REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AkideImani dhe Teuhidi

Besimi në Libra – Shejh Salih el Feuzan

Besimi në Librat e Allahut është një prej bazave dhe shtyllave të Imanit.

Besimi në Libra nënkupton besimin e prerë se ato janë të vërteta, se janë fjalë e Allahut të Lartësuar, e në to ka udhëzim, dritë dhe mjaftueshmëri për ata që i janë zbritur.

Ne besojmë librat që Allahu i ka përmendur me emra, si: Kurani, Teurati, Inxhili dhe Zeburi, po ashtu besojmë edhe librat që nuk janë përmendur me emra, sepse Allahu ka zbritur libra që vetëm Ai i di.

Zbritja e librave është tregues i mëshirës së Allahut ndaj robërve të Tij, ngase njerëzit kanë nevojë për to; mendja e njeriut është e kufizuar dhe nuk mund t’i dijë detajet të cilat janë të dobishme dhe ato që janë të dëmshme, edhe pse ai mund të dallojë ndryshimin midis të keqes dhe të mirës në mënyrë të përgjithshme. Mendja e njeriut është e predispozuar të anojë më shumë nga epshi, qëllimet dhe epshet lodrojnë me të, e nëse njerëzimi do mbështetej në mendje të cekëta, atëherë do të devijonte dhe humbiste.

Është urtësi dhe mëshirë e Allahut që të zbriste këto libra tek të dërguarit e Tij të zgjedhur, që t’iu sqaronin njerëzve përmbajtjen a tyre dhe çfarë përfshijnë prej rregullave të drejta, këshillave të dobishme, urdhëresave dhe ndalesave që garantojnë të mirën e njerëzimit.

Allahu i Lartësuar i tha Ademit, babait të njerëzimit, mbasi e nxorri nga Xheneti:

فَإِمَّا يَأْتِيَنَّكُم مِّنِّي هُدًى فَمَن تَبِعَ هُدَايَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

“Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen.”[1]

Gjithashtu ka thënë i Lartësuari:

يَا بَنِي آدَمَ إِمَّا يَأْتِيَنَّكُمْ رُسُلٌ مِّنكُمْ يَقُصُّونَ عَلَيْكُمْ آيَاتِي ۙ فَمَنِ اتَّقَىٰ وَأَصْلَحَ فَلَا خَوْفٌ عَلَيْهِمْ وَلَا هُمْ يَحْزَنُونَ

“O bijtë e Ademit, kur nga gjiri juaj të vijnë të dërguar që ju shpjegojnë shpalljet e Mia, atëherë ata që ruhen nga të këqijat dhe kryejnë vepra të mira, nuk do të frikësohen e as do të pikëllohen.”[2]

Njerëzit në lidhje me Librat janë ndarë në tre pjesë:

  1. Një pjesë i kanë përgënjeshtruar të gjitha, e ata janë armiqtë e të dërguarve prej mohuesve, idhujtarëve dhe filozofëve.
  2. Një pjesë tjetër i besuan të gjithë Librat, e ata janë besimtarët, të cilët besuan të gjithë të Dërguarit dhe atë që iu zbrit atyre, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِ وَالْمُؤْمِنُونَ ۚ كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ وَمَلَائِكَتِهِ وَكُتُبِهِ وَرُسُلِهِ

“I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij.”[3]

  1. Një pjesë besuan në disa Libra dhe i mohuan disa të tjerë, e ata janë çifutët, të krishterët dhe çdo kush që ecën në rrugën e tyre, të cilët thonë:

نُؤْمِنُ بِمَا أُنزِلَ عَلَيْنَا وَيَكْفُرُونَ بِمَا وَرَاءَهُ وَهُوَ الْحَقُّ مُصَدِّقًا لِّمَا مَعَهُمْ ۗ

“Ne besojmë në atë që na është shpallur neve”, duke mos besuar në atë që është zbritur më pas, ndonëse ajo është e Vërteta që pohon Shkrimet e tyre.”[4]

Madje ata besojnë në një pjesë të librave të tyre dhe i mohojnë pjesën tjetër, siç ka thënë Allahu i Lartësuar për ta:

أَفَتُؤْمِنُونَ بِبَعْضِ الْكِتَابِ وَتَكْفُرُونَ بِبَعْضٍ ۚ فَمَا جَزَاءُ مَن يَفْعَلُ ذَٰلِكَ مِنكُمْ إِلَّا خِزْيٌ فِي الْحَيَاةِ الدُّنْيَا ۖ وَيَوْمَ الْقِيَامَةِ يُرَدُّونَ إِلَىٰ أَشَدِّ الْعَذَابِ ۗ وَمَا اللَّهُ بِغَافِلٍ عَمَّا تَعْمَلُونَ

“Mos vallë, një pjesë të Librit (Teuratit) e besoni, kurse pjesën tjetër e mohoni?! Cilido prej jush që vepron kështu, do të ndëshkohet me poshtërim në këtë jetë, ndërsa në Ditën e Kiametit do të dërgohet në dënimin më të ashpër. Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj veprimeve tuaja.”[5]

Nuk ka dyshim se të besosh në një pjesë të Librit, apo në disa Libra, e pastaj t’i mohosh një pjesë të tyre, do të thotë të mohosh të gjithë Librat, sepse duhet patjetër të besosh të gjithë Librat qiellorë dhe të gjithë të dërguarit. Imani duhet të jetë patjetër i bashkuar tërësisht, pa dallime, ndarje, pa ndarje dhe pa dallime. Allahu i Lartësuar i ka qortuar ata të cilët janë ndarë dhe përçarë në lidhje me Librin. Allahu i Lartësuari ka thënë:

وَإِنَّ الَّذِينَ اخْتَلَفُوا فِي الْكِتَابِ لَفِي شِقَاقٍ بَعِيدٍ

“Sigurisht, ata që nuk pajtohen rreth Librit, janë të përçarë dhe larg së vërtetës.”[6]

Shkaku i mohimit të Librave nga ana e tyre, apo mohimit të disa prej tyre, apo të mohimit të një pjese të Librit është një; është pasimi i ëndjeve dhe i dyshimeve të rreme, gjithashtu pretendimi se kanë llogjikën, mendimin dhe analogjinë e mendjes. Ata vetëquhen të urtë dhe filozofë, ndërsa tallen me të dërguarit dhe ndjekësit e tyre, po ashtu i cilësojnë se janë mendjelehtë. Allahu i Lartësuar ka thënë:

فَلَمَّا جَاءَتْهُمْ رُسُلُهُم بِالْبَيِّنَاتِ فَرِحُوا بِمَا عِندَهُم مِّنَ الْعِلْمِ وَحَاقَ بِهِم مَّا كَانُوا بِهِ يَسْتَهْزِئُونَ

“Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin vetë; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.”[7]

Kurse ndjekësit e të dërguarve besojnë në çdo libër që e ka zbritur Allahu, nuk bëjnë dallime mes tyre.

Besimi në librat e kaluar është besim i përgjithshëm, i cili është me pohim të zemrës dhe gjuhës, kurse besimi në Kuran është i detajuar, i cili është me pohim të zemrës dhe gjuhës, me pasimin e asaj që përmban, me marrjen për gjykues në çdo të vogël dhe të madhe, me besimin se është Fjala e Allahut e zbritur dhe nuk është i krijuar, që ka nisur nga Ai dhe tek Ai do të kthehet.

Nga urtësia e Allahut është se Librat e mëparshëm janë zbritur me afate dhe kohë të caktuara. Allahu ia ngarkoi njerëzve ruajtjen e tyre, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

إِنَّا أَنزَلْنَا التَّوْرَاةَ فِيهَا هُدًى وَنُورٌ ۚ يَحْكُمُ بِهَا النَّبِيُّونَ الَّذِينَ أَسْلَمُوا لِلَّذِينَ هَادُوا وَالرَّبَّانِيُّونَ وَالْأَحْبَارُ بِمَا اسْتُحْفِظُوا مِن كِتَابِ اللَّهِ وَكَانُوا عَلَيْهِ شُهَدَاءَ ۚ

“Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin çifutët; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar ruajtja e Librit të Allahut, për të cilin ata dëshmonin.”[8]

Kurse Kurani fisnik, e zbriti Allahu për çdo brez të popujve dhe në çdo vend qofshin ata, deri në ditën e Gjykimit. Allahu e ka marrë përsipër ruajtjen e Kuranit, sepse funksioni i këtij libri mbaron vetëm kur të mbarojë jeta e njerëzve mbi Tokë. Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّا نَحْنُ نَزَّلْنَا الذِّكْرَ وَإِنَّا لَهُ لَحَافِظُونَ

“Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë.”[9]

Po ashtu, Allahu i Lartësuar ka thënë:

لَّا يَأْتِيهِ الْبَاطِلُ مِن بَيْنِ يَدَيْهِ وَلَا مِنْ خَلْفِهِ ۖ تَنزِيلٌ مِّنْ حَكِيمٍ حَمِيدٍ

“Atij (Kuranit) nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.”[10]

Duhet patjetër që në çdo mospajtim dhe kundërshtim të kthehemi tek Kurani. Allahu e ka bërë gjykimin me diçka tjetër përveç Kuranit, e ka bërë gjykim tek Taguti.[11] Allahu i Lartësuar ka thënë:

أَلَمْ تَرَ إِلَى الَّذِينَ يَزْعُمُونَ أَنَّهُمْ آمَنُوا بِمَا أُنزِلَ إِلَيْكَ وَمَا أُنزِلَ مِن قَبْلِكَ يُرِيدُونَ أَن يَتَحَاكَمُوا إِلَى الطَّاغُوتِ وَقَدْ أُمِرُوا أَن يَكْفُرُوا بِهِ

“A nuk i ke parë ti (o Muhamed!) ata (hipokritë) që pohojnë se kanë besuar në atë që të është shpallur ty dhe profetëve të tjerë para teje? Ata kërkojnë gjykimin Tagutit (e dikujt tjetër veç Allahut), ndërkohë që janë urdhëruar t’a mohojnë atë (Tagutin).”[12] Tagut do të thotë: tejkalim i kufirit.

Allahu i ka qortuar ata të cilët pretendojnë se besojnë të gjithë Librat, e pastaj nuk kthehen për të gjykuar për çështjet e tyre tek Kurani dhe Suneti, mirëpo gjykohen tek disa Taguta.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kur një popull gjykon me diçka tjetër përveç asaj që ka zbritur Allahu, vetëm se mes tyre ndodhin vrasjet.”[13]

Kjo është prej gjërave më të mëdha që ndikon në ndryshimin midis shteteve, në përhapjen e fitneve dhe në përplasjen midis popujve, sepse besimi në Libër nënkupton obligimin e gjykimit me të, andaj kush pretendon besimin në Libër (Kuran) dhe pastaj zgjedh të gjykohet me diçka tjetër përveç Librit, atëherë ai bie në kundërshtim me atë që pretendon. Libri nuk është i ndashëm, andaj ai duhet të zbatohet i gjithi, po ashtu duhet të veprohet me të në çdo fushë; në çështjet e besimit, në çështjet e adhurimit, në marrëdhëniet midis njerëzve, në çështjet e krimeve, në çështjet e sanksioneve, po ashtu në çështjet e edukatës dhe moralit. Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَمَن لَّمْ يَحْكُم بِمَا أَنزَلَ اللَّهُ فَأُولَٰئِكَ هُمُ الْكَافِرُونَ

“Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është mohues (mosbesimtar) i vërtetë.”[14]

وَمَن لَّمْ يَحْكُم بِمَا أَنزَلَ اللَّهُ فَأُولَٰئِكَ هُمُ الظَّالِمُونَ

“Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është zullumqar i vërtetë.”[15]

وَمَن لَّمْ يَحْكُم بِمَا أَنزَلَ اللَّهُ فَأُولَٰئِكَ هُمُ الْفَاسِقُونَ

“Kushdo që nuk gjykon sipas asaj që ka shpallur Allahu, ai është keqbërës i vërtetë (fāsik).”[16]

Po ashtu, Allahu i Lartësuar ka thënë:

فَلَا وَرَبِّكَ لَا يُؤْمِنُونَ حَتَّىٰ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لَا يَجِدُوا فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجًا مِّمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُوا تَسْلِيمًا

“Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht.”[17]

Pra, e ka mohuar besimin me mohim të prerë, duke u betuar, për ata të cilët nuk gjykohen tek i Dërguari sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në çështjet e mospajtimit, duke u dorëzuar dhe nënshtruar gjykimit të Allahut. Po ashtu, i ka cilësuar ata që gjykojnë sipas asaj që ka shpallur Allahu me mohim (kufër), me zullum dhe me keqbërje, edhe pse pretendojnë besimin, drejtësinë dhe të drejtën. I mjerë qoftë ai popull që e zëvendëson Librin e Allahut me ligjet e Tagutit të vendosura nga njerëzit, të cilët pretendojnë besimin. Andaj themi se ska fuqi dhe forcë e ndihmë vetëm se prej Allahut të Lartësuar e Madhështor.

 

Burimi: el Irshadu ila sahihil itikad 173-176.

Përktheu: Idriz Manushi

_______________________

[1] El Bekare 38.

[2] El Earaf: 35.

[3] El Bekare 285.

[4] El Bekare 91.

[5] El Bekare 85.

[6] El Bekare 176.

[7] Gafir 83.

[8] El Maide 44.

[9] El Hixhr 9.

[10] Fussilet 42.

[11] Tek dikush tjetër përveç Allahut. (shp)

[12] En-Nisa 60.

[13] Trasmeton Ibën Maxhe 4019.

[14] El Maide 44.

[15] El Maide 45.

[16] El Maide 47.

[17] En-Nisa 65.