përveç në rast xhunublleku, mirëpo (t’i mbajmë veshur) në rast të nevojës së madhe, urinës dhe gjumit.”[3]

Është vërtetuar në Sahihun e Muslimit, nga hadithi i Aliut radijAllahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka caktuar kohën e marrjes mes’h “një ditë dhe një natë për vendaliun, tre ditë dhe tre netë për udhëtarin.”[4]

Këto janë tre kushte që duhen plotësuar patjetër, në mënyrë që marrja mes’h mbi meste të jetë e lejuar. Ka edhe të tjera kushte rreth të cilave dijetarët nuk janë pajtuar, mirëpo rregulli mbi të cilin bazohen dispozitat fetare, thotë: në origjinë njerëzit nuk janë të ngarkuar me kusht, me obligim apo ndalim, derisa të ngrihet argument për to.

 

Burimi: Fik’hul ibadat.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Maideh: 6.

[2] Transmeton Buhariu, kitabul vudu, babun idhe edkhale rixhlejhi ue hume tahirateni, nr. 206, Muslimi, kitabu et-taharati, babul mes’hi alal khuffejn, nr. 274.

[3] Transmeton Tirmidhiu, kitabu et-taharati, babul mes’hi alal huffejni, nr. 96, Nesaiu, kitabu et-taharati, babu teukitil me’hi alal huffejni lil musafir, nr. 127, Ibën Maxheh, kitabu et-taharati, babul vudui minen-neumi, nr. 478, Ahmedi në Musned 4/239, 240. Tirmidhiu ka thënë: hadithi është hasen-sahih.

[4] Transmeton Muslimi, kitabu et-taharati, babul et-teukiti fil mes’hi alal khuffejn, nr. 276.