REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Kërkimi i diturisëKëshilla

Nxitja për kërkimin e diturisë së dobishme – Shejh AbdurRahman es-Sa’dij

Lavdi Allahut, i Cili kujt ia dëshiron të mirën e ngre përmes diturisë dhe besimit, i Cili i ka braktisur ata që ia kanë kthyer krahët udhëzimit, duke i shfaqur para çdo shkatërrimi dhe poshtërimi. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të vetëm e të pashok, Bujari dhe Dhënësi i Madh, po ashtu dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij, të cilit Allahu ia plotësoi vlerat, mirësinë dhe bamirësinë. O Allah, dërgo përshëndetje dhe bekime mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe pasuesit e tyre në çdo kohë. Më pas:

O njerëz, frikësohuni Allahut të Lartësuar dhe dijeni se devotshmëria juaj arrihet me njohjen e gjërave që ju mbrojnë nga kufri, gjynahet dhe mosbindja. Devotshmëria juaj arrihet vetëm me kryerjen e parimeve të besimit, dispozitave të Islamit dhe bamirësisë reale.

Pra, kërkimi i diturisë, është prej detyrave dhe obligimeve më parësore, pasi ai është boshti i kryerjes së adhurimeve dhe lënies së kundravajtjeve. Kujt ia dëshiron Allahu të mirën, i jep atij kuptim në Fe, ndërsa atij që Allahu nuk ia do të mirën, e largon nga kërkimi i diturisë dhe nga dëgjimi i saj, e kështu ai bëhet prej të shkatërruarve injorantë.

Ç’është me ju që jeni larguar nga dituria, në një kohë kur ajo është prej detyrave të obligueshme?! Ç’është me ju që jeni drejtuar nga gjërat që ju dëmtojnë, keni braktisur atë që ju bën dobi dhe jeni kënaqur me tregti të humbur?!

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Nëse kaloni pranë kopshteve të Xhenetit, atëherë ndaluni tek to.” Thanë: “E çfarë janë kopshtet e Xhenetit?!” Tha: “Tubimet e diturisë.”

Këto kopshte të bukura kanë çdo lloj diturie fisnike; në to njihet Allahu dhe udhëzohesh për në rrugë të drejtë, në to njihet hallalli dhe harami, e mira nga e keqja, në to njihet rruga e devijimit nga ajo e humbjes, po ashtu njihet rruga e drejtë dhe ajo udhëzimit. Si i ndërroni ato me tubimet boshe, tubimet e humbjes së kohës, apo ato të së keqes dhe prishjes?! Vërtet kërkimi i diturisë është adhurim dhe shpërblim tek Zoti i krijesave, ndërsa braktisja e saj është e keqe dhe humbje e qartë.

O ju që ia keni kthyer krahët kërkimit të diturisë! Cili është arsyetimi juaj tek Allahu, ndërsa ju gëzoni shëndet dhe mirëqënie?! Çfarë ju pengon prej kërkimit të diturisë, ndërsa ju gëzoni në furnizimin e Allahut?! A kënaqeni për vetet tuaja që të jeni sikur kafshët?! A mos zgjidhni ëndjet para udhëzimit, ndërsa zemrat i keni të hutuara dhe të humbura?! A mos ndiqni rrugët e injorancës, të cilat janë rrugë të dobëta dhe i lini rrugët e udhëzimit të cilat janë të qarta dhe të dobishme?!

A kënaqesh nëse të thuhet: kush është Zoti yt, cila është feja yte, cili është pejgamberi yt dhe nuk ke një përgjigje?! E nëse të thuhet: si falesh, si e adhuron Allahun, nuk jep përgjigje të saktë. Si shet dhe si blenë, kurse ti nuk e njeh hallallin prej haramit?!

Pasha Allahun! Me këtë gjendje kënaqet vetëm kafsha. Andaj, bëhuni – ju mëshiroftë Allahu – prej atyre që mësojnë, e nëse nuk e bëni, atëherë prezantoni tubimet e diturisë duke dëgjuar dhe përfituar. Pyesni dijetarët udhëzues dhe të thelluar, e nëse nuk e bëni dhe ia ktheni plotësisht krahët diturisë, atëherë vetëm se jeni shkatërruar dhe keni humbur.

A nuk e dini se angazhimi me dituri është prej adhurimeve më të mira, prej bindjeve më me vlerë, që sjell kënaqësinë e Zotit të Tokës dhe qiejve. Të ulesh në një tubim diturie është më e mirë se dynjaja dhe çfarë ka në të. Një dobi që e përfiton dhe që ia mëson të tjerëve, nuk ka gjë që barazvlerësohet me të. 

Frikësohuni Allahut o robër të Tij dhe angazhohuni me atë për të cilën jeni krijuar; njohjen dhe adhurimin e Allahut. Luteni Allahun t’ju japë prej suksesit, butësisë dhe ndihmës së Tij.

أَمْ مَنْ هُوَ قَانِتٌ آنَاءَ اللَّيْلِ سَاجِدًا وَقَائِمًا يَحْذَرُ الآخِرَةَ وَيَرْجُو رَحْمَةَ رَبِّهِ قُلْ هَلْ يَسْتَوِي الَّذِينَ يَعْلَمُونَ وَالَّذِينَ لاَ يَعْلَمُونَ إِنَّمَا يَتَذَكَّرُ أُولُو الأَلْبَابِ

“A mund të krahasohet (me jobesimtarin) ai që falet natën, duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë e që ruhet prej jetës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të tij?! Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?! Vetëm të mençurit i pranojnë këshillat.” Ez-Zumer: 9.

 

Burimi: el Feuakih esh-shehijeh numër 66.

Përktheu: Besmir Cacani