REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Tefsir

Baza në tefsir (pjesa 3) – Shejh Muhamed ibën Salih el Uthejmin

4- Ajetet Mekij dhe ajetet Medenij.

Kurani i ka zbritur Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i ndarë në pjesë, për 23 vite.  Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shumicën e kohës e kaloi në Mekë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَقُرْآنًا فَرَقْنَاهُ لِتَقْرَأَهُ عَلَى النَّاسِ عَلَىٰ مُكْثٍ وَنَزَّلْنَاهُ تَنزِيلً

“Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.”[1]

Prandaj, dijetarët Allahu i mëshiroftë, e kanë ndarë Kuranin në dy pjesë: një pjesë quhet Mekij dhe një pjesë Medenij.[2]

Mekij: quhet çfarë i është zbritur Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem para se të bënte hixhret për në Medine.

Medenij: quhet çfarë i është zbritur Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pasi bëri hixhret për në Medine.

Bazuar mbi këtë, fjala e Allahut:

الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الْإِسْلَامَ دِينًا ۚ

“Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.”[3] Kjo bën pjesë tek lloji Medenij, edhe pse ky ajet i zbriti Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në Haxhin e Lamtumirës në Arafat. Në Sahihun e Bukhariut[4] trasmetohet nga Umeri radijAllahu anhu se ka thënë: “E dimë atë ditë po ashtu dhe vendin në të cilin i zbriti Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. I zbriti kur ai ishte në këmbë në Arafat, në ditën e xhuma.”

 

Lloji Mekij dallon nga ai Medenij nga metoda dhe përmbajtja:

Sa i përket metodës:

  1. Në përgjithësi, ajetet Mekase kanë metodë të fortë dhe fuqi në kërkesë, sepse atyre që po u drejtohet fjala, janë përgjithësish kundërshtues dhe mendjemëdhenj, andaj vetëm kjo u përshtatet. Lexo suret el Muddethir dhe el Kamer për këtë gjë. Kurse ajetet Medinase, në përgjithësi përmbajnë butësi dhe lehtësi në të drejtuar, sepse atyre që po u drejtohet fjala, janë përgjithësish të afruar dhe të bindur. Lexo suren el Maide për këtë.
  2. Në përgjithësi, ajetet Mekase janë të shkurtra dhe konçize në argumentim, sepse atyre që po u drejtohet fjala, janë kokëfortë dhe kundërshtues, andaj komunikimi me ta është sipas gjendjes së tyre. Lexo suren et-Tur për këtë. Kurse ajetet Medinase, në përgjithësi janë të gjata, ku përmenden dispozitat dhe të gjata, sepse gjendja e tyre e kërkon këtë gjë. Lexo ajetin që flet për borxhin në suren Bekare.

Sa i përket përmbajtjes:

  1. Në përgjithësi, ajetet Mekase pohojnë Teuhidin dhe besimin e saktë, veçanërisht atë çfarë lidhet me Teuhidin Uluhije dhe besimin në ringjallje; sepse shumica e atyre që po u drejtohet fjala i mohonin ato. Kurse ajetet Medinase, në përgjithësi përmbajnë sqarimin e adhurimeve dhe rregullave ndërmjet njerëzve, sepse njerëzit që po u drejtohet fjala, e njihnin Teuhidin dhe besimin e saktë, andaj kishin nevojë për sqarimin e adhurimeve dhe rregullave ndërmjet njëri-tjetrit.
  2. Përmendja e shpeshtë e xhihadit, e rregullave që lidhen me të, përmendja e munafikëve dhe gjendjes së tyre në ajetet Medinase, sepse situata e kërkon këtë gjë, për shkak se xhihadi u ligjërua, po ashtu u shfaqën munafikët, e kundërta e ajeteve Mekase.

 

DOBITË E NJOHJES SË AJETEVE MEDINASE DHE MEKASE

Njohja e ajeteve Medinase dhe Mekase është një lloj prej llojeve të diturive të Kuranit të rëndësishme. Kjo, sepse përmban disa dobi:

  1. Del qartë elokuenca e Kuranit në shkallët e saja më të larta, sepse i drejtohet çdo grup të njerëzve në varësi të gjendjes së tyre, për nga fuqia apo ashpërësia, ose për nga butësia apo thjeshtësia.
  2. Del qartë urtësia e ligjvënies në qëllimet e saja më të larta, sepse zbret pjesë-pjesë, sipas rëndësisë e në varësi të gjendjes së atyreve që po u drejtohet fjala dhe në varësi të përgatitjes së tyre për të pranuar dhe zbatuar (përmbajtjen e ajeteve).
  3. Edukimi i thirrësve për tek Allahu i Lartësuar, orientimi i tyre që të ndjekin Kuranin në mënyrë dhe tematikë, në varësi të atyreve që po u drejtohet thirrja, duke filluar nga më e rëndësishmja, duke përdorur ashpërësinë në vendin e vet, e po ashtu dhe butësinë në vendin e vet.
  4. Dallimi i ajeteve shfuqizuese dhe ato të shfuqizuara[5] në rastin kur kemi dy ajete; një Mekase dhe tjetra Medinase, realizohen kushtet e shfuqizimit, sepse ajeti Medinas e shfuqizon atë Mekas, ngase ajeti Medinas ka zbritur më vonë.

 

URTËSIA E ZBRITJES SË KURANIT PJESË-PJESË

Nga ndarja e Kuranit në Mekij dhe Medenij, na bëhet e qartë se i ka zbritur Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem pjesë-pjesë, e nga zbritja e tij në këtë formë, ka urtësi të shumta, ku disa prej tyre janë:

  1. Përforcimi i zemrës së Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Këtë e tregon fjala e Allahut të Lartësuar:

وَقَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لَوْلَا نُزِّلَ عَلَيْهِ الْقُرْآنُ جُمْلَةً وَاحِدَةً ۚ كَذَٰلِكَ لِنُثَبِّتَ بِهِ فُؤَادَكَ ۖ وَرَتَّلْنَاهُ تَرْتِيلًا  (32) وَلَا يَأْتُونَكَ بِمَثَلٍ إِلَّا جِئْنَاكَ بِالْحَقِّ وَأَحْسَنَ تَفْسِيرًا (33)

Jobesimtarët thonë: “Përse Kurani nuk i është shpallur i tëri përnjëherë?!” Ne ta kemi shpallur kështu (d.m.th. kështu e kemi zbritur, pjesë-pjesë) për të forcuar zemrën tënde dhe ta kemi zbuluar qartazi varg pas vargu. Sapo ata të të sjellin çfarëdo shembulli (për t’i penguar njerëzit nga rruga e Allahut), Ne të sjellim të Vërtetën dhe shpjegimin më të mirë.”[6]

  1. Është më e lehtë për njerëzit që ta mësojnë, ta kuptojnë dhe të veprojnë sipas tij, sepse atyre i lexohet pjesë-pjesë. Allahut i Lartësuar thotë:

وَقُرْآنًا فَرَقْنَاهُ لِتَقْرَأَهُ عَلَى النَّاسِ عَلَىٰ مُكْثٍ وَنَزَّلْنَاهُ تَنزِيلً

“Ky është një Kuran, që Ne e kemi ndarë pjesë-pjesë, që ti t’ua mësosh njerëzve pak nga pak, duke e shpallur atë kohë pas kohe.”[7]

  1. Gjallërimi i vendosmërisë për të pranuar dhe vepruar me atë që zbret prej Kuranit, kështu njerëzit e presin me padurim dhe dëshirë zbritjen e ajetit, sidomos kur nevoja është e madhe, si në historinë e trillimit ndaj Aishes, apo historinë e mallkimit.
  2. Përshkallëzimi në ligjvendosje, derisa të plotësohet përfundimisht, si me ajetet që zbritën për alkoolin të cilët njerëzit ishin të mësuar dhe rritur me të. Ishte e vështirë për njerëzit që të përballeshin me ndalesën e alkoolit në mënyrë përfundimtare, kështu që në fillim zbriti fjala e Allahut të Lartësuar

يَسْأَلُونَكَ عَنِ الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ ۖ قُلْ فِيهِمَا إِثْمٌ كَبِيرٌ وَمَنَافِعُ لِلنَّاسِ وَإِثْمُهُمَا أَكْبَرُ مِن نَّفْعِهِمَا ۗ

“Të pyesin ty për alkoolin dhe bixhozin. Thuaju: “Ato sjellin dëme të mëdha (gjynahe), por edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, dëmi i tyre është më i madh se dobia.”[8] Ky ajet ishte shtysë për ta në vetet e tyre që ta pranonin ndalesën, sepse logjika të çon që të mos përdorësh atë gjë që e ka dëmin më të madh sesa dobia.

Pastaj zbriti përshkallëzimi i dytë, fjala e Allahut të Lartësuar:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَقْرَبُوا الصَّلَاةَ وَأَنتُمْ سُكَارَىٰ حَتَّىٰ تَعْلَمُوا مَا تَقُولُونَ

“O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni.”[9] Në këtë ajet kishte ushtrim për ta që ta lenin alkoolin në disa kohë, pra në kohët e namazeve. Më pas zbriti përshkallëzimi i tretë, fjalët e Allahut të Lartësuar

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْخَمْرُ وَالْمَيْسِرُ وَالْأَنصَابُ وَالْأَزْلَامُ رِجْسٌ مِّنْ عَمَلِ الشَّيْطَانِ فَاجْتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ (90) إِنَّمَا يُرِيدُ الشَّيْطَانُ أَن يُوقِعَ بَيْنَكُمُ الْعَدَاوَةَ وَالْبَغْضَاءَ فِي الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ وَيَصُدَّكُمْ عَن ذِكْرِ اللَّهِ وَعَنِ الصَّلَاةِ ۖ فَهَلْ أَنتُم مُّنتَهُونَ (91) وَأَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَاحْذَرُوا ۚ فَإِن تَوَلَّيْتُمْ فَاعْلَمُوا أَنَّمَا عَلَىٰ رَسُولِنَا الْبَلَاغُ الْمُبِينُ

“O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e shejtanit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, shejtani me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë? Bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit! Kujdes! Nëse nuk ia vini veshin, ta dini se i Dërguari ka për detyrë vetëm të përçojë shpalljen e qartë!”[10] Këto ajete janë ndalesë e prerë për konsumimin e alkoolit në çdo kohë, e kjo mbasi u bë një përgatitje për njerëzit dhe pasi u ushtruan për ta lënë në disa kohë.

 

RENDITJA E KURANIT

Renditja e Kuranit: leximi i Kuranit bëhet ajet për ajet, ashtu siç është i shkruar në mus’hafe dhe është i ruajtur nëpër gjokse.

Renditja e Kuranit është tre llojesh:

Lloji i parë: renditja e fjalëve, ku çdo fjalë është në vendin e duhur në ajet. Kjo është e miratuar me argument dhe ixhma’. Nuk dimë të këtë kundërshtim lidhur me obligueshmërinë e kësaj gjëje, apo që e kundërshton faktin se është e ndaluar kjo lloj renditje. Për shembull nuk lejohet të lexohet:

Li-lahil hamdu rabbil ālemin, mirëpo duhet të lexohet:

الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ

Elhamdulil-lahi  rabbil alemin.[11]

Lloji i dytë: renditja e ajeteve duke vendosur çdo ajet në vendin e tij në sure. Kjo është e miratuar me argument dhe ixhma’, po ashtu sipas mendimit më të saktë (kjo lloj renditje) është obligim dhe ndalohet të kundërshtohet. Për shembull nuk lejohet të lexosh:

Maliki jeumiddin, er-Rahmani er-Rahim, mirëpo duhet të lexohet

الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ (3) مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ

Er-Rahmani er-Rahim, maliki jeumiddin.[12]

Ka ardhur një hadith në sahihun Bukhariut,[13] se AbduAllah ibën ezZubejri i tha Uthman ibën Affanit, radijeAllahu anhum, në lidhje me fjalën e Allahut:

وَالَّذِينَ يُتَوَفَّوْنَ مِنكُمْ وَيَذَرُونَ أَزْوَاجًا وَصِيَّةً لِّأَزْوَاجِهِم مَّتَاعًا إِلَى الْحَوْلِ غَيْرَ إِخْرَاجٍ ۚ

“Ata prej jush, të cilëve iu është afruar vdekja dhe kanë gra për të lënë pas, duhet t’u lënë atyre në testament mjetet për të jetuar një vit, pa i bërë që të dalin nga shtëpia.”[14] E ka shfuqizuar ajeti tjetër:

وَالَّذِينَ يُتَوَفَّوْنَ مِنكُمْ وَيَذَرُونَ أَزْوَاجًا يَتَرَبَّصْنَ بِأَنفُسِهِنَّ أَرْبَعَةَ أَشْهُرٍ وَعَشْرًا ۖ

“Gratë të cilave iu vdes burri, duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë (pas vdekjes së tij).”[15] Megjithatë, ky lexohet para ajetit të parapërmendur. I tha: “Pse e shkruan atë ajet?” Uthmani radijeAllahu anhu tha: “O biri i vëllait tim, unë nuk ndryshoj asgjë nga vendi që ka qenë.”

Po ashtu, kanë transmetuar imam Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Tirmidhiu, nga Uthmani radijAllahu anhu, se Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ue sel-lem i zbrisnin sure me shumë ajete, e kur i zbriste diçka, i thërriste disa prej atyre që merreshin me shkrimin e ajeteve dhe i thoshte: “Këto ajete vendosini tek kjo sure, ku përmendet kjo e kjo.”[16]

Lloji i tretë: renditja e sureve duke vendosur çdo sure tek vendi i posaçëm në mus’haf. Kjo është miratuar me ixhtihad, andaj nuk është e obligueshme.

Ka ardhur në sahihun e Muslimit,[17] nga Hudhejfe ibnul Jeman radijAllahu anhu, se një natë është falur me Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem lexoi suren elBekare, pastaj suren en-Nisa’, pastaj Ali Imran.

Gjithashtu Bukhariu[18] transmeton si hadith mual-lak[19] nga el-Ahnef se: në rekatin e parë lexoi suren el Kehf, në të dytin suren Jusuf apo Junus. Ai ka përmendur se është falur me të njëjtat sure, bashkë me Umer ibnul Khatabin në namazin e sabahut.

Shejkhul Islam Ibën Tejmije ka thënë: “Lejohet të lexosh këtë sure para asaj tjetrës[20] dhe po ashtu në shkrimin e tyre. Për këtë, mus’hafet në kohën e sahabëve radijAllahu anhum kanë qenë të larmishme, mirëpo pasi ranë dakort për mus’hafin e Uthmanit në kohën e tij radijAllahu anhu, atëherë kjo u bë prej Suneteve të khalifëve të drejtë, dhe hadithi dëshmon se ata kanë Sunet që duhet ndjekur.”

 

…vijon në numrin e ardhshëm inshaAllah…

Burimi: Usulun fit-Tefsir 17-23.

Përktheu: Idris Manushi

_______________________

[1] El Isra’ 106.

[2] Mekase dhe Medinase. (shp)

[3] El Maide 3.

[4] Buhariu në kapitullin “Besimi”, tema “Shtimi dhe pakësimi i besimit”, numër 45. Muslimi në kapitullin “Tefsiri”, tema “Komentim i ajeteve të ndryshme” hadithi 3015.

[5] En-Nesikh uel mensukh (الناسخ والمنسوخ). (shp)

[6] El Furkan 32-33.

[7] El Isra’ 106.

[8] El Bekare 109.

[9] En-Nisa’ 43.

[10] El Maide 90-92.

[11] Lavdi Allahut, Zotit të krijesave.” El Fatiha 1.

[12] “Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Sunduesit të Ditës së Gjykimit.” El Fatiha 2-3.

[13] Buhariu në kapitullin “Tefsiri”, tema: “Fjala e Allahut të Lartësuar: “Gratë të cilave iu vdes burri, duhet të presin katër muaj e dhjetë ditë.” Numër 4530.

[14] El Bekare 240.

[15] El Bekare 234.

[16] Ahmedi 399, Ebu Daudi 786, Nesaiu në “el Kubra” 8007 dhe Tirmidhiu 3086.

[17] Muslimi në kapitullin “Namazi i udhëtarëve”, tema “Pëlqimi i zgjatjes së leximit në namazin e natës” hadithi 772.

[18] Buhariu në kapitullin “Ezani”, tema “Bashkimi mes dy sureve në një rekat”.

[19] D.m.th. e ka përmendur si hadith, mirëpo pa zinxhir transmetimi. (shp)

[20] D.m.th. lejohet të lexohet kjo që është para asaj tjetrës në renditjen e mus’hafit. (shp)