REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Agjërimi • Këshilla • Kohët me vlerë

Argumentet e transmetuara për vlerën e muajit el Muharrem – Shejh AbdulAziz Aali Shejh

Lavdi Allahut, Atë e falenderojmë dhe prej Tij kërkojmë ndihmë dhe falje. Kërkojmë mbrojtje tek Allahu nga e keqja e veteve dhe punëve tona. Atë që Allahu e udhëzon, nuk ka kush ta humbë, ndërsa atë që e humbë, nuk ka ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pa shoq, dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij.

  1. Nga Ebu Bekrate radijAllahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Vërtet koha ecën dhe kalon siç e ka krijuar Allahu ditën që krijoi qiejt dhe Tokën, me vitin që ka dymbëdhjetë muaj, ku prej tyre katër janë të shenjtë. Tre prej muajve janë një pas një; Dhul Ka’de, Dhul Hixhe, el Muharrem dhe Rexhebi që është i veçuar, i cili bie mes Xhumades dhe Shabanit.” Transmeton Buhariu në Sahihun e tij 10/7 sipas botimit të botuar bashkë me ‘Fet’hul Bari’ nr. 55550 dhe Muslimi në Sahihun e tij 1305/3 nr. 1679.
  2. Nga Ebu Hurejra radijAllahu anhu, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Agjërimi më i mirë pas Ramazanit është muaji i Allahut el Muharrem. Namazi më i mirë pas farzit është namazi i natës.” Transmeton Ahmedi 303/2 dhe Muslimi 821/3 nr. 1163.
  3. Aishja radijAllahu anhe ka thënë: “Kurejshët në Kohën e Injorancës, agjëronin Ditën e Ashures. Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shkoi në Medine, e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi që të agjërohej. Kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit, Pejgamberi e la agjërimin e Ashures, andaj kush dëshironte e agjëronte, dhe kush dëshironte e linte.” Transmeton Buhariu 244/4 nr. 2002 dhe teksti është i tij. E transmeton gjithashtu Muslimi 792/2 nr. 1125.
  4. Ibën Abbasi radijAllahu anhume ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem shkoi në Medine dhe vërejti që çifutët agjëronin Ditën e Ashures, andaj tha: “Çfarë bëni?” Ata thanë: “Kjo është ditë e mirë. Në këtë ditë, Allahu shpëtoi Bijtë e Israilit nga armiku i tyre, andaj Musai e agjëroi atë.” Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ne kemi përparësi më shumë se ju ndaj Musait”, andaj e agjëroi atë ditë dhe urdhëroi që të agjërohet.” Transmeton Buhariu 244/4 nr. 2004 dhe teksti është i tij. E transmeton gjithashtu Muslimi 795/2 nr. 1130.
  5. Ebu Musa radijAllahu anhu ka thënë: “Dita e Ashures konsiderohej festë nga çifutët. Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Ju agjërojeni atë ditë!” Transmeton Buhariu 244/4 nr. 2005 dhe Muslimi 796/2 nr. 1131.
  6. Humejd ibën AbdurRahman ka dëgjuar Muavije ibën Ebu Sufjanin radijAllahu anhume të thotë në mimber, në Ditën e Ashures, vitin që ka bërë haxhin: “O banorë të Medines! Ku janë dijetarët tuaj?! Kam dëgjuar Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të thotë: “Kjo është dita e Ashures! Allahu nuk e ka bërë obligim agjërimin e saj, mirëpo unë jam agjërueshëm, andaj kush dëshiron, le të agjërojë, e kush dëshiron, le të ushqehet.” Transmeton Buhariu 244/4 nr. 2003 dhe Muslimi 795/2 nr. 1129.
  7. Ibën Abbasi radijAllahu anhume ka thënë: “Nuk e kam parë Pejgamberin sal-lAllahu alejhi ue sel-lem të përpiqej që të agjëronte një ditë me vlerë siç përpiqej për këtë ditë, për Ditën e Ashures dhe për këtë muaj – d.m.th. muajin Ramazan –.” Transmeton Buhariu 245/4 nr. 2006 dhe Muslimi 797/2 nr. 1132.
  8. Rubeje bintu Muadh radijAllahu anhe ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dërgoi fjalë në mengjesin e Ditës së Ashures tek fshatet e Ensarëve se: “Kush është zgjuar i ushqyer, le të agjërojë pjesën e mbetur të ditës, ndërsa kush është zgjuar agjërueshëm, le ta plotësojë agjërimin!” Rubeje thotë: “Nga ajo ditë e në vijim, ne agjëronim (Ashuren) dhe i bënim fëmijët tanë ta agjëronin. Ne përgatisnim kukulla prej leshi, andaj nëse ndonjëri prej fëmijëve qante për ushqim, ia jepnim kukullën derisa të bëhej iftari.” Transmeton Buhariu 4/200 sipas botimit të botuar bashkë me librin ‘Fet’hul Bari’ me nr. 1690, po ashtu Muslimi 2/798-799 hadithi nr. 1136.
  9. Selemetu ibnul Ekua’ radijAllahu anhum, transmeton se: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem urdhëroi një burrë nga fisi Eslem që të thërrasë në mesin e njerëzve se: kush është ushqyer, le të agjërojë ditën e mbetur, ndërsa kush nuk është ushqyer, le ta agjërojë, pasi ajo ditë ishte Dita e Ashures.” Transmeton Buhariu 4/245 sipar botimit të botuar bashkë me librin ‘Fet’hul Bari’ me nr. 2007, po ashtu Muslimi 2/798 hadithi nr. 1135.
  10. Ebu Katadeh radijAllahu anhu, transmeton se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Agjërimi i tre ditëve nga çdo muaj dhe i Ramazanit deri në Ramazan është si agjërimi gjatë gjithë jetës. Agjërimi i Ditës së Arafatit shpresoj që Allahu të shlyej gjynahet e vitit të kaluar dhe vitit që vjen. Agjërimi i Ditës së Ashures shpresoj që Allahu të shlyej gjynahet e vitit të kaluar.” Transmeton Ahmedi 5/296-297, Muslimi 3/818-819 nr. 1163.
  11. Abdullah ibën Umeri radijAllahu anhume, transmeton se njerëzit në injorancë (xhahiljet) e agjëronin Ditën e Ashures, po ashtu Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem me sahabët e tij e kanë agjëruar përpara se muaji i Ramazanit të bëhej obligim. Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Vërtet Dita e Ashures është ditë prej ditëve të Allahut, andaj kush dëshiron ta agjërojë, e bën, ndërsa kush dëshiron, e lë atë.” Transmeton Ahmedi 2/57, Muslimi 2/792-792 nr. 1136 dhe Ebu Daudi 3/817-818 nr. 3443.
  12. Xhabir ibën Semurah radijAllahu anhume ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem na urdhëronte që të agjëronim Ditën e Ashures, na nxiste dhe interesohej për atë ditë. Kur u bë obligim agjërimi i Ramazanit, nuk na urdhëronte, as ndalonte, as interesohej më.” Transmeton Ahmedi 5/96 dhe Muslimi 2/794-795 nr. 113.
  13. Abdullah ibën Umeri radijAllahu anhume thotë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka agjëruar Ditën e Ashures dhe ka urdhëruar për agjërimin e tij. Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, e la agjërimin e Ashures.” Abdullah ibën Umeri e agjëronte Ditën e Ashures vetëm nëse përputhej me ditën që ai agjëronte zakonisht. Transmeton Ahmedi 2/4 dhe Buhariu 4/102 nr. 1892.
  14. Transmetohet se Abdullah ibën Abbasi radijAllahu anhume ka thënë: “Kur Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem agjëroi Ditën e Ashures dhe urdhëroi që të agjërohej, thanë: “O i Dërguari i Allahut! Kjo ditë madhërohet nga çifutët dhe të krishterët!”, kështu që Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem tha: “Vitin tjetër, inshaAllah, do të agjërojmë edhe ditën e nëntë [d.m.th. edhe një ditë përpara ditës së Ashures].” Ibën Abbasi thotë: “Vitin që erdh, Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem nuk ishte më gjallë.” Në një transmetin tjetër thuhet: “Nëse jam gjallë vitin tjetër, do të agjëroj patjetër edhe ditën e nëntë.” Transmeton Ahmedi 1/236 dhe Muslimi 2/797 dhe 798 nr. 1134.
  15. El Hakem ibnul Earaxh thotë: shkova tek Ibën Abbasi radijAllahu anhume, ndërsa ishte tek burimi i Zemzemit dhe kishte vendosur kokën tek rroba e tij e bërë si jastëk, i thashë: “Më trego për agjërimin e Ashures?” Ai tha: “Nëse shikon hënën e muajit el Muharrem, atëherë numëro ditët dhe agjëroje ditën e nëntë.” Thashë: “A kështu agjëronte Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem?” Ibën Abbasi tha: “Po!” Transmeton Ahmedi 5/439 dhe Muslimi 2/797 dhe 798 nr. 1133.
  16. Ibën Abbasi radijAllahu anhume ka thënë: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që të agjërohet Dita e Ashures, dita e dhjetë.” Transmeton Tirmidhiu 2/12 dhe ka thënë: “Hadithi i Ibën Abbasit është hasen-sahih.”
  17. Transmeton Ibën Abbasi radijAllahu anhume, se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Agjëroni Ditën e Ashures dhe kundërshtoni çifutët në të; agjëroni një ditë përpara ose një pas Ashures.” Transmeton Ahmedi 1/241 dhe Ibën Huzejme 3/290 dhe 291 nr. 2095.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Nëse dyshon për fillimin e muajit, atëherë agjëron tre ditë. Këtë gjë e bën që të sigurohet se e ka agjëruar ditën e nëntë dhe të dhjetë.” El Mugni 3/174.

Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Kush mediton rreth transmetimeve të Ibën Abbasit, e kupton se nuk ka asnjë pa qartësi dhe i bëhet e qartë dituria e tij e gjerë, radijAllahu anhume. Kjo, sepse Ibën Abbasi nuk e ka përcaktuar Ashuren si ditën e nëntë, mirëpo i ka thënë pyetësit: “Agjëro ditën e nëntë!”, duke u mjatuar me faktin se pyetësi e di që Ashurja është dita e dhjetë, të cilin të gjithë njerëzit e konsiderojnë të tillë. Ibën Abbasi ka orientuar pyetësin që bashkë me Ashuren të agjërojë edhe ditën e nëntë, po ashtu ka treguar se Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem gjithashtu e agjëronte. Ky veprim [agjërimi i ditës së nëntë bashkë me Ashuren], ose është më parësor, ose ky veprim merr kuptimin e urdhërit dhe vensosmërisë që ta bëjë në të ardhmen. Tregues për këtë është se vetë Ibën Abbasi ka transmetuar hadithin: “Agjëroni një ditë përpara Ashures dhe një pas tij!” Ibën Abbasi ka transmetuar hadithin: “Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka urdhëruar që të agjërohet Dita e Ashures, dita e dhjetë.” Të gjitha këto transmetime të tij, e vërtetojnë dhe përforcojnë njëra-tjetrën.

Shkallët e agjërimit të Ashures janë tre: më e plota është që të agjërohet një ditë përpara dhe një pas saj, shkalla vijuese është që të agjërohen dita e nëntë dhe e dhjetë ku shumica e haditheve tregojnë këtë gjë, ndërsa shkalla vijuese është që të agjërohet vetëm dita e dhjetë [d.m.th vetëm Dita e Ashures].

Sa i përket agjërimit vetëm të ditës së nëntë, kjo bën pjesë tek kuptimi i mangët i argumenteve, tek mos ndjekja e fjalëve dhe rrugëve të transmetimit që kanë ato, e po ashtu është e largët gjuhësisht dhe fetarisht. Suksesi vjen nga Allahu.” Përfundoi fjala e tij nga libri Zadul ma’ad 2/75-76.

Lutja jonë e fundit është: lavdi Allahut, Zotit të krijesave, salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij.

 

Përktheu: Besmir Cacani