REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

AgjërimiFikh

Kapitulli i agjërimit nga libri “Menhexhu es-Salikin” – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

Origjina në këtë kapitull është thënia e Allahut të Lartësuar:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ

“O ju të cilët keni besuar, ju është bërë obligim agjërimi ashtu siç është bërë obligim popujve përpara jush.”[1]

Agjërimi i Ramazanit është obligim për çdo: musliman, të rritur, të mençur, që ka mundësi të agjërojë, pas shikimit të Hënës apo pasi muaji Shaban të plotësojë tridhjetë ditë.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Agjëroni nëse shikoni Hënën dhe bëjeni Bajramin kur ta shikoni Hënën. Por, nëse pengohet shikimi i saj, atëherë bejeni llogari.”[2] Ndërsa në një transmetim thuhet: “Bëni llogari tridhjetë ditë.” Ndërsa në një transmetim thuhet: “Plotësojeni Shabanin tridhjetë ditë.”[3]

Agjërohet me shikimin e një personi të drejtë, ndërsa për muajt e tjerë pranohen vetëm dy persona të drejtë.

Duhet të bëhet nijet (në mbrëmje) për agjërim farz.

Sa i përket agjërimit nafile (vullnetar) atëherë lejohet edhe me nijet të paradites.

I sëmuri që dëmtohet me agjërim dhe po ashtu udhëtari mund të ushqehen dhe të agjërojnë.

Gruaja me menstruacione dhe me lehoni e kanë të ndaluar të agjërojnë, mirëpo duhet t’i kompesojnë ato ditë.

Gruaja shtatzënë dhe ajo gjidhënëse, nëse frikësohen për fëmijët e tyre, atëherë ushqehen, i kompesojnë ato ditë dhe ushqejnë nga një të varfër për secilën ditë.

Ai që e ka të pamundur agjërimin për shkak të pleqërisë, apo për shkak të një sëmundjeje të pashërueshme, atëherë ushqejnë nga një të varfër për secilën ditë.

Kush e prish agjërimin, ka për detyrë vetëm kompesimin e asaj dite; kjo, nëse prishjen e ka bërë duke u ushqyer, duke pirë apo vjellur me qëllim, apo ka bërë hixhame, apo i ka dalur sperma pas kontaktik.[4]

Përveç atij që e ka prishur agjërimin me kontakt seksual, pasi ai bën kompesim dhe liron një rob, e nëse nuk gjen (një rob), atëherë agjëron dy muaj rresht, e nëse nuk mund (të agjërojë dy muaj rresht), atëherë ushqen gjashtëdhjetë të varfër.

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush harron gjatë kohës që është agjërueshëm dhe ushqehet apo pi, atëherë le ta plotësojë agjërimin e tij, pasi atë e ka ushqyer dhe i ka dhënë për të pirë Allahu.”[5]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Njerëzit vazhdojnë të jenë në mirësi përderisa e shpejtojnë iftarin.”[6]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Hani syfyr, pasi syfyri ka bereqet.”[7]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush bën iftar, atëherë le ta bëjë me hurma arabie, e nëse nuk gjen, atëherë le të bëjë iftar me ujë, pasi ai është i pastër.”[8]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush nuk e braktis fjalën e keqe, të vepruarit me të dhe injorancën, atëherë Allahu nuk ka nevojë që ai ta braktisë ushqimin dhe pijen e tij.”[9]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush vdes dhe ka agjërim për të kompesuar, atëherë për të agjëron i afërti i tij.”[10]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është pyetur rreth agjërimit të Ditës së Arafatit dhe ka thënë: “Ai shlyen gjynahet e vitit të kaluar dhe atij të ardhshëm.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është pyetur rreth agjërimit të Ditës së Ashures dhe ka thënë: “Ai shlyen gjynahet e vitit të kaluar.”

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem është pyetur rreth agjërimit të ditës së hënë dhe ka thënë: “Në atë ditë kam lindur, në atë jam dërguar, apo më është shpallur mua.”[11]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush agjëron muajin Ramazan, pastaj e pason me gjashtë ditë prej muajit Sheual, atëherë është sikur të ketë agjëruar të gjithë vitin.”[12]

Ebu Dherri ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na ka urdhëruar që të agjërojmë (tre ditë) prej muajit; trembëdhjetën, katërmbëdhjetën dhe pesëmbëdhjetën.”[13]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka ndaluar që të agjërohen dy ditë: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.[14]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Tre ditët e teshrikut janë ditë ushqimi, pijeje dhe përkujtimi të Allahut azze ue xhel-le.”[15]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Mos të agjërojë ndonjëri prej jush ditën e Xhuma, përveç nëse e shoqëron me një ditë para apo pas.”[16]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim (tek Allahu) dhe duke shpresuar (shpërblimin e Tij), atëherë atij i falen gjynahet e mëpërparshme. Kush fal namaz nate në Natën e Kadrit me besim (tek Allahu) dhe duke shpresuar (shpërblimin e Tij), atëherë atij i falen gjynahet e mëpërparshme.”[17]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem bënte itikaf në dhjetë ditëshin e fundit të Ramazanit, derisa ndërroi jetë. Edhe gratë e tij (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem) kanë bërë itikaf pasi ka ndërruar jetë.[18]

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Udhëtim bëhet vetëm drejt tre xhamiave; Qabes, xhamisë time dhe xhamisë Aksa.”[19]

 

Përktheu: Besmir Cacani

____________________

[1] El Bekare: 183.

[2] Muttefekun alejhi.

[3] Transmeton Buhariu.

[4] Dmth pas kontaktit dhe ledhatimeve me gruan tij, mirëpo të mos jetë kontakt seksual. (shp)

[5] Muttefekun alejhi.

[6] Muttefekun alejhi.

[7] Muttefekun alejhi.

[8] Transmetojnë të pestët.

[9] Transmeton Buhariu.

[10] Muttefekun alejhi.

[11] Transmeton Muslimi.

[12] Transmeton Muslimi.

[13] Transmeton Nesaiu dhe Tirmidhiu.

[14] Muttefekun alejhi.

[15] Transmeton Muslimi.

[16] Muttefekun alejhi.

[17] Muttefekun alejhi.

[18] Muttefekun alejhi.

[19] Muttefekun alejhi.