REVISTA ELEKTRONIKE MEDINA

Moral

Këshillë për atë që shkon me dinakëri tek vëllau i tij që të marrë lajme dhe më pas ta poshtërojë – Shejh Abdullah el Buhari

Pyetja: çfarë këshille keni për atë person që shkon me dinakëri tek vëllau i tij që të marrë lajme dhe më pas ta poshtërojë pa ditur gjë?

Përgjigjja: Kjo, siç thuhet në pyetje, nëse shkon me dinakëri, po pse t’i bëjë dredhi vëllaut të tij?

Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – siç transmeton Ebu Daudi e të tjerë – ka thënë: “Shoqërohu vetëm me besimtar dhe le të ushqehet me ushqimin tënd vetëm se i devotshmi!”

Nëse dëshiron të ulesh me vëllaun tënd, atëherë ulu me këtë qëllim, që ta shtosh me të imanin, diturinë dhe përkujtimin e dijes, pra me qëllim të mirë.

Shoqëria dhe shoqërimi ka edukatë dhe i kemi përmendur në një mexhlis të kaluar, në këtë xhami.

Kemi përmendur disa edukata në lidhje me shoqërimin dhe shoqërinë.

Nëse ulesh me vëllaun tënd me këtë qëllim, pra me qëllim hulumtimin e gabimeve të tij, hulumtimin e rrëshqitjeve të tij dhe të marrësh prej tij lajme dhe më pas ta poshtërojë siç thuhet në pyetje, kjo Allahu na ruajtë është cilësi e dinakëve, e mashtruesve të futur.

Çfarë bëhet nëse dëshiron ta poshtërosh? A mos je i pafajshëm? Ti je:

هَمَّازٍ مَّشَّاءٍ بِنَمِيمٍ مَّنَّاعٍ لِّلْخَيْرِ مُعْتَدٍ أَثِيمٍ

“Shpifaraku, që përhap thashetheme, penguesi veprash të mira, shkelësi dhe keqbërësi.”[1] Kjo është gjendja yte.

A je i kënaqur që njerëzit të të trajtojnë në këtë mënyrë? Të të vijnë njerëzit me dinakëri, të të vijë një person më dinak se ti, të ulet me ty dhe më pas të përhapë lajmet tuaja? Pastaj të vijë një i tretë edhe më dinak.. e të vazhdojë seria pafund.. a kështu është shoqërimi?

Nëse ky parim është prezent në uljen e vëllezërve me njëri-tjetrin, atëherë duhet të largohesh prej tij.

Për ty shoqërimi me të vdekurit është më e butë dhe më e mëshirshme sesa shoqërimi me të gjallët, siç ka thënë Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë. Nuk është për qëllim që të shkosh tek varret e të vdekurve, mirëpo shoqërohu me dijetarët dhe lexo librat e diturisë, pasi kjo është më e dobishme për ty; ky është qëllimi.

Të kuptosh Sunetin është më e mirë sesa shoqërimi me tillë mendjelehtë.

Besimtari nuk bie në të njejtë gropë, çfarë? Nuk bie dy herë. Andaj kujtoje këtë gjë dhe hapi sytë.

Këtë vëllaun këshilloje nëse e shikon se e ka këtë problem. Përkujtoja Allahun, frikësoje me Allahun, mbase kthehet.

Nëse ky është zakoni i tij mes vëllezërve, që përcjell nga filani tek filani, atëherë ky duhet këshilluar. Nëse nuk e merr këshillën, atëherë bojkotohet, sepse dëmi i tij është i madh. Më e pakta gjë, i bëhet bojkot vetëmbrojtës, që të mbrosh veten nga e keqja e tij.

Allahu na dhëntë mirëqënie dhe shëndet!

 

Burimi: Takim me datë 10 Rabiul Euel 1438 h.

Përktheu: Besmir Cacani

________________________

[1] El Kalem 11-12.