REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Hadith

Kuptimi i hadithit: Kush vendos në Islam një traditë (Sunnet) të mirë – Shejh AbdulAziz ibën Baz

Pyetja: Mesazhi i parë i këtij programi është një letër e ardhur nga Jordania, konkretisht nga Zarka. Dërguesi, një prej vëllezërve tanë që emërtohet Ebu Muhammed en-Nasiri, pyet: “Kush vendos një traditë të mirë, do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që e praktikojnë atë deri në Ditën e Kiametit”. A është ky hadith? Dhe, nëse është hadith, a ka lënë Pejgamberi ﷺ  diçka për dikë, që të mund të vendoste një traditë të re në Islam?

Ju lutemi, na e sqaroni këtë çështje me hollësi. Allahu ju shpërbleftë me të mira!

Përgjigjja: Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Falënderimi i takon Allahut. Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij.

Ky hadith është i saktë dhe tregon legjitimitetin e gjallërimit të Sunetit dhe thirrjes drejt tij, si dhe paralajmërimit kundër bidateve dhe të këqijave. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush vendos në Islam një traditë të mirë, do të ketë shpërblimin e saj dhe shpërblimin e atyre që do t’a praktikojnë pas tij, pa iu pakësuar aspak shpërblimi i tyre. Ndërsa kush vendos në Islam një traditë të keqe, do të mbajë barrën e saj dhe barrën e atyre që do t’a praktikojnë pas tij, pa iu pakësuar aspak barra e tyre.”

Kuptimi i këtij hadithi mbështetet edhe nga hadithi i transmetuar nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush fton në udhëzim, do të ketë shpërblim të barabartë me shpërblimet e atyre që e ndjekin atë, pa iu pakësuar aspak shpërblimi i tyre; ndërsa kush fton në humbje, do të ketë mëkat të barabartë me mëkatet e atyre që e ndjekin atë, pa iu pakësuar aspak mëkatet e tyre.”

Po kështu, transmetohet nga Ebu Mes‘ud el-Ensari radijAllahu anhu se, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush udhëzon drejt një të mire, do të ketë shpërblim të barabartë me shpërblimin e atij që e kryen atë.”

Pra, shprehja “…vendosi në Islam një traditë të mirë…” nënkupton: rikthimin në praktik të një Suneti të harruar, shfaqjen dhe përhapjen e tij, sidomos kur ai është bërë i panjohur ose është harruar nga njerëzit; pra, personi i fton njerëzit drejt tij, ua sqaron dhe ua bën të njohur. Në këtë mënyrë, ai merr shpërblim të barabartë me shpërblimet e atyre që e ndjekin në praktikimin e tij.

Kjo shprehje nuk nënkupton shpikjen e një bidati të mirë në Islam. Jo! “Çdo bidat është devijim“, siç ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Çdo bidat është devijim.“

P.sh: mund të ketë një vend ku nuk zhvillohet mësimi i Kur’anit, dhe ku njerëzit nuk mësojnë Sunetin. Një person e gjallëron këtë Sunet duke u ulur me njerëzit për t’u mësuar Kur’anin dhe Sunetin, ose duke sjellë mësues që t’ua mësojnë ato.

Po ashtu, mund të ketë një vend ku njerëzit rruajnë mjekrat ose i shkurtojnë ato. Atëherë një person e gjallëron këtë Sunet dhe këtë dispozitë të ligjshme duke e lënë mjekrën të rritet dhe duke e mbajtur atë. Njerëzit e shohin dhe e ndjekin shembullin e tij, duke vepruar sipas fjalës së Pejgamberi ﷺ: “Shkurtojini mustaqet dhe lërini mjekrat të rriten; kundërshtoni idhujtarët.”

Nëse, s’i pasojë e shembullit të tij, njerëzit fillojnë t’a ndjekin, atëherë ai ka gjallëruar mes tyre një Sunet. Dhe në këtë rast bëhet fjalë për një Sunet të detyrueshëm, pra për një prej detyrimeve fetare, kështu që ai merr shpërblim të barabartë me shpërblimet e tyre.

Ose mund të jetë një vend ku njerëzit nuk e njohin namazin e xhumasë dhe nuk e falin atë. Një person ua mëson atë dhe e fal xhumanë me ta, ose organizon faljen e saj mes tyre.

Gjithashtu, mund të jetë një vend ku njerëzit nuk e njohin namazin e vitrit. Ai ua mëson atë dhe i udhëzon që t’a falin gjatë natës. E njëjta gjë vlen edhe për adhurime dhe dispozita të tjera të njohura në fe, të cilat mund të jenë harruar ose të panjohura në disa vende apo te disa fise.

Prandaj, personi që i gjallëron këto praktika, i përhap, i sqaron dhe i udhëzon njerëzit drejt tyre, për të thuhet se “…ka vendosur në Islam një traditë të mirë…” Pra, kuptimi është se ai ka shfaqur, ka sqaruar dhe ka bërë të njohur një Sunet të mirë në Islam.

Nuk nënkuptohet aspak me këtë që ai të shpikë në fe diçka për të cilën Allahu nuk ka dhënë leje. Bidati është devijim. Pejgamberi ﷺ ka thënë në hadithin e saktë: “Ruajuni çështjeve të shpikura, sepse ç’do gjë e shpikur është bidat dhe ç’do bidat është devijim.“

Gjithashtu, në një hadith tjetër të saktë, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush kryen një vepër që nuk është në përputhje me çështjen tonë, ajo është e refuzuar.“

Në një transmetim tjetër thuhet: “Kush shpik në këtë çështjen tonë diçka që nuk i përket asaj, ajo është e refuzuar.” Të dyja këto transmetime janë të sakta dhe gjenden te Buhari dhe Muslim.

Po ashtu, Pejgamberi ﷺ thoshte në hutben e xhumasë: “Fjala më e mirë është Libri i Allahut, udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit ﷺ, ndërsa çështjet më të këqija janë ato të shpikurat dhe ç’do bidat është devijim.“

Prandaj, bidatet që Allahu nuk i ka ligjëruar, nuk lejohet as të ftohet drejt tyre dhe as të praktikohen. Praktikimi i tyre do të ishte gjallërim i bidateve, ndërsa thirrja drejt tyre do të ishte thirrje drejt bidatit dhe kjo nuk lejohet.

Pra, nuk është ky kuptimi i hadithit “Kush vendos në Islam një traditë të mirë“.

Kuptimi i tij është: kush gjallëron një Sunet, e shfaq, e sqaron dhe i udhëzon njerëzit drejt tij.
Allahu e di më së miri.

 

Burimi

Përktheu: Jusuf Kapidani