Allahu thotë i Lartësuar thotë:
قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ
“Thuaj: Ai është Allahu, Një i Vetëm.” El-Ihlas: 1.
Domethënia e fjalës së Allahut: “Thuaj” është: shqiptoje këtë fjalë me bindje të plotë, duke e besuar atë dhe duke e njohur kuptimin e saj. “Ai është Allahu, Një i Vetëm”, domethënë: njëshmëria (të qënit njësh dhe i pabarabartë me askënd)i përket vetëm Atij; Ai është i Vetmi, i veçuar në përsosmërinë absolute. Atij i përkasin emrat më të bukur, cilësitë më të përsosura e më të larta dhe veprat e shenjta. Ai nuk ka as të barabartë dhe as të ngjashëm.
اللَّهُ الصَّمَدُ
“Allahu është Es-Samed.” El-Ihlas: 2.
“Allahu është Es-Samed”, domethënë: Ai është i Vetmi të cilit i drejtohen krijesat për të gjitha nevojat e tyre. Banorët e botës së lartë dhe të botës së poshtme janë skajshmërisht të varur prej Tij; Atij i kërkojnë nevojat e tyre dhe tek Ai drejtohen për çështjet dhe shqetësimet e tyre, sepse Ai është i përsosur në të gjitha cilësitë e Tij.
Ai është i Gjithëdijshmi, dija e të Cilit është e përsosur; është El Halim, i butë dhe i durueshëm (nuk shpejton të dënojë, por jep mundësi dhe afat për pendim), butësia dhe durimi i të Cilit janë të përsosur; është Mëshirëploti, mëshira e të Cilit ka përfshirë çdo gjë. Po kështu janë edhe të gjitha cilësitë e tjera të Tij.
لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ
“Ai nuk ka lindur dhe as nuk është i lindur.” El-Ihlas: 3.
Kjo është prej përsosmërisë së Tij: “Ai nuk ka lindur dhe as nuk është i lindur”, për shkak të pasurisë dhe pavarësisë së Tij absolute.
وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ
“Dhe askush nuk është me Të i barabartë.” El-Ihlas: 4.
“Dhe askush nuk është me Të i barabartë”, as në emrat e Tij, as në cilësitë e Tij dhe as në veprat e Tij. I Lartësuar dhe i Madhëruar është Ai!
Pra, kjo sure përmban në mënyrë të përmbledhur veçimin e Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij (Teuhidin e emrave dhe cilësive).
Burimi: Tejsir el Kerim er-Rahman
Përktheu: Jusuf Kapidani