REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Kapja për Sunet dhe largimi nga bidatiMenhexh

Porosi për çdo musliman mbi faqen e dheut – Shejh Muhamed Nasirudin el Albani

Me emrin e Allahut, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Lavdi Allahut, Atë e falenderojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë. Kërkojmë strehim tek Allahu nga e keqja e veteve dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon nuk ka se kush e humbë, ndërsa atë që Allahu e humbë nuk ka se kush ta udhëzojë. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i dërguari i Tij.

Porosia ime për çdo musliman mbi faqen e dheut, veçanërisht vëllezërit tanë që janë pjesëmarrës bashkë me ne në përkatësim tek kjo thirrje e begatë; thirrja e Kuranit dhe Sunnetit sipas metodologjisë së paraardhësve të devotshëm, i porosis ata dhe veten për devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar në radhë të parë. Pastaj, i porosis ta shtojnë diturinë e dobishme, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَاتَّقُوا اللَّهَ وَيُعَلِّمُكُمْ اللَّهُ

“…prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju.” El Bekare: 282.

I porosis që diturinë e tyre të dobishme – dituri e cila tek ne nuk del jashtë sferës së Kuranit dhe Sunetit sipas metodologjisë së paraardhësve të devotshëm – i porosis që këtë dituri dhe këtë përpjekje për ta shtuar diturinë sa të munden, ta shoqërojnë me vepra, në mënyrë që mos të jetë argument kundra tyre, por të jetë argument pro tyre.

يَوْمَ لاَ يَنْفَعُ مَالٌ وَلاَ بَنُونَ إِلاَّ مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ

“…në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” Esh-Shuara’: 88-89.

Në vijim, i paralajmëroj nga të gjithë ata që kanë dalur jashtë nga rruga Selefije me shumë e shumë çështje, të cilët i bashkon fjala “rebelim” ndaj muslimanëve dhe bashkësisë së tyre. Ata duhet të jenë siç ka thënë Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem në hadithin e saktë: “Jini robër të Allahut dhe vëllezër”, ashtu sikur ka urdhëruar Allahu tebareke ue teala.

Ne duhet – sikurse e kam thënë në tubimin e mëparshëm – dhe po e përsëris, sepse tek përsëritja ka dobi, ne duhet jemi të butë në thirrjen e kundërshtarëve dhe gjithnjë të jemi me Fjalën e Allahut tebareke ue teala:

ادْعُ إِلَى سَبِيلِ رَبِّكَ بِالْحِكْمَةِ وَالْمَوْعِظَةِ الْحَسَنَةِ وَجَادِلْهُمْ بِالَّتِي هِيَ أَحْسَنُ

“Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë!” En-Nahl: 125.

Ai që është kundërshtari ynë më i ashpër lidhur me parimet dhe akiden tonë, ai ka më përparësi në përdorimin e mençurisë me të, në mënyrë që mos të bashkojmë mes “rëndesës” së thirrjes – që Allahu azze ue xhel-le na ka lumturuar – dhe mes “rëndesës” së metodës për të thirrur për tek Allahu.

Shpresoj prej gjithë vëllezërve tanë në të gjithë vendet muslimane, që të stolisen me këto vlera Islame, pastaj të synojnë Fytyrën e Allahut azze ue xhel-le nga kjo gjë, e jo shpërblim apo falenderim.

Ndoshta kjo është e mjaftueshme dhe lavdi Allahut, Zotit të krijesave.

 

Burimi

Përktheu: Besmir Cacani