Pyetja: një person sëmuret gjatë muajit Ramazan, e ndoshta kjo sëmundje zgjat gjatë gjithë Ramazanit, a e ka për detyrë të agjërojë gjatë kohës që është i sëmurë?
Përgjigja: nëse është sëmundje jokronike, atëherë e shtyn agjërimin derisa të shërohen dhe pastaj e kompeson agjërimin.
فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
“Por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” El Bekare: 184.
Nëse sëmundja është kronike [që nuk ndërpritet dhe është e pashërueshme], atëherë duhet të ushqejë një të varfër çdo ditë, sikur bënte Enesi.
Është thënë rreth komentimit të ajetit:
وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِينٍ
“Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” El Bekare: 184.
Ky person ka për detyrë që të ushqejë nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.
Ka ngelur diçka dhe po ju pyes: nëse ky person mendon, apo doktorët i thonë se sëmundja e tij është e pashërueshme, e ky ushqen për çdo ditë agjërimi nga një të varfër, mirëpo pas kësaj Allahu e shëron; çfarë duhet të veprojë?
Agjëron?!
E saktë, ai agjëron:
فَمَنْ كَانَ مِنْكُمْ مَرِيضًا أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِنْ أَيَّامٍ أُخَرَ
“Por, nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas.” El Bekare: 184.
Burimi
Përktheu: Besmir Cacani