Ebu Bekër el Bejhaki (458 h) transmeton në ‘es-Sugra’ nr. 3260 dhe në ‘el Kubra’ nr.20400 nga el Eamesh, nga Sulejman ibën Mus’hir, nga Kharshetu ibnul Hurr (prej tabi’inëve të mëdhenj) se ka thënë:
“Një burrë dëshmoi tek Umer ibnul Hattabi, radijAllahu anhu, andaj i tha:
- Nuk të njoh dhe ty nuk të prish punë nëse nuk të njoh! Sill dikë që të njeh!
- Unë e njoh! – tha një burrë.
- Si e njeh? – e pyeti Umeri.
- Për njeri të drejtë dhe me vlera. – iu përgjigj burri.
- A është fqinji yt i afërt, të cilit ia di çfarë bën ditën dhe natën, ku hyn dhe ku del? – e pyeti Umeri.
- Jo! – u përgjigj.
- Ke marrëdhënie me dinarë dhe dirhemë, se me to argumentohemi për devotshmërinë? – pyeti Umeri përsëri.
- Jo! – u përgjigj.
- Keni udhëtuar bashkë, se me të argumentohemi për moralin e mirë? – pyeti Umeri.
- Jo! – u përgjigj.
- Ti nuk e njihke! – i tha Umeri, pastaj shtoi duke iu drejtuar të parit: “Sill dikë që të njeh!”.
Zinxhiri i transmetimit është hasen (i mirë).
Transmeton Ukajli (322 h) në ‘ed-Duafa’ 3/454 dhe Ebu Tahir el Mukhal-lis (393) në ‘el Mukhal-lisijat’ nr. 864 e të tjerë.
Përzgjodhi: shejh Arafat el Muhammedij
Përktheu: Besmir Cacani