REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

FikhPastërtia

Gjërat që e prishin abdesin – Shejh Muhamed el Uthejmin

Pyetja: 70: shejh i nderuar! Cilat janë gjërat që e prishin abdesin?

Përgjigjja: përpara se të përmendim gjërat që e prishin abdesin, dëshiron të tërheq vëmendjen rreth një çështje që shumë njerëz nuk kanë njohuri. Çështja është se disa njerëz mendojnë se istinxhaja apo istixhmari[1] janë prej farzeve të abdesit. Shumë njerëz pyesin rreth personit që e prish abdesin gjatë ditës, pastaj thirret ezani, ndërkohë që nuk ka marrë abdes kur e ka prishur atë, andaj thotë: nëse thirret ezani i drekës, a ta laj organin përsëri apo jo? Themi: mos e laj organin, sepse larja e organit bëhet për ta pastruar nga papastërtia kur kryhet nevoja e vogël apo e madhe, andaj, nëse nuk është kryer ndonjë prej nevoja pas abdesit të parë, organi nuk pastrohet. Në këtë mënyrë kuptojmë se nuk ka lidhje mes istinxhasë, që është larja e organit nga papastërtitë, dhe mes abdesit. Kjo është një çështje që dëshiroj të tërheq vërejtje.

Sa i përket gjërave që e prishin abdesin, përmendim prej tyre: nevoja e madhe, urina, gazrat, gjumi dhe ngrënia e mishit të devesë.

Sa i përket nevojës së madhe, urinës dhe gjumit, argument për to është hadithi i Safuan ibën Assalit radijAllahu anhu, se ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar që mos t’i heqim mestet tona për tre ditë dhe tre netë kur të jemi në udhëtim, përveç në rast xhunublleku, mirëpo (t’i mbajmë veshur) në rast të nevojës së madhe, urinës dhe gjumit.”[2] Këtë e përforcon ajeti fisnik ku përmendet nevoja e madhe, ku Allahu i Lartësuar thotë:

وَإِن كُنتُم مَّرْضَىٰ أَوْ عَلَىٰ سَفَرٍ أَوْ جَاءَ أَحَدٌ مِّنكُم مِّنَ الْغَائِطِ أَوْ لَامَسْتُمُ النِّسَاءَ فَلَمْ تَجِدُوا مَاءً فَتَيَمَّمُوا صَعِيدًا طَيِّبًا فَامْسَحُوا بِوُجُوهِكُمْ وَأَيْدِيكُمْ ۗ

“Dhe, nëse jeni të sëmurë ose gjendeni në udhëtim ose keni kryer nevojën e madhe, ose keni bërë marrëdhënie me gra dhe nuk gjeni ujë, atëherë fërkoni fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër.”[3]

Për gazrat është hadithi i Abdullah ibën Zejdit dhe Ebu Hurejrës radijAllahu anhume, lidhur me personin që kishte problem nëse kishte bërë apo jo gazra. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos të largohet apo mos të dalë nga xhamia pa dëgjuar zhurmë apo erë.”[4] Ky është argument se gazrat e prishin abdesin. Këta janë katër gjëra: urina, nevoja e madhe, gazrat dhe gjumi.

Mirëpo, gjumi e prish abdesin vetëm nëse është i thellë, në të cilin njeriu fle thellësisht dhe nuk e di nëse ka dalë prej tij diçka apo jo, ngase në gjumë supozohet që abdesi të prishet, jo se e prish abdesin vetvetiu. Nëse njeriun e kotë gjumi gjatë namazit apo jashtë tij, mirëpo është i vetëdijshëm që po ta prishë abdesin e ndjen atë, atëherë kjo nuk e prish abdesin, edhe nëse e kotë gjumi për një kohë të gjatë, edhe po të jetë i mbështetur apo i shtrirë, sepse nuk ka rëndësi pozicioni, mirëpo rëndësi ka ndjeshmëria dhe a është njeriu zgjuar. Nëse personi që e kotë gjumi e ndjen nëse e prish abdesin, atëherë ai vazhdon të ketë abdes, edhe nëse është i mbështetur, i shtrirë apo të ngjashme

Gjëja e pestë që e prish abdesin: është ngrënia e mishit të devesë, sepse është vërtetuar se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është pyetur: “A të marrim abdes nga mishi i devesë?” Tha: “Po!” Gjithashtu është pyetur për marrjen e abdesit nga mishi i deleve dhe është përgjigjur: “Nëse dëshiron!”[5] Përgjigjja me “po” për mishin e devesë dhe me “nëse dëshiron” për mishin e deleve, është argument se marrja e abdesit për mishin e devesë nuk është në dëshirën e njeriut, mirëpo është obligim për të. Po të mos ishte obligim, atëherë do t’i lihej dëshirës së tij. Është vërtetuar se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: “Ka urdhëruar që të merret abdes nga mishi i devesë.”[6] Bazuar mbi këtë, nëse njeriu ushqehet me mish të devesë, atëherë abdesi i tij prishet; edhe nëse ushqehet me pak apo me shumë, edhe nëse është i gjallë apo i gatuar, edhe nëse ushqehet me një copë të madhe mishi të kuq, apo me zorrë, me plëndës, me mëlçi, me zemër, apo çfarë do pjese të devesë, sepse hadithi është i përgjithshëm dhe nuk bën dallim mes mishit apo një pjese tjetër. E përgjithshmja për mishin e devesë është sikur e përgjithshmja për mishin e derrit, ku Allahu i Lartësuar thotë:

حُرِّمَتْ عَلَيْكُمُ الْمَيْتَةُ وَالدَّمُ وَلَحْمُ الْخِنزِيرِ

“Është e ndaluar për ju ngrënia e coftinës, e gjakut, e mishit të derrit.”[7] Mishi i derrit në këtë rast përfshin çdo pjesë të trupit të tij, i tillë është edhe mishi i devesë, për të cilin Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është pyetur a të merret abdes nga ai, këtu përfshihen të gjitha pjesët e trupit. Në fenë Islame nuk ka ndonjë trup që të ndryshojnë dispozitat e tij, që një pjesë e tij të ketë një gjykim, ndërsa një pjesë tjetër të ketë një gjykim tjetër, mirëpo i gjithë trupi dhe pjesët e tij kanë të njëjtin gjykim, sidomos në rastin e prishjes së abdesit nga mishin i devesë, për të cilin e dimë arsyen dhe nuk është vetëm adhurim i mirfilltë.

Bazuar mbi këtë, kush ushqehet me mish të devesë, me çfarë do pjese të trupit të saj, ndërkohë që njeriu ka abdes, atëherë e ka për detyrë që të rimarrë abdesin. Dije, se po të ketë njeriu abdes dhe pastaj dyshon nëse e ka prishur, dyshon nëse ka urinuar apo ka bërë gazra, apo dyshon çfarë mishi ka ngrënë, nëse është mish deveje apo deleje, atëherë në këtë rast nuk duhet të rimarrë abdes, sepse Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është pyetur rreth personit të i duket sikur e prish abdesin gjatë namazit, dhe është përgjigjur: “Mos të largohet pa dëgjuar zhurmë apo erë.”[8] D.m.th. derisa të jetë i sigurtë dhe të ndjejë me shqisat e tij në mënyrë të pakundërshtueshme, sepse në origjinë gjërat mbesin ashtu siç janë, derisa të sigurohemi se kanë ndryshuar. Në origjinë, abdesi mbet derisa të sigurohemi se është prishur.

 

Pyetja 72: shejh i nderuar! Mirëpo lidhur me gjumin, a ka ndonjë dallim me gjumit të natës dhe atij të ditës?

Përgjigjja: nuk ka dallim mes gjumit të natës dhe atij të ditës, sepse shkaku është i njëjtë, pra ikja e ndjeshmërisë dhe fakti se njeriu nuk e ndjen veten nëse del diçka prej tij.

 

Burimi: Fik’hul ibadat fq. 118-121.

Përktheu: Besmir Cacani

_________________

[1] Pastrimi me ujë apo me gurë prej dy nevojave. (shp)

[2] Transmeton Tirmidhiu, kitabu et-taharati, babul mes’hi alal huffejni, nr. 96, Nesaiu, kitabu et-taharati, babu teukitil me’hi alal huffejni lil musafir, nr. 127, Ibën Maxheh, kitabu et-taharati, babul vudui minen-neumi, nr. 478, Ahmedi në Musned 4/239, 240. Tirmidhiu ka thënë: hadithi është hasen-sahih.

[3] En-Nisa’: 43.

[4] Transmeton Buhariu, kitabul vudui, babu la juteuaddau minesh-shekki hatte jestejkin, nr. 137, Muslimi, kitabul hajdi, babu ed-delilu ala enne men tejekkane et-taharate thumme shekke fil hadeth, nr. 361.

[5] Transmeton Muslimi, kitabul hajdi, babul vudui min luhumil ibil, nr. 360.

[6] Transmeton Ebu Daudi, kitabu et-taharati,  babul vudui min luhumil ibil, nr. 184, Tirmidhiu, kitabu et-taharati, babu ma xhe’e fil vudui min luhumil ibil, nr. 81, Ahmedi në Musnedin e tij 4/288 dhe është vlerësuar si hadith i saktë nga shejh Albani në “el Irva” 1/152.

[7] El Maideh: 3.

[8] Transmetuesit u përmendën më herët.